Iljazaj: Paradoksi i Bashës! Bushati: Rama është një klloun

Postuar më: 19 June 2017 10:15

Kjo duhet të jetë java kur politikanët i fokusohen më shumë çështjeve ekonomike.

Lulzim Basha po i mëshon më shumë kësaj çështje, duke thënë se do jetë kryeministri i ekonomisë.

Por drejtori i Mapos, Ervis Ilazaj thotë se ka një paradoks tek programi i Bashës, pasi premton taksa liberale, por nga ana tjetër thotë se do bëjë shpenzime të mëdha.

“Me taksën 9%, Lulzim Basha premton se do të ndërtojë kopshte, shkolla, spitale, do të hapë mijëra vende pune, rritjen e pagave, rritjen e pensioneve minimale, faljen e borxheve të pagesave elektrike, rritjen e asistencës sociale etj. Po me këto taksa minimale, në një takim elektoral me disa të rinj, të cilët shqetësimin kryesor të tyre kishin arsimin, nuk nguroi të premtonte gjithashtu shpenzime buxhetore që do të siguronin uljen e tarifave, shtimin e numrit të pedagogëve, dreka falas për studentë e nxënës të niveleve të ndryshme dhe, në fund e mbylli fjalimin duke u shprehur: “ne jemi forcë e djathtë dhe besojmë te liria e tregut”.

Por, nëse vërtet zoti Basha dhe partia që ai drejton besojnë te lira e tregut dhe liberalizmi, duhet t’u sqarojnë qytetarëve se është pikërisht kjo liri që siguron të gjitha ato premtime që ai përmend dhe jo ndërhyrja masive siç premton ai të shtetit në ekonomi.

Asnjëherë më parë, një parti e djathtë nuk ka patur një retorikë kaq agresive kundrejt sektorit privat. Mjafton këtu të përmendim sulmin që zhvillon sa herë që i jepet mundësia ndaj universiteteve private. Në takimin e tij me të rinjtë, zoti Basha merrte si shembull modelin ekonomik dhe arsimor amerikan, por harronte t’iu thoshte studentëve se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kushtetutën e saj nuk ekziston asnjë e drejtë pozitive që parashikon ndërhyrjen e shtetit për t’i realizuar ato. Po ashtu, universitet amerikane të renditura në vendet e para në rankimin botëror të cilësisë janë të gjitha private.

Çfarë kontradikte e taksimit të djathtë dhe premtimeve të majta!” shkruan Iljazaj.

Kurse analisti Andi Bushati shkruan tek Lapsi.al se Edi Rama po bën fushatë si klloun.

“Edi Rama po sillet herë si fëmijë i llastuar dhe herë si klloun në tentativë pasi nuk do të përballet me dështimin e tij.

Ai nuk ka gojë të flasë sot për 300 mijë vendet e punës. Ai nuk mundet të justifikohet se pse nuk e uli TVSH e premtuar të produkteve ushqimore. Ai nuk guxon të përballet me faktin se nuk i solli vendit asnjë investitor të madh të huaj.

Ai do ta anshkalojë kanabizimin e Shqipërisë.

Por ka edhe të tjera.

Ai premtoi katër vite më parë se do t’i anullonte koncesionet e Berishës. Nuk bëri asgjë veçse shtoi të tjera edhe më skandaloze.

Ai premtoi se do t’i mbyllte lojrat e fatit në qendrat e banuara. Gënjeu paturpësisht dhe tha se partia nuk iu bind në këtë betejë kundër bixhozit.

Ai deklaroi se do të ishte i kapur nga mafia, nëse një ditë do të tentonte të importonte plehra në Shqipëri. Po të mos t’a kishin ndalur Nishani dhe më pas Meta, sot do ti kishte në xhep paratë e mbetjeve.

Ai tha në fund se shteti është përgjegjësi dhe nuk i jepet si bonus protestuesve të çadrës, por më pas për të ruajtur kolltukun, i dorëzoi të gjitha drejtoritë ku bëheshin lekë.

Vetëm pasi ke numëruar këtë listë të gjatë e ke më të lehtë të kuptosh se pse Edi Rama po i shmanget këtë herë një gare normale. Se pse ai ka dalë në fushë me tuta dhe atlete, se pse thotë gjithçka për të mos thënë asgjë, se pse bën gallatë me rivalët dhe gazetarët kritikë”.

Paradoksi i taksave liberale dhe shpenzimeve puniste të Bashës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *