Olsi Çukaj për Fierin dhe sfida e të rinjve në politikë

Postuar më: 12 June 2017 09:23

Kush është kandidati i PAA-së që radhitet i pesti në listën e Partisë Demokratike për qarkun e Fierit. Pse vendosi të kthehej në Shqipëri dhe çfarë synon të sjellë në jetën politike të vendit  

Nga Nevila Perndoj

Ai është vetëm 25 vjeç por nuk ka frikë të guxojë e të rreshtohet në garë me politikanë të sprovuar qoftë në kohë fushatash, e gjetkë në jetën politike të vendit.

Ai nuk fsheh ndonjë fabul të madhe, por thotë se ka gjetur pasionin e diçkaje të vlefshme në jetë; të shërbyerit për komunitetin i nisur nga dy parime të thjeshta por kuptimplote, “përulësi dhe dinjitet”. Olsi Çukaj garon nën siglën e Partisë Agrare Ambientaliste.

Ai radhitet i pesti në listën e Partisë Demokratike për qarkun e Fierit dhe synon të jetë një zë i vlefshëm për fierakët në legjislaturën e ardhshme. Ambicia e tij nuk mungon kur e pyet nëse e kishte menduar më parë kandidimin apo ishte një shans që iu ofrua papritur nga kryetari i PAA-së, Agron Duka.

“Të them të drejtën nuk është se nuk e kam menduar, megjithatë nuk e prisja një surprizë të tillë të fatit që përfshirja ime të shkonte deri në listën e PD-së për qarkun e Fierit. Kuptohet që mundësia e dhënë nga ana e zotit Duka ishte një shtysë për mua.

Tashmë jemi në një situatë, ku unë të tregoj aftësitë e mia, me besim te vetja që të përfaqësoj vendlindjen time sa më denjësisht duke punuar sa më shumë për ta”,  përgjigjet ai.

Ai ka studiuar për Hoteleri-Turizëm në Zvicër dhe vjen në Shqipëri si pjesë e atyre të rinjve që kërkojnë të jenë model për brezin e tyre.

“Mund të shërbej si një shembull për të rinjtë e  tjerë që të kthehen në vendin e tyre në qoftë se duan me të vërtetë të japin diçka nga vetja dhe t’i shërbejnë popullit të tyre me përulje dhe zemër”, thotë Olsi Çukaj.

Sa duket ai e gjen veten mirë në takimet me elektoratin. Sa në një fshat në tjetrin, Çukaj të thotë se ai di të dëgjojë, është tip i thjeshtë e i komunikueshëm. Por çfarë synon të ofrojë në këtë batak politik një i ri i shkolluar jashtë si ai?

“…Ajo që unë do të ofroj për Fierin është shumë e thjeshtë; do e kryej detyrën time me dinjitet dhe do e përfaqësoj këtë qytet ashtu siç e meriton. E njoh mirë potencialin e Fierit dhe dua t’i shfrytëzoj këto mundësi që përmes nxitjes së ekonomisë me taksa të arsyeshme, të ulim papunësinë dhe t’i japim një gjallëri qytetit dhe zonave përreth me një vizion sa më europian me qëllim që Fieri më në fund të konkurrojë me qytetet e tjera të rajonit…”, thotë ai. Sfida e tij është e thjeshtë. “Sfida ime është që të jem me këmbë në tokë, të jem model pozitiv për të rinjtë e tjerë që duan të futen në politikë dhe mbi të gjitha dua njerëzit dhe vendin tim”, shprehet ai. Ai gëzon një status të mirë social e financiar, megjithatë Olsi Çukaj shprehet se ka diçka që qëndron mbi të gjitha dhe ajo është arsyeja që e ktheu në Shqipëri.

“Arsyeja që u ktheva nga Zvicra është e lidhur fort me familjen dhe me dëshirën e madhe që unë kam për të jetuar këtu, si një nga vendet më të bukura në Europë për mua, si për nga natyra dhe klima, por edhe nga pikëpamja njerëzore dhe traditat e vendit tim që unë i vlerësoj, i respektoj dhe i ndjek. Nuk mundej që të mirat materiale apo një punë komode atje (Zvicër) të më tërhiqnin më shumë se sa kjo që po bëj…”, thotë ai.

Por çfarë mund t’i ofrojë konkretisht elektoratit?

“Elektorati që unë do të përfaqësoj ka akoma nevojë për gjërat më bazike për të jetuar një jetë normale, si një shtet normal europian. Kam si qëllim kryesor mbylljen një herë e mirë të disa shqetësimeve bazike që populli mos të vuajë më për nevoja të tipit: drita, ujë dhe qendra shëndetësore. Nga ana tjetër, bujqësia si sektor kryesor i zonës ku unë kandidoj, do të ketë mbështetjen time të plotë sepse ka hapësira të mëdha punësimi edhe për të rinjtë në mënyrë që të lulëzojë një lloj turizmi rural duke ditur që krahinat rreth Fierit dhe Mallakastrës kanë bukuri natyrore dhe burime mjaft të mëdha…”, thotë Çukaj. Megjithatë, ai është i ndërgjegjshëm se të gjitha sa më sipër nuk mund të bëhen pa mbështetje. “Unë jam një figurë e re në politikë dhe unë sot më shumë se kurrë kam nevojë për mbështetje”, nënvizon ai

Edhe raportin me PD-në, Olsi Çukaj e ka të qartë dhe këtu nuk ka nevojë që të fusë pak pragmatizëm, por vetëm realitet.

“Në të vërtetë janë disa pika të rëndësishme në programin e PD që lidhen me zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen direkte të fermerëve, me stazhet që do të ofrohen për të sapodiplomuarit e që do të paguhen nga buxheti i shtetit, si dhe taksa e sheshtë 9%, që lejon zhvillimin e sipërmarrjes në një periudhë afatgjatë me hapje vendesh pune të reja si element i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë…”,  thotë ai.

Ambicia e Olsi Çukaj mbetet për t’u parë e po aq edhe sfidat e tij. Ajo që dihet deri më tash është se ai e ka kuptuar rëndësinë e mendimit të elektoratit. A do të përkthehet ajo në votë? 25 qershori nuk është larg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *