“Lulzim, Trumpi do të kishte kushtuar 4 minuta nëse do ishe fotomodele”

Postuar më: 19 June 2017 10:33

Gazetari i njohur, Mustafa Nano, në opinionin e radhës në gazetën Mapo, analizon atë e quan fushata e çuditshme e Lulzim Bashës, Edi Ramës dhe Ilir Metës. “Fushatat e shkuara kanë qenë të egra, të dhunshme e të zbrazëta prej ideve. Kjo e tanishmja ka ruajtur veç zbrazëtinë. Për të tjerat, është thjesht një spektakël banal,” shkruan Nano.

Për Ramën

Në gjithë këtë spektakël bie në sy Edi Rama. Ai po sillet shí sikur të kishte lindur për të qenë një animator turistik. Ndoshta e ka edhe ai vetë këtë ndjesi. Kur çohet në mëngjes e vesh tutat e atletet e fushatës, tok me bluzën e këmishën e bardhë (me që ra fjala, kështu vishen dhe animatorët turistikë), me siguri jeton me idenë se jashtë shtëpisë nuk e presin votues që duan përgjigje për shqetësimet e mëdha të tyret, por spektatorë që duan të vrasin kohën me qyfyre e gallatë. Të jep përshtypjen se gjatë ditës, sidomos gjatë kohës që e bartin me makinë nga një plazh (oh, kërkoj ndjesë: tubim) në tjetrin, mendon veç për batutat e radhës, të cilat i hedh ashtu shpenguar mes fjalëve kazan, tepsi, timon, tavë, byrek etj. etj. Dhe në fund, kur kthehet në shtëpi, si për t’i vënë një qershizë tortës së ditës elektorale, hap laptopin e futet në facebook. Ky është momenti që ai e shijon në mënyrë të veçantë. Bashkëbiseduesit i ka në largësi, anonimë, rëndom idiotë, sikur t’i kishte zgjedhur dikush me dorë në mënyrë që Rama vetë të shkëlqejë si kallaji mes bakëreve.

Për Bashën

Merrni Lulzim Bashën, për shembull. Ky ka guximin që askush në politikë nuk do ta kishte për të krijuar një fabul nga hiçi. Ju kujtohet? Ai foli si pa dashje, në një tubim elektoral, për një takim të tijin me Trumpin që do të ndodhte në ditët e ardhshme. Pas kësaj, mori rrugën i biri botës për në Amerikë. Prej andej na dërgoi një fotografi, ku duket ky e Trumpi. Dihet se si është marrë kjo fotografi, ashtu siç dihet se e gjithë kjo histori nuk është asgjë më shumë sesa kjo fotografi. Mirëpo Lulzim Basha nuk është se mjaftohet të dërgojë në Tiranë fotografinë, dhe të vihet të presë që ndonjë votues-peshk, i tipit të atyre miqve të Edi Ramës në facebook, ta hajë këtë karrem. Jo, ai porosit rrethin e gazetarët e tij në Tiranë që takimin fluturak me Presidentin Trump ta shesin si një ngjarje të madhe. Këta këshilltarë e gazetarë shtyhen edhe më tej. Lajmërojnë militantët të dalin në Rinas e ta presin Bashën pas kësaj vizite që veç vizitë nuk mund të quhet. Dhe Basha as kuqet, as zverdhet prej bujës së inskenuar. Përkundrazi, fillon e flet para tyre për “takimin e madh” që ka pasur me Trumpin. Dhe nuk ndalet këtu. Shkon dhe te “Zona e Lirë” që të flasë për faktin që ai ka vendosur kontakte të rëndësishme me shpurën e Trumpit, që ai është kanakari i vetëm i Washingtonit në Tiranë, e që ai i ka shpjeguar kreut të Shtëpisë së Bardhë programin e vet ekonomik gjatë takimit 4-minutësh që ai ka pasur me të!!!! Më vjen t’i them: Lulzim Basha, në këto momente të jetës së vet politike, Donad J. Trumpi do të të kishte kushtuar 4 minuta veç nëse ti do të kishe qenë ndonjë fotomodele që ai, për qejf të vet e siç e ka patur zakon, do të mund ta ndukte nga p…. Ndryshe, katër minuta nuk mund të t’i jepte. Të kuptohemi, në thelb asgjë nuk ndryshon edhe sikur të kesh folur katër minuta, apo më shumë sesa kaq. Por unë jam i sigurt se ti ke qëndruar me Trumpin aq sa i është dashur fotografit zyrtar të veprimtarisë, ku ke marrë pjesë në këmbim të një pagese, për ta shkrepur aparatin, d.m.th. e shumta 10 sekonda. Sikur të më japësh prova se ke qëndruar qoftë edhe një sekondë më tepër me Trumpin, unë të jap fjalën se do bëj deri në zgjedhjet e ardhshme, pa pagesë, artikuj pro teje në gazetën RD.

Për Metën

Vijmë tani te rasti i Ilir Metës. Më saktë, te zotimi që ai mori: “Unë do të armatos popullin…”!!!! Tani, secili mund ta kuptojë gjendjen e Metës. Dy të mëdhenjtë janë bërë bashkë me synimin për ta zhdukur LSI-në nga faqja e dheut. Pas marrëveshjes, Rama e Basha jo vetëm po bëjnë një fushatë të koordinuar kundër Metës, duke e paraqitur LSI-në si të keqen e madhe të vendit (deri para marrëveshjes, qoftë njëri, qoftë tjetri, çfarë nuk do jepnin që Meta të shpallte aleancën me ta), por edhe kanë filluar aksionin e spastrimit të administratës prej LSI-stëve. Dhe keqardhja nuk është se po largohen ca lsi-stë. Jo, puna është se kanë filluar të krijojnë që tani vendet bosh në administratë për demokratët. Shtojmë këtu edhe rastin e aktivistit të Lezhës, që nuk dihet se kush, e se pse, e ka dhunuar, por dihet që nuk është as i PS-së, as i PD-së; është i LSI-së. Shtojmë edhe thirrjen e Ramës në Kuçovë për të mobilizuar policët si agjentë elektoralë të tijtë (Të lë pa fjalë kjo thirrje. Të ketë qenë i dehur, vallë? Dhe nga PD-ja nuk pati asnjë reagim!!!). Shtojmë edhe ndonjë gjë tjetër, po të doni. Por asgjë nga këto, madje edhe shumë më tepër sesa kaq, nuk i jep asnjë kuptim apelit për t’u armatosur.

LEXONI ME POSHTE TEKSTIN E PLOTE

Fushata e çuditshme e Ramës, Bashës e Metës

1 koment për këtë artikull
  1. lexues at 3:12 pm

    Nuk ke dale dot nga stili i fushates propogandistike per te mobilizuar qelbesirat per marjen e pushtetit. Po ja mer per te madhe Bashes se paskej bere nje fotografi “koti” me presidentin Trump e rrekesh ta interpretosh me paragjykimet tende. Kur te paska zene ky meraku i fotografive, perse nuk permend edhe historite komike te fotografive te Rames ? Basha eshte shef i opozites e jo kryeminister e perse ben sikur e “haron” kete o Muc ? Ti kujton se meqe vesh corrape te kuqe e xhaketa te verdha, je me i zgjuari i Shqiperise e te tjeret qe nuk mendojne si ti, jane budallej. Por haron se edhe me naivi shqiptar do te thoshte duke lexuar keto marrezite tende, se ty, po ti afroheshe Shtepise se bardhe e jo me te takoheshe me presidentin, forcat e sigurise mund te te zinin e te fusnin ne burg si ndonje te dyshuar terrorist e jo me te te mernin per ndonje model. Goxha kryeminister dy metra te gjate e kemi Ramen, dhe akoma vazhdon hetimi per te nga drejtesia amerikane, se si beri qe me 80 mije dollare, u fut ne nje aktivitet elektoral te SHBA. Mendo se cfare mund te nodhte sikur te kishte qene ky Muci nga Skrapari po ta kishte bere kete marifet te Rames. Ti kujton se shqiptaret nuk e ditkerkan se ne 4 minuta sa eshte takuar Basha me Trump, nuk mund te ekspozonte programin e Republikes se re ? E dekalroi kjarte edhe Basha, per nivele Mucesh, se ai kete program e ka konsultuar me bashkepuntoret e afert te presidentit Trump, vec konsultave qe ka bere me eksperte te qeverise se kancelares Merkel. Sikur per asgje te mos kishte biseduar Basha me z Trump, e mjafton ti kishte dhene doren, si president i zgjedhur i SHBA, kjo duhet te te bente qe te kujtoheshe, se per kete president Rama shkoi ne SHBA per t’ju thene amerikaneve ne CNN qe te mos ta votonin, e kur erdhi ne samitin e NATO z.Trump, Rama po sillej rrotull qofte te shkembente me kot edhe nje pershendetje me te. Kur do ti ndash gjerat o Muc midis qelbesires e kauzes se drejte, midis komikes e seriozes ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *