Është lufta finale: Ilir Meta në pesë kohë politike

Postuar më: 17 June 2017 09:55

Portret i paautorizuar/ Ai ka nisur rrugën drejt presidencës, por nuk i dihet a do të mbërrijë atje. Kryqëzimi politik i 25 qershorit duket se do të përcaktojë peshën e vërtetë të LSI dhe fatin e të ardhmes së liderit të saj.  A është LSI aq e madhe sa thotë Ilir Meta apo do të mbetet aq e vogël sa synojnë Edi Rama dhe Lulzim Basha? Një kthim në kohë nga fillimet si student i dhjetorit në të pesta etapat më të rëndësishme të karrierës së tij politike në 27 vite

Nga Luljeta Progni

“Po luhet shumë me Parlamentin, po luhet me institucionet… këtu po luhet me fatin e shqiptarëve, jo thjesht me Ilirin, që është më i miri ndër ta. Po e përsëris që është më i miri ndër ta”. I ka thënë Fatos Nano këto fjalë për Ilir Metën, më 27 gusht 1992, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Kur e cilësoi “më të mirin ndër shqiptarë”, me siguri Fatos Nano nuk e kishte parashikuar se do ishte pikërisht Ilir Meta që do të ishte shqiptari më problematik për të, për më shumë se 10 vite, por edhe në vazhdim.

Ishte dita kur parlamenti i Shqipërisë po i hiqte imunitetin deputetit të ri dhe mjaft energjik të Partisë Socialiste.  Ai akuzohej si organizator i një proteste në Poliçan, e cila përshkallëzoi në një revoltë me armë të protestuesve kundër forcave të rendit. Për këtë ngjarje, veprimet e deputetit socialist u konsideruan nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Bashkim Kopliku, si veprimtari terroriste.

Nëse e ndjek me vëmendje atë seancë sot, vëren qartazi se “qetësia” ka spikatur si tipar i Ilir Metës, qysh atëherë kur ishte vetëm 23 vjeç e kur po përballej me luftën e fortë të demokratëve të sapoardhur në pushtet.

Kolegët e tij deputetë duke nisur nga kryetari Fatos Nano, Gramoz Ruçi apo bashkëpunëtori i ngushtë në themelimin e FRESSH, Pandeli Majko, shfaqën anën e tyre të dobët në atë seancë përballë stuhive të furtunës anikomuniste të Berishës.

Ia vlen të kthejmë në kujtesë fjalët prekëse në atë seancë, të Pandeli Majkos: Mua do të më falni, se jam edhe pak i tensionuar. Mosha ime, së bashku me atë të Ilir Metës është tepër e re për të ruajtur dhe për të mbajtur tensione të tilla, siç është ky që po përjeton ky Parlament. Megjithatë ne jemi të rinj në politikë, por nuk jemi vogëlushë”.

Apo fjalët e ndjera të Gramoz Ruçit, kur e quante “Lulja e demokracisë”: Po po…lulen e demokracisë dhe veçanërisht studentëve, që u ngritën të parët kundër diktaturës, ndërkohë që shumë prej nesh rrinim skutave”, për ta mbyllur me fjalinë e Fatos Nanos, “më i miri ndër shqiptarë”.

Ndërsa Ilir Meta ishte krejt i qetë, i ftohtë e pa emocione ndërsa përsëriste vazhdimisht se ishte në atë sallën me votat e popullit të Skraparit dhe askush nuk mund të vinte në dyshim legjitimitetin e tij. “Unë s’jam karagjoz që për hir të disa provokatorëve të vë në dispozicion imunitetin tim që ma kanë dhënë zgjedhësit e mi”, -tha Meta.

Fillimet në politikë

Por si kishte mbërritur ai në atë sallë? Kishte qenë student dhjetori në Fakultetin e Ekonomisë, atje ku profesori i tij Gramoz Pashko kishte ngritur grupin e studentëve të tij të “inatosur” me regjimin, para se të niste lëvizja e dhjetorit ‘90.  Ilir Meta shquhej ndër të tjerë studentë, atë ditë kur profesori Gramoz Pashko po përballej me gjyqin e PPSH-së për intervistën që ai kishte dhënë në “Zëri i Amerikës”, në tetor 1990. E ka rrëfyer bashkëshortja e të ndjerit Pashko, Mimoza Pashko atë detaj me rëndësi në fillimet e Ilir Metës. Pak muaj më pas, Ilir Meta do të ishte patjetër në grupin e studentëve të dhjetorit që u ngritën në protesta kundër regjimit komunist. U angazhua në forumin e të rinjve socialist duke spikatur qysh në fillim për energjitë, guximin dhe vitalitetin e  tij deri sa shkeli në sallën e Kuvendit të Shqipërisë  për të vazhduar deri sot, kur fati politik i tij është sërish i trazuar. Është përballë akuzave të forta të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, që duket se janë bërë bashkë për ta “rrudhur”, madje sipas disave për ta “zhdukur” LSI-në e tij.

Beteja me Fatos Nanon

Spikati si një ndër drejtuesit kryesorë të FRESSH për të mbërritur deri në “privatizimin” e tij e për ta çuar atë drejt një partie tjetër Socialiste.  Në korrik 1993, kryetari i PS-së u arrestua me akuzën “abuzime me ndihmat humanitare”, që kishin mbërritur në Shqipëri në vitin 1991, kur Nano ishte Kryeministër. Por, PS-ja dhe FRESH-i e cilësuan Fatos Nanon të burgosur politik nga Berisha. Shumë shpejt kjo do të kthehej në bindje edhe për ndërkombëtarët. Ndërkohë pesha politike e të rinjve të FRESSH-it sa vinte e rritej, në një ambient të trazuar figurash në PS. Në të njëjtën kohë Nano fitonte më shumë popullaritet, jo vetëm në PS, por edhe në gjithë spektrin politik. Akti i burgosjes, politik apo jo, po e kthente atë në një “hero”, siç edhe shumëkush e quante në Partinë Socialiste.

Kur Nano ishte në burg, Ilir Meta, edhe pse shumë i ri,  ia doli të mblidhte rreth tij personalitete të rëndësishme të PS-së, si Servet Pëllumbi, Luan Hajdaraga, Spartak Poçi por edhe të tjerë. Ata i bashkonte rreziku i eklipsimit nga rritja e shpejtë e simpatisë për Fatos Nanon jo vetëm në PS por edhe jashtë saj, edhe jashtë Shqipërisë, në kancelaritë ndërkombëtare. Kështu u krijuan dy grupet kundërshtare në PS, i Nanos dhe ai i Metës. Përplasja midis tyre do të kulmonte me mocionin e famshëm të Fatos Nanos, ku i shpalli luftë të hapur Metës dhe mbështetësve të tij. Ajo përfundoi në korrik të atij viti, kur Fatos Nano e mundi Metën dhe vetët sepse ia doli t’i lërë ata jashtë forumeve drejtuese të partisë në fazën e dytë të kongresit reformues të PS-së.

Fatos Nano doli nga burgu për shkak të ngjarjeve të ‘97 dhe bashkë me aleatët e PS-së fituan zgjedhjet. Aty nis edhe beteja ballë për ballë mes Nanos e Metës e cila zgjat deri në vitin 2004. Në këtë raport dashuri-urrejtje, Ilir Meta u zgjodh kryeministër i Shqipërisë në moshën 29-vjeçare dhe ia doli të mbledhë rreth tij drejtuesit më të rëndësishëm të PS-së, duke përfshirë edhe Gramoz Ruçin. Por as prania e Ruçit nuk i dha imunitetin e nevojshëm në betejat të tjera që e prisnin me Fatos Nanon.

Pasi Nano u largua nga posti i kryeministrit në vitin 1998, Majko e Meta ndërruan postin e kryeministrit për gati katër vjet mes tyre në varësi të raporteve me Fatos Nanon. Ndërsa Majko kishte mbetur me “shpatullat e brishta”, Ilir Meta jo. Ai ishte gjithmonë i gatshëm dhe po aq i qetë për t’u përballur me Fatos Nanon.  Kur Meta linte postin e kryeministrit ishte gjithmonë i angazhuar për të nisur një betejë të re, ndërsa shihte Majkon në atë post me një letër dorëheqjeje në xhep, e gatshme për t’u lexuar sa herë i duhej Nanos. Mbetet simbolike dorëheqja e Metës në 2002 pas lëvizjes për katharsis të Nanos. Edhe pse Meta kishte fituar zgjedhjet si kryeministër, ai sërish garoi për kryeministër pas tyre me Arben Malajn.  Pas dorëheqjes së Metës pakti i Korfuzit mes të dyve nuk zgjati më shumë se një vit e ca. Ilir Meta nuk e pushoi kurrë luftën kundër Fatos Nanos, deri sa u largua përgjithmonë nga PS për të themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Themelimi i LSI

Kur u largua nga Partia Socialiste, Ilir Meta mori me vete drejtues të rëndësishëm të kësaj partie, si Sabit Borkajn, Spartak Brahon, Pëllumb Xhufin, Ndre Legisin e disa deputetë të tjerë. Ilir Meta kishte ngjallur besim te politikanët e hershëm socialistë sepse konsiderohej si politikani “burrë” që nuk të lë në baltë. Ndarja e dëmtoi Partisë Socialiste e cila më 3 korrik shkoi në opozitë. Kjo humbje solli edhe fundin e Fatos Nanos në politikë. Ishte një fitore jo e plotë, sepse Meta kishte synuar ta arrinte këtë fitore brenda PS-së. Në shtator të atij viti, Ilir Meta do të mësonte se kishte punuar për karrierën politike të Edi Ramës. Ishin ndeshur shpesh në rrugën e tyre politike në PS. Rama ishte shfaqur shpesh si aleat i tij, por e kishte lënë na baltë kur Fatos Nano i shtrinte dorën për ndonjë marrëveshje të çastit.

Kur Edi Rama i shtriu dorën e bashkëpunimit e kur premtoi unifikimin e opozitës, Ilir Meta iu bashkua duke besuar dhe duke i garantuar edhe fitoren e rëndësishme të 18 shkurtit 2007, si kryebashkiak i Tiranës. Por pak më shumë se një vit më pas, në prill të vitit 2008 Ilir Meta do të përballej me tradhtinë e madhe të Edi Ramës. Ndryshimet kushtetuese synonin eliminimin e LSI-së.

Bashkëqeverisja me Berishën

Në emër të integrimit të Shqipërisë në BE-, Ilir Meta firmosi marrëveshje bashkëqeverisje me Sali Berishën në verën e vitit 2009, pas zgjedhjeve ku kishte fituar vetëm katër mandate. E kishte ndjekur hija e Berishës përgjatë 20 viteve sepse ishte akuzuar shpesh për aleanca të fshehta me të ndaj ishte koha për ta “faktuar”.  Ilir Meta bashkëqeverisi pa telashe me Berishën, por i shqetësuar shpesh nga opozita e drejtuar nga Edi Rama, sepse akuzohej për korrupsion. Një fazë e vështirë për karrierën politike të ish-peshëngritësit që tashmë e kishte lënë mënjanë pasionin për sportin, ishte ajo e publikimit të videos ku shfaqej me ish-ministrin Dritan Prifti duke folur për ryshfet 700 mijë euro. Do të mbahen mend gjatë akuzat e ashpra mes Ramës e Metës në ato katër vite por ato do të kalonin sikur të mos kishin ekzistuar kurrë, kur Ilir Meta e Edi Rama i shtrin dorën njëri-tjetrit për të bashkëqeverisur Shqipërinë në vitin 2013. Në këto zgjedhje LSI u rrit numerikisht, por edhe politikisht duke u shfaqur sërish si faktor përcaktues për pushtetin.

Rikthimi i djalit plëngprishës

Katër vite të qeverisjes me Ramën, Ilir Meta do të zbulonte edhe “qetësinë dhe dashurinë”, që do t’i duhej shumë sepse rrethana të sikletshme e pritën për katër vite qeverisje. Disa herë i sulmuar nga Rama, përmes njerëzve të tij, Ilir Meta vazhdoi të qëndrojë në qeveri me të, me “qetësi dhe dashuri” deri tani në fund, kur kanë marrë arratinë të dyja dhe Ilir Meta i është kthyer dashurisë për Berishën.  I zhgënjyer nga Edi Rama, i cili në të vërtetë në të paktën dy raste nuk i ka shkuar deri në fund pakteve mes tyre, Meta është bindur se Berisha është një politikani dhe personi më me karakter me të cilin ka bashkëpunuar në politikën shqiptare. Ndërsa Edi Rama e Lulzim Basha kanë nisur një betejë të ashpër kundër Metës. Bashkë me drejtuesit e tjerë të LSI-së, Meta po flet gjithnjë e më shumë se LSI do të jetë forcë e parë. Ai po gjendet edhe si në 2005 apo 2009 nën sulmet e të mëdhenjve që duan eliminimin e partisë së tij. Ai ka nisur rrugën drejt presidencës, por nuk i dihet a do të mbërrijë atje. Çdo gjë do të përcaktohet më 25 qershor, kur të kuptohet se sa është në të vërtetë pesha e LSI-së. A është LSI aq e madhe sa thotë Ilir Meta apo do të mbetet aq e vogël sa synojnë Edi Rama e Lulzim Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *