PDIU: Përshëndesim marrëveshjen PS-PD por nuk garantohet barazia e votës

Postuar më: 19 May 2017 20:35

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka vlerësuar arritjen e marrëveshjes Rama-Basha që i hap rrugën zgjidhjes së krizës, edhe pse sipas kësaj force ndalimi i koalicioneve nuk e bën votën të barabartë.

“Heqja e mundësive për koalicione me marrëveshje të dy partive, mundësi që është sanksionuar në Kodin Zgjedhor si e drejtë e të gjitha partive politike, jep mundësitë për të garuar të vetme. Mirëpo, kjo mundësi nuk shoqërohet nga një sistem propocional kombëtar, që do të bënte të barabartë votën për çdo shqiptar e për çdo parti politike”, thuhet në deklaratën e PDIU.

Deklarata:

“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet marrëveshjen mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, që i mundëson shqiptarëve të votojnë më 25 qershor dhe të kenë mundësi të zgjedhin me votë të gjithë spektrin e partive politike. PDIU i është mirënjohëse mbështetjes e përpjekjeve të panumërta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizës së radhës.

PDIU ka bërë çdo përpjekje për të kontribuuar në zgjidhjen e krizës, duke propozuar Paktin Kombëtar, tryezën e partive parlamentare te Presidenti dhe çdo tryezë tjetër. Ne kemi mbështetur çdo propozim, qoftë paketën “McAlister”, qoftë “McAlister+” që kishte mbështetjen e zëvendësndihmësekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee.

Duke vlerësuar marrëveshjen PD-PS, “Big Mac”, do të vlerësonim e mbetet për t’u parë që zgjedhjet e 25 qershorit të kenë standarde më të mëdha në transparencë më të madhe për financimin e partive politike, pjesëmarrjen e partive politike në procesin e administrimit të zgjedhjeve, numërimit sipas Kodit Zgjedhor, meqënëse votimi e numërimi elektronik nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Heqja e mundësive për koalicione me marrëveshje të dy partive, mundësi që është sanksionuar në Kodin Zgjedhor si e drejtë e të gjitha partive politike, jep mundësitë për të garuar të vetme. Mirëpo, kjo mundësi nuk shoqërohet nga një sistem propocional kombëtar, që do të bënte të barabartë votën për çdo shqiptar e për çdo parti politike.

PDIU fton të gjithë shqiptarët të marrin pjesë masivisht në votime e me votën e tyre të vendosin kush do t’i qeverisë në katër vitet e ardhshme dhe të garantojnë pluralizmin politik në Shqipëri, në mënyrë që të ndahemi njëherë e mirë nga tranzicioni i tejzgjatur 27 vjeçar.

PDIU është e vendosur për të hyrë në zgjedhje me bindjen që kauzat e saj janë të cilitdo shqiptari që mendon si ne: Kemi Veç Një Atdhe!”- thuhet ne deklaraten e PDIU.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *