Zaev, bisedime me shqiptarët për qeverinë e re

Postuar më: 18 May 2017 15:28

Zoran Zaev ka nisur pa humbur kohë bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës, pasi Presidenti Gjorgj Ivanov u bind më në fund t’i dorëzonte mandatin e krijimit të ekzekutivit.

Sipas liderit social-demokrat, bisedat me BDI-në, Besën dhe Aleancën për Shqiptarët synojnë përafrimin e qëndrimeve. Kreut të Besës, Bilall Kasami, ai i përsëriti se për një mazhorancë solide, do të ishte më mirë që në koalicion të merrnin pjesë të treja partitë shqiptare.

Formimi i shpejtë i qeverisë, sipas Zaevit, do t’i hapë rrugën edhe zgjidhjes sa më të shpejtë të çështjeve të mbetura pezull, siç është zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale. Lëvizja Besa takimin e vlerësoi si mjaft pozitiv, por deklaruan se akoma nuk është vendosur nëse kjo parti do të jetë ose jo pjesë e qeverisë së re.

Një ditë më parë, ndërkohë, qindra persona u mblodhën përpara ndërtesës së Kryeministrisë për të festuar atë që e cilësuan “rënia e Nikolla Gruevskit”. Mediat vendase thonë se tubuesit janë pjesë e të ashtëquajturit “Revolucioni i Larmë”, që vitin e kaluar protestonte në përkrahje të Prokurorisë Speciale.

Gjatë tubimit, ata përsërisnin sllogane si “Nikolla nuk ke si t’i ikësh Shutkës” dhe “Nikolla në burg”. Turma ishte mbledhur spontanisht pas thirrjeve për protestë në rrjetet sociale.

Marrjen e mandatit nga Ivanovi, kreu socialdemokrat e përshkroi si fillim të ri për Maqedoninë. Koncepti i së ardhmes së saj është ai i një shoqërie për të gjithë, u shpreh ai.

T’i lëmë mënjanë dallimet, izolimin, urrejtjen, politikat destruktive, të punojmë bashkarisht, sepse qeveria e re do të jetë qeveri e të gjithë qytetarëve. Ne po nisim të ndërtojmë shoqërine e shanseve të barabarta për të gjithë”,- deklaroi Zaev./TCh/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *