Ze Maria: Rikthej Tiranën e lavdishme

Postuar më: 17 June 2017 12:59

José Marcelo Ferreira, i njohur nga opinioni sportiv si Ze Maria, u prezantua zyrtarisht nga presidenti Refik Halili si trajneri i ri i Tiranës.

43-vjeçari brazilian e nisi fjalën e tij para mediave duke falenderuar drejtuesin më të lartë bardheblu për besimin që i është dhene me pas u shpreh se e ardhmja e klubit kryqytetas do të ketë e shkëlqyer.

“Dua të falenderoj shoqërinë, presidentin Refik Halili për mundësinë që po më jep për të stërvitur ekipin më të madh të këtij vendi, prandaj për mua është nder i madh. Kur m’u bë ftesa, nuk hezitova për ta pranuar. Pavarësisht vështirësive që ka kaluar sezonin që sapo u mbyll, jam i sgurtë që e ardhmja do të jetë brilante”.

Ze Maria, që  vjen në Shqipëri pas një eksperience në Kenia, këmbëngul se ka njohuritë dhe përvojën e duhur për të drejtuar një klub të madh si Tirana.

“Kam stërvitur skuadrën më të madhe në Kenia dhe u largova pasi fituam Superkupën dhe më pas një turne javën e kaluar. Kur merr drejtimin e klubit më të madh në një vend, vjen me mendime shumë pozitive. Kam fituar shumë përvojë si trajner për të drejtuar një skuadër të këtij niveli. Nuk frikësohem nga sfida. Kam qenë pjesë e ekipeve të mëdha si futbollist dhe trajner. Nuk e kam problem të punoj nën presion. Nuk besoj se trajneri që do të drejtojë Tirana duhet të ketë 20 vitë karrierë”.

Për skuadrën më të titulluar në Shqipëri, kthimi në Kategorinë Superiore mbetet detyrim, por Ze Maria sheh përtej këtij synimi.

“Objektivi im është ai që ka edhe klubi: ta kthejmë skuadrën aty ku duhet të jetë. Duhet të kalojmë një raund në Europa League dhe t’i rritim profesionalisht lojtarët e rinj me ata me më shumë eksperiencë. Duhet t’i japim përparësi futbollistëve të akademisë që t’i nderojnë këto ngjyra në superiore”.

Braziliani vjen te Tirana me një përgatitës atletik dhe një ndihmëstrajner, ndërsa për sa i përket merkatos sqaroi se më parë duhet të kuptojë se në cilat pozicione ekipi ka nevojë për përforcime.

“Vij me përgatitësin atletik, dhe një ndihmëstrajner do të bashkëpunojë edhe me stafin vendas. Duhet të jemi një grup që punojnë ngushtë. Nuk do të ketë diferenca. Kemi shumë pak kohë për ndeshjen e 29 qershorit. Njoh shumë lojtarë të talentuar që janë nga Afrika apo nga Brazili, madje edhe në Itali. Ndoshta do të marrim lojtarë të huaj, por fillimisht do të shoh ata që kemi, që të kuptoj se ku do të kemi nevojë për përforcime”.

Në fund Ze Maria theksoi se nuk është në Shqipëri për të treguar së është më i mirë se homologët e tij vendas apo të huaj, por për ta kthyer Tiranën aty ku i takon.

“Nuk vij këtu për të qenë trajneri më i mirë në Shqipëri, por për të qenë më i miri te kjo skuadër, për ta ngjitur në Kategorinë Superiore dhe për të afruar tifozët. Ky është objektivi im: t’i vij në ndihmë shoqërisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *