Rama duhet të guxojë, Basha duhet të guxojë edhe më shumë

Postuar më: 19 May 2017 09:26

Nga Ervis Iljazaj

Duke qenë se marrëveshja politike u arrit dhe janë duke u diskutuar detajet, mazhoranca nuk duhet të ngurojë t’i japë kohën e duhur opozitës për të siguruar implementimin e paketës së saj. Nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, e rëndësishme është që ajo datë duhet të sigurojë kohën e mjaftueshme për të gjitha kushtet e mundura dhe të nevojshme si dhe të mundësojë mbledhjen e Parlamentit në datë 9 Shtator. Në këtë kuptim, Rama duhet të guxojë dhe të tolerojë opozitën në këtë aspekt. Merita e tij më e madhe në këtë histori është rezistenca që bëri për të mbajtur sistemin me mosdorëheqjen e tij, e cila do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Gjithashtu, meritë të veçantë pati Rama në arritjen e aprovimit të Reformës në Drejtësi sepse gjatë gjithë kësaj kohe nuk rreshti asnjëherë duke e përmendur si një nga objektivat e tij dhe të partisë që drejton për ta përfunduar atë ashtu siç ishte marrëveshja me ndërkombëtarët, që kur u bënë ndryshimet kushtetuese

Nga ana tjetër, lideri i opozitës me meritën që pati për kauzën e zgjedhjeve të lira edhe pse e kërkonte me mjete totalisht të gabuara, duhet ta marrë atë dhe të vazhdojë në rrugën e tij për të drejtuar opozitën drejt garës elektorale. Por, nëse vazhdon ende me dyshimet dhe luhatjet e vendimmarrjes që i vijnë herë pas herë nga politika e shkuar do të ishte një gabim fatal për të. Basha duhet shkëputet njëherë e mirë nga ajo mendësi dhe të vazhdojë me kurajë luftën e tij opozitare.

Ndonjëherë krizat e mëdha politike shërbejnë edhe si një mundësi e mirë për të patur arritje në drejtim të përmirësimit të sistemit politik që në kushte normale nuk do të ndodhnin. Kështu që, tani palët politike këtë marrëveshje le ta përdorin për të bërë ndryshime që duhen në të gjitha aspektet e përmirësimit të rendit demokratik. Për të gjitha të tjerat dhe luftën e tyre politike do të vendosë sovrani në datën e zgjedhjeve. Le t’i kthehemi një kursi normal të garës duke iu drejtuar popullit që është i vetëm gjykatës që zgjidh çdo mosmarrëveshje politike.

Tanimë që marrëveshja politike siç deklaruan lideri i opozitës dhe i mazhorancës mbas negociatave politike para se të skadonte afati amerikan u arrit, ajo duhet te shërbejë si një marrëveshje për te realizuar ecurinë e një sistemi politik normal.

Sigurisht, që nuk mund të ndodhte ndryshe. Palët ishin të detyruara të pranonin atë paketë duke qenë se ishte një propozim pothuajse i detyrueshëm për ta nga ana e aleatëve tanë amerikanë. Cilado palë që do të refuzonte atë paketë do të kishte një kosto jo të vogël në raport me ta, por edhe në raport me opinionin publik. Në këtë kuptim nuk kishte asnjë rrugëdalje për politikën tonë. Ndoshta, tani do të fillojnë diskutimet se cila nga palët doli e fituar siç ndodh zakonisht për të kapitalizuar aksionet politike në këto raste.

Në fakt, nga kjo marrëveshje e mundshme fiton vetëm Shqipëria. Palët politike kanë kryer thjesht detyrat e tyre të shtëpisë që i takon secilit.

Ka disa zëra publikë që e kanë mbështetur Bashën në rrugën absurde të “Republikës së re”, që parashikonte dorëheqjen e kryeministrit apo rrëzimin e gjithë sistemit institucional të vendit, që e shohin këtë marrëveshje si një tradhti ndaj kauzës së tij.

Lulzim Basha duhet të guxojë dhe ndaj tyre. Të marrë meritat që i takojnë në të gjithë këtë betejë për votën e lirë dhe tanimë të bindë shqiptarët që ta votojnë. Kjo është e vetmja rrugë që logjika normale politike njeh. Të gjitha të tjerat janë thjesht halucinacione politike të rrezikshme për fatin e partisë së tij dhe vetë Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *