Paradoksi i taksave liberale dhe shpenzimeve puniste të Bashës

Postuar më: 19 June 2017 09:23

Nga Ervis Iljazaj

Lulzim Basha duket se ka vetëm një kalë beteje në këtë fushatë zgjedhore. Është premtimi i tij për uljen e taksave deri në 9%, ose e thënë ndryshe rikthimin e taksës së sheshtë. Kjo vihet re në të gjitha takimet elektorale që ai zhvillon, por, edhe sa iu hedh një sy broshurave të ndryshme që përmbajnë programin elektoral të Partisë Demokratike, gjëja e parë që sheh është pikërisht kjo mënyrë taksimi.

Deri këtu është çdo gjë në rregull, të gjithë jemi dakord të paguajmë më pak taksa, aq më tepër në një shtet që nuk shquhet për efikasitetin e përdorimit të tyre dhe rikthimin e taksave në formë shërbimesh që lehtësojnë zhvillimin e ekonomisë. Taksat e ulëta të tij janë për t’u përshëndetur si një instrument për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë shqiptare.

Mirëpo, paradoksi në të gjithë retorikën e fushatës zgjedhore që po zhvillon Kryetari i Partisë Demokratike janë shpenzimet publike të mëdha që premton, duke na propozuar një shtet social të cilin do ta kishin zili dhe fanatikët më të mëdhenj të socializmit dhe etatizmit.

Me taksën 9%, Lulzim Basha premton se do të ndërtojë kopshte, shkolla, spitale, do të hapë mijëra vende pune, rritjen e pagave, rritjen e pensioneve minimale, faljen e borxheve të pagesave elektrike, rritjen e asistencës sociale etj. Po me këto taksa minimale, në një takim elektoral me disa të rinj, të cilët shqetësimin kryesor të tyre kishin arsimin, nuk nguroi të premtonte gjithashtu shpenzime buxhetore që do të siguronin uljen e tarifave, shtimin e numrit të pedagogëve, dreka falas për studentë e nxënës të niveleve të ndryshme dhe, në fund e mbylli fjalimin duke u shprehur: “ne jemi forcë e djathtë dhe besojmë te liria e tregut”.

Por, nëse vërtet zoti Basha dhe partia që ai drejton besojnë te lira e tregut dhe liberalizmi, duhet t’u sqarojnë qytetarëve se është pikërisht kjo liri që siguron të gjitha ato premtime që ai përmend dhe jo ndërhyrja masive siç premton ai të shtetit në ekonomi.

Asnjëherë më parë, një parti e djathtë nuk ka patur një retorikë kaq agresive kundrejt sektorit privat. Mjafton këtu të përmendim sulmin që zhvillon sa herë që i jepet mundësia ndaj universiteteve private. Në takimin e tij me të rinjtë, zoti Basha merrte si shembull modelin ekonomik dhe arsimor amerikan, por harronte t’iu thoshte studentëve se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kushtetutën e saj nuk ekziston asnjë e drejtë pozitive që parashikon ndërhyrjen e shtetit për t’i realizuar ato. Po ashtu, universitet amerikane të renditura në vendet e para në rankimin botëror të cilësisë janë të gjitha private.

Çfarë kontradikte e taksimit të djathtë dhe premtimeve të majta!

Përtej debatit nëse është më mirë taksimi i sheshtë apo ai progresiv, ajo që është shqetësuese në të gjitha premtimet elektorale të Partisë Demokratike është se vendit i mungon një forcë e vërtetë politike liberale që të artikulojë rëndësinë e një shteti minimal dhe një ekonomie që bazohet te liria e tregut, e cila kudo që është vënë në funksionim ka sjellë zhvillim dhe mirëqenie. Partia Demokratike që pretendon se është një force e djathtë ka rënë pre e populizmit dhe humanizmit. Ndoshta të gjitha opozitat janë të majta duke u munduar në këtë mënyrë të joshin qytetarët me idenë se shteti do të zgjidhë të gjitha problemet dhe duke propozuar modelin e politikanit profet.

Megjithatë, qytetarëve fare mirë mund t’iu shpjegohet se si taksat e ulëta, konkurrenca dhe liria e tregut është një model zhvillimi që është totalisht i kundërt nga këto premtime pa bazë ekonomike dhe mbi të gjitha, pa bazë ideologjike.

2 komente për këtë artikull
  1. titi at 2:06 pm

    Jeni shume kontradiktor dhe konfuz ne kete ” analize ” kunder programit ekonomik te Partise Demokratike i nderuar gazetar .
    Edhe ty per xhepin tend do te te bente shume me mire nje taxim deri ne 9 % , se sa ai prej 15 % i zbatuar nga PS-ja ndaj biznesit qe nga viti – 2013 .

  2. lexues at 3:44 pm

    Vertet mendon o zoteri se taksat e ulta sillkan nje model punist ekonomie ? Apo mendon se vertete regjimi diktatorial punist nuk kishte taksa, sic propogandonte ? Dhjete fish me te larta i kishte regjimi punist taksat packa se i fshihte. Te jepte nje dollar page, per dyqind dollare pune. Kjo ishte taksa. Si eshte e mundur thone socialistet, qe duke ulur taksat te ngrihet ekonomia ? Fare thjeshte vepron mekanizmi i tregut te lire kapitalist. Duke vene taksen e sheshte, ndihmon bizneset e mesme te zhvillohen me shume, bizneset e medha te hapin me shume vende pune, e duke u rritur konsumi qofte edhe me taksat e pakta te konsumatoreve. Duke u rritur konsumi, do te rritet edhe produkti bujqsor e industrial, do te bjere e pakesohet papunesia, e do te ngrihet edhe niveli ekonomik i gjithe qytetareve, e pse jo edhe buxheti i shtetit, qe do te lehtesohet nga shpenzimet e shumta per te ndihmuar te papunet. Kjo sa i takon anes ekonomike, kurse per anen tjeter ate morale politike, taksat e komplikuara te diferencuara, nuk mund te realizojne transparencen e takses se sheshte, nje takse e thjeshte e transparente lehtesisht e kontrollueshme. Te gjithe qytetaret paguaj ne dukje nje takse te barabarte ne perqindje, por duke krahasuar te ardhurat 100 euro te nje puntori me nje milion te nje biznesi te fuqishem, automatikisht behet diferencimi. Taksa e nje biznesmeni te madh, mund te shkoje deri ne njeqind paga mujore te nje puntori. Duke e nderlikuar e komplikuar taksen progresive, do te ndodhe ashtu sic ndodhi me qeverine Rama, ca biznesmene te afte e te ndershem mund te falimentojne, e biznesmene qe jane pjese e politikes apo te lidhur me te, paguajne ne rruge korruptive taksa te ulta. E kjo perben ate shtresen e rrezikeshme te oligarkeve qe kapin shtetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *