Portugali, zjarret përpijnë vendin. 39 viktima

Postuar më: 18 June 2017 12:03

Zjarri që përpiu pyjet në Portugali u kanë marrë jetën, sipas zyrtarëve, plot 39 personave.

Shumica e tyre ndërruan jetë gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga zona “Pedrogao Grande”, rreth 50 km në juglindje të Coimbrës, me makinat e tyre.

Disa zjarrfikës kanë mbetur të plagosur.

“Fatkeqësisht, kjo duket të jetë tragjedia më e madhe që kemi parë gjatë viteve të fundit, sa u përket zjarreve pyjore”, tha kryeministri Antonio Costa, i cili shtoi se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej.

Sekretari i Shtetit për Çështjet e Brendshme, Jorge Gomes njoftoi më herët se 3 persona kishin ndërruar jetë nga asfiksia, ndërsa 16 të tjerë vdiqën brenda automjeteve të tyre në rrugën që lidh Figueiro dos Vinhos dhe Castanheira de Pera.

Rreth 60 vatra zjarri u regjistruan gjatë natës në mbarë vendin, me 1.700 zjarrfikës që dolën në terren për t’i vënë flakët nën kontroll. Por flakët janë përhapur me një “shpejtësi të dhunshme”, tha Gomes.

Spanja i ka dalë në ndihmë Portugalisë, duke çuar dy avionë ujëlëshues për të shuar zjarret. Ende nuk është konfirmuar se çfarë i shkaktoi ato, por dihet se janë djegur veç të tjerash edhe shumë shtëpi.

Costa shtoi se stuhitë e thata mund të jenë një nga shkaqet e mundshme. Portugalia ka përjetuar një valë të nxehti me temperatura deri në 40 gradë Celcius në disa zona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *