Debati për Çmimin Kadare 2017, Henri Çili vs Mimoza Ahmeti

Postuar më: 13 June 2017 09:52

Ndizen polemikat mes botuesit dhe shkrimtares për shkrimtarin e madh: Kadare, jo fajtor për mediokritetin letrar shqiptar që nuk kapërcen dot Adriatikun!

Pas shkrimit të botuar ditën e djeshme në gazetën Mapo,  ku shkrimtarja Mimoza Ahmeti  duke kritikuar “Çmimin Kadare” dhe  cilësuar  me ironi  “Shkrimtari Perëndi” është shprehur se Ismail Kadare duhet t’u hapë rrugë të rinjve, botuesi  Henri Çili reagon se shkrimtari i njohur nuk ka asnjë ndikim në vendimet e jurisë dhe se pas 27 vitesh Shqipëria ende nuk ka arritur të prodhojë një autor ndërkombëtarisht të njohur

Nga Henri Çili

E dashur Moza, duke qenë një nga poetet e mia të preferuara, dhe një nga bashkëpunëtoret në rubrikën e rrjetit të kritikës shqip në gazetën “Mapo”, u befasova kur lexova shkrimin tënd për çmimin “Kadare” dhe, në përgjithësi rreth debatit që ka shkaktuar edicioni i tretë i këtij çmimi.

Fillimisht, do të doja të thosha që befasia, në fakt nuk është vetëm e jotja, është përfaqësuese nga konstatimi i mungesës së përgjithshme të emancipimit në mjedisit letrar shqiptar. Unë sapo jam futur në kuadrin e iniciativës letrare të Universitetit Europian të Tiranës gjatë këtyre viteve për të strukturuar, për të ndërtuar, për të bërë funksional e legjitimuar për nga cilësia çmimin letrar “Kadare”, një çmim që jepet tashmë për herë të tretë, dhe besoj që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Mungesa e emancipimit është befasuese. Shkrimtarë të njohur të cilët refuzojnë të jenë në juri sepse nuk duan të kenë belara, votime jurish të cilët zihen e përpëliten me njëri tjetrin, pjesëmarrës të çmimit të cilët, pas kësaj, as denjojë të vijnë e të përfillin ceremoninë e honorifikimit të një kolegu të tyre, që gjithsesi njëri do ishte fitues dhe nuk do ishin 40 apo 50 shqiptarë.

Por mbi të gjitha, këtë vit, jam befasuar nga reagimet shumë të ashpra të dy prej favoritëve të këtij çmimi, të Virion Graçit dhe tëndin, pasi ishit në short listën e pesë finalistëve. Tamam-tamam është një gjë e ditur banaliteti, meskiniteti apo ligësia e mjediseve letrare kudo në botë. Mirëpo mendoja se kjo ligësi iu përkiste shkrimtarëve periferikë, të parealizuar apo shkrimtarëve të cilët mekanizmin e dështimit përpiqen t’ia projektojnë mjedisit letrar, kohës, epokës, komploteve apo ndonjë gjëje tjetër.

Por, personalisht jam shumë i zhgënjyer që përfaqësues tipik i këtij fenomeni jeni ju dhe Virion Graçi, dy autorë që personalisht ju njoh dhe ju respektoj.

Përtej momentit personal, mendoj që teprimi i madh në lidhje me këtë temë, ia vlen të ndalemi, të analizojmë e të shkojmë më tej.

Së pari, kohët kanë ndryshuar e dashur Moza. Jetojmë në kohë lirie, dhe askush nuk ka detyrim ndaj askujt, dhe askush nuk i jep llogari askujt mbi ndërtimin e një çmimi, një jurie, mënyrën si voton apo mënyrën si akordohet një çmim. Aq më tepër sikurse thashë, se ekzistojnë qendra të mëdha, personazhe të mëdha që kushtëzojnë çmimet, eksportin letrar shqiptar për 27 vjet pas një hyrjeje në botën e lirë, ku liria e qarkullimit të ideve, përkthimeve është e plotë. Madje-madje kaotike. Si të tillë ne kemi marrë iniciativën letrare për të ndërtuar çmimin Kadare si një mënyrë për të inkurajuar autorin shqiptar, që shkruan shqip, letërsinë shqipe, jo vetëm nëpërmjet një çmimi, me një vlerë monetare shumë të mirë, prej 10 mijë eurosh, por edhe përmes botimit dhe marrëdhënieve publike, reklamimit  të këtij autori në harkun e një viti pas botimit të fituesit. Kështu kemi bërë me fituesit: Rudolf Markun, Shkëlqim Çelën dhe kështu do të bëjmë edhe me Musa Ramadanin.

Në vend që kjo iniciativë të meritojë një përshëndetje ose të paktën indiferencë, paranoja deri në marrëzira ngrihen në qarkullim në lidhje me skema, kundërskema apo kontrolle të këtij çmimi, për të cilin unë dhe juria, janë dhjetë emra, që çdo vit kemi qenë dhe jemi dëshmitarë.

Së dyti, Ismail Kadare, shkrimtari ynë i shquar i cili pati mirëkuptimin të na lejonte emërtimin e çmimit “Kadare”, pikërisht për inkurajim të autorit shqiptar, për të rritur reputacionin e autorit shqiptar, për të rritur reputacionin e këtij çmimi, që është në bazë të qëllimit, më sjell në vëmendje një fjali të tij. Para tre vjetësh kur Kadare pas shumë hezitimesh (sepse mund të lindnin debate të kësaj natyre) na dha leje për emërtimin e çmimit, duke na thënë: “Nëse ju mendoni se kjo i shërben letërsisë shqipe dhe promovimit të saj, pse jo. Por unë nuk dua, për asnjë arsye të kem lidhje me procesin, fituesin, me emrat”. Dhe, në fakt kështu ka ndodhur. Juritë e çmimit Kadare kanë votuar lirshëm, gjatë këtyre tre vjetëve, për autorin që kanë menduar, duke kryer një proces transparent.

Një gjykim që gjithsesi mbetet subjektiv, por të tilla janë çmimet, që nga dita që janë krijuar e deri sa të perëndojë bota.

E treta dhe më e rëndësishmja, kontributi i Kadaresë nëpërmjet këtij çmimi për autorët shqiptarë, i cili ndryshon kryekëput nga çmimi ndërkombëtar Kadare, nga mesi i viteve ’90, ka diçka shtesë për të theksuar: Kadare nëpërmjet parathënieve, rekomandimeve, diskutimeve, eseve të tij ka nxitur sa më s’ka letërsinë shqipe, autorin e ri apo autorin shqiptar këtu dhe jashtë vendit.

Kujtoj disa parathënie, shënime letrare, intervista apo pjesë nga libri “Mëngjese në kafe Rostand”, ku ai përmend e promovon autorët shqiptarë që kanë botuar jashtë, zonjat e letërsisë shqipe apo autorin shqiptar në përgjithësi i cili del jashtë. Si i tillë Kadare meriton të quhet një promovues sui generis i letrave shqipe.

Nuk duhet të harrojmë e dashur Moza, që Ismail Kadare është e vetmja markë publicitare e letërsisë shqipe e kulturës shqiptare që ne kemi në qarkullim dhe që mund të potencojmë në botën e qytetëruar ku lufta, konkurrenca e veprave cilësore është absolutisht e ashpër, e pamëshirshme.

Fakt është që në këto 27 vjet ku liria e botimeve ka qenë e garantuar, liria e qarkullimit të ideve dhe shkëmbimit kulturor me botën e jashtme ka qenë e garantuar po ashtu, ne nuk kemi arritur të prodhojmë, esencialisht, një autor apo një brez autorësh shqiptarë ndërkombëtarisht të njohur. Dhe për këtë, jo vetëm që Ismail Kadare nuk ka faj, e ka fajin vetëm mediokriteti letrar, apo për ta thënë në mënyrë më të sjellshme, cilësia e munguar e letërsisë apo autorëve shqiptarë për t’u bërë ndërkombëtarisht të përfillshëm.

Me gjithë ndihmën e Kadaresë, duke promovuar përmes parathënieve, shënimeve, rekomandimeve për shumë e shumë autorë shqiptarë, përsëri njohja ndërkombëtare nuk ka qenë e mundur.

Të shohim, nëse në të ardhmen, ndonjë përfaqësues apo fitues i çmimit “Kadare” do të bëjë thyerjen. Pra, do të thyejë premisat për një famë ndërkombëtare të një shkrimtari tjetër shqiptar.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Kohët kanë ndryshuar rrënjësisht. Iniciativat kulturore dhe letrare nuk janë më pronë e askujt. Ato janë pronë e të gjithëve. Përbashkimi konstruktiv rreth këtyre iniciativave, çmimeve, dhe eventeve kulturore e letrare, është ndoshta shtrati letrar ku mund të lindin apo kultivohen talentet e mëdha. Të cilat ndoshta një ditë mund të kishim një cilësi të re për të kapërcyer kufijtë e kulturës shqiptare dhe për të hyrë në mjedisin letrar ndërkombëtar./Mapo.al/

Debati për çmimin Kadare, shpërthen Mimoza Ahmeti: Ka ardhur koha që shkrimtari Perëndi t’iu hapë udhën të rinjve

3 komente për këtë artikull
  1. virion graci at 10:26 am

    Virion Graci (Nisur nga keqpermendja e emrit tim ne shkrimin e mesiperm, per hir te se vertetes dhe per publikun po e rihedh postimin tim te para dy javeve. )

    Për letërsinë dhe demonë të tjerë
    Diçka e thjeshtë dhe e zakonëshme të bëhet lajm i pranuar nga redaksia e portalet duhet patjetër të fillojë me shprehjet : “shpërthen Filani,” “çmendet Filania,” “sulmon Ai e godet Ky.” U bëra dhe unë lajm i kronikës së zezë si sulmues, goditës. Në fakt kam bërë një shënim informal për miqtë e mi në FB duke përmbledhur në tre rreshta çfarë ka ndodhur në dy vitet e para të çmimit letrar “Kadare” pa u ngatërruar me të tretin në të cilin isha vetë finalist. Mbaj mend se u kam shkruar ideuesëve të çmimit se, një grup aq i vogël njerëzish si ju, të lidhur në interesa pagash mujore e honoraresh javore me institucionin që e jep atë çmim dhe e propagandon si vlerë e madhe mbarë shqiptare, doni të impononi publikut reliefin e ardhshëm të vlerave duke e populluar para dhënie me emra të rëndësishëm për ju. Mu përgjigjën me korrektesë e natyrshmëri, shkëmbyem mendime përmirësimi dhe e kaluam si një çështje që mund të përpunohej nga të interesuarit në rrugë e sipër. Në dy vitet e para, për arsyet e përmendura nuk u bëra pjesë e asaj gare dorëshkrimesh. Sivjet, emrat e Bashkim Shehut dhe Ylljet Aliçkës në juri, të respektuar të dy si intelektualë e krijues me vlera të rangut të parë, më lanë të besoj se diçka do të ishte më mirë. Dhe ashtu shkoi, pati mjaft prurje, dolën disa finalistë e prej tyre, një kryefinalist, një fitues, pra. Personalisht e urova autorin e promovuar duke uruar njëherësh që vepra e tij e ardhëshme, teksti fitues të vlejë, ta përligjë vëmendjen e shoqërisë dhe investimin e institucionit që e mbështeti, e zbuloi, ia ofron lexuesit si vlerë e rëndësisë së parë.
    Disa që duan të bëhen lajm, pas leximit të shënimit tim informal çmenden prej vërteti, shpërthejnë prej vërteti, sulmojnë mua lidhur me faktin se, meqë nuk isha fituesi nuk më takon të diskutoj. Çdo pjesëmarrës vendos në atë garë çfarë ka të shenjtë e të dashur, krijimtarinë e tij. Dhe secili do të dijë, të verifikojë a ka vërtetë seriozitet, ndershmëri apo janë gara fasadë, duke thirrur çdo shqiptar pa dallim feje, krahine, gjinie e ideje për t’i dhënë rëndësi, shkëlqim provizor një fituesi të paramenduar, të paracaktuar?!
    Fiton apo jo asnjë gërmë nuk ndryshon në cilësinë e veprës tënde të radhës, çmimet e pamerituara të bëjnë të dyshimtë, qesharak, madje, të skualifikojnë në sytë e lexuesëve të kulturuar. Unë nuk kam çuar libra në konkurse dhe jam lexuar, vlerësuar, pranuar nga lexuesit që në fillimet e mia. Kur konkurset u bënë pa vullnetin e autorit duke marrë direkt hyrjet vjetore në Bibliotekën Kombëtare, nuk mund të vetpërjashtohesha me deklarata të një modestie bërtitëse, dhe, dy vjet më parë kam marrë tre çmime për një libër i cili kishte disa muaj në duart e lexuesëve.
    Në kohën kur nuk kishte kaq kureshtje televizive, radiofonike, elektronike për letërsinë në qindra orë biseda “specialistësh”, intervista somelierësh letrarë, kur nuk kishte përnatë udhërrëfyes letrarë për popullin e “paditur”, kuvendime e tryeza pa qoshe për problemet e ashtuquajtura të letërsisë sonë shqipe, njerëzit lexonin më shumë, krijuesit punonin më qetë, ishin më indiferëntë ndaj përmasave artificiale, mediatike të vetjeve të tyre. E unë, i kësaj mendësia jam, nuk mund të bëhet shkrimtari njeri shfaqesh televizive. Por, nga ana tjetër, kur kaq shumë ciceronë librash e “kulturologë”, sistemues vlerash e gjykatës publikë të hierarkive e fakteve historike – letrare, në mënyrë tendencioze, të përsëritur, të stërpërsëritur, përpiqen të keqpërdorin, të denigrojnë dhe si prani fizike në kohë e hapësirë punët e mia, atëherë, pa dashur të bëhem lajm portalesh, rjetesh, ju premtoj se do ta mbroj veten time prej tyre, pasi nuk më kushton aspak mund, aspak dhimbje, asnjë vështirësi në gjetjen e epiteteve e stigmave përkatëse.

    • Lek Mazrekaj at 7:11 pm

      Virion, ti vetë, me dorën tënde, pa të shtyrë njeri, pa të detyruar njeri, ke dorëzuar roman për Çmimin Kadare. Pasi ke dorëzuar, s’ke bërë zë. Je bërë finalist, s’ke bërë zë. Veç kur nuk e more çmimin shpërtheve në stilin portalesk, në mënyrë të paarsyeshme si ndonjë diletant ziliqar që i ka mbetur hatri sepse s’i kanë dhënë një sheqerkë. Dhe jo vetëm kaq, por shkove aq larg saqë gati-gati paragjykove se libri i fituesit do të jetë i dobët. E quan veten profesor letërsie, ndërkaq pa e lexuar një vepër, jep mendime koti. Ti flet për krijuesit e vërtetë që s’mund të jenë njerëz shfaqjes televizive, e unë mendoj që krijuesit e vërtetë nuk zhgërryhen e nuk polemizojnë kot kur nuk e marrin një çmim. Por ti e bëre. Shpërtheve. U inatose. U tregove shumë i vocërr me britma e ankesa koti. Herë tjetër mos dorëzo e mos shpërndaj libra nëpër konkurse si thasë patatesh.

    • mimoza ahmeti at 5:32 pm

      Mua Henri me tha ne telefon se shkrimi im per Kadarene ishte shume i bukur dhe se do e botonte duke u kudesur personalisht vete. I jam mirenjohese! Titulli qe i thjeshte: Letersia e gjelber- romani dhe Rahmani. Por Henri e vuri vete ne titull fjalen” Perendi” duke i dhene emfaze, bashke me fjalen “shperthen”.
      Henri punon shume dhe jeton midis shume kurseve, c’ka ia ben te veshtire detyren e mosprishqefjeve.
      Libri i tij Kunder-Reforma, me duket interesant. Mimoza Ahmeti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *