Kompania gjermane ‘DEKRA’ trajnon punonjësit e Hoteleri-Turizëm

Postuar më: 14 June 2017 16:39
DEKRA Akademie është një kompani gjermane që trajnon dhe punëson qindra shqiptarë në Gjermani. Ajo  është e vetmja rrugë zyrtare nëpërmjet së cilës të rinjtë shqiptarë mund të gjejnë kontrata të rregullta punësimi në vendin e zhvilluar europian.
 
Kjo kompani përmbylli me sukses programin Albtrainer, një trajnim i punonjësve në hoteli-turizëm  në zonën e Tiranës dhe Durrësit.
 
Sfida e kësaj kompanie është hapja e trajnimeve me sektorë të tjerë, kryesisht IT dhe sistemet e ngrohjes, u shpreh sot në Tiranë Nadim Salameh, përfaqësues i DEKRA-s.
Dietmar Metzger, administrator i DEKRA Akademie në Shqipëri  tha për gazetën Mapo se iniciativa e trajnimit të punonjësve për tregun e punës në Gjermani ka rezultuar e suksesshme dhe do të vijojë edhe në vitet në vazhdim.
 
“Më duhet të pranoj se nuk ishte ideja jonë, por e Luan Bregasit. E takova kur ishte në Gjermani bashkë me Edi Ramën dhe ai na tha ejani në Shqipëri. Shqipëria është një vend i dashur dhe i vogël dhe ne erdhëm, edhe mund ta konfirmojmë që është një vend shumë i mirë, një vend i mirë për të qëndruar dhe për të mbështetur zhvillimin.
Mund të them që është surpriza e këtyre viteve. Cilësia e shqiptarëve, interesi i njerëzve, talenti i tyre, jam një fans i madh i Shqipërisë”,- tha ai.
 
Pas infermierëve, DEKRA do të vijojë me kërkimin e profesionistëve të tjerë si IT apo specialistët e sistemeve të ngrohjes.
 
“Padyshim që kemi plane të tjera. Ne mësojmë 600 studentë në fushën e kujdesit shëndetësor dhe kemi plane që tani në vjeshtë të fillojmë me profesionet e IT-së dhe me sistemin e ngrohjes”,- tha ai.
 
Punëdhënësit gjermanë kanë mbetur shumë të kënaqur me infermieret e punësuara nga Shqipëria. “Klientët tanë gjermanë janë shumë të kënaqur me infermieret që vijnë nga këtu. Ato kanë bazat teorike shumë të forta edhe praktike, por gjithashtu ato kalojnë përmes disa programeve për t’u përgatitur mirë për në Gjermani”,- thotë Nadim Salameh.
 
Irena Bakalli, drejtore ekzekutive në kompaninë DEKRA, për projektin e trajnimit në Hoteli-Turizëm dhe projekte të tjera, shprehet se me anë të këtyre trajnimeve po synohet futja e modelit dual gjerman në vendin tonë.
Ky sistem nënkupton ndërthurjen e teorisë me praktikën në mënyrë që të nxjerrë punonjës të kualifikuar për tregun e punës, në Shqipëri dhe në Gjermani.
 
Bakalli shton se suksesi i parë ka qënë ai në fushën e infermierisë.
“DEKRA ka trajnuar infermierë të diplomuar në gjuhën gjermane për liçensimin si infermierë në Gjermani, sigurimin e kontratave të punës, si mbështetje në procesin e transferimit, integrimit dhe fillimit të punës në Gjermani.  Aktualisht janë janë rreth 1 mijë studentë që po trajnohen dhe 200 prej tyre janë punësuar në Gjermani”,- sqaron ajo.
 
Sipas Bakallit me anë të programit Alb-tranier janë trajnuar punonjës të hoteleve për t’u bërë instruktorë të certifikuar në këtë sektor.
 
Programi u mbështetet nga Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale, Agjencia kombëtare e arsimit profesional dhe shoqata e bizneseve, BiznesAlbania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *