Basha rikthehet tek Republika e Re, Selami: Ik, ke ende kohë

Postuar më: 17 July 2017 15:24

Lulzim Basha bashkëbisedoi me demokratët e Beratit, Kuçovës, Poliçanit ku u ndal në analizën e asaj çfarë ndodhi me 25 qershor, ku përballë ishin PD me vlerat e programin e saj dhe nga ana tjetër, krimi, droga, makineria shtetërore dhe shitblerja masive e votës.

Basha tha se beteja për vlerat ku aspirojmë të shkojmë duhet të vazhdojë deri në fund, dhe PD është e vetmja që mund ta bëjë e ta shpëtojë vendin.

“Bashkë luftuam betejën për dekriminalizimin, luftën kundër drogës, luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Tre akuza që 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot. Edi Rama, e dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri.

Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit. Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne, nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së identitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pisët të korrupsionit dhe drogës”, tha Basha.

Ndërsa Në takimet me demokratët e Beratit, Kuçovës, Urës Vajguore dhe Policanit, Eduard Selami, është ndeshur me shqetësimin e strukturave për përçarjen e Partisë. Por Selami, ka theksuar se pikërisht në këto momente vota për të është akti i parë i bashkimit të partisë demokratike dhe rikthimit i saj si forcë bashkëkohore.

“Dorëheqja do të ishte një veprim qe do t’i shërbente atij vetë por dhe PD. Do i hapte rrugë një procesi të lirë. Prapë nuk është vonë të dorëhiqet, pasi kandidatin përballë e ka shumë të mirë dhe do ta lërë partinë në dorë të mirë dhe të sigurte”, tha Selami.

Selami tha se Basha, është lider i dështuar dhe që braktis premtimet.

“Diferenca me e madhe është mes të thënës dhe të bërës. Kur e dëgjon zotin Basha, thua lum si unë por kur e sheh ne PD thua mjerë si ne. Nuk mund te qahesh, i njeh nga pikëpamja teorike si funksionon një demokraci bashkëkohore. Por 4 vite më vonë jemi me larg se kurrë. Pse? sepse ai nuk i zbatoi ato që premtoi”, tha Selami.
Selami, kërkoi sërish publikimin e listave të antarësisë, kjo për t’i dhënë besim garës, ndërsa thotë se një praktikë e tillë ndiqet ne forcat politike bashkëkohore si në shtetet e bashkuara ashtu dhe në partinë CDU të Merkel.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *