Pakti për zgjedhjet: Çfarë fituan Rama dhe Basha

Postuar më: 19 May 2017 10:12

Zbardhet marrëveshja mes kryeministrit dhe kreut të opozitës/ Zgjedhjet më 25 qershor, por PD merr zv.kryeministrin, 6 ministra teknikë dhe katër drejtori që sigurojnë mospërdorjen e administratës në fushatë elektorale. Reformë kushtetuese dhe zgjedhore në fillim të legjislaturës së re. Palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës. Vettingu votohet në seancën e jashtëzakonshme së bashku me ministrat dhe Kodin Penal

Nga Nevila Perndoj

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, vendosën të shtyjnë zgjedhjet edhe për një javë. Ato do të mbahen më 25 qershor pas dekretit që pritet të firmosë presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Ajo që u ra dakord dje nuk i përngjante paketës “McAllister”, duke shkuar tej saj.

Rama nuk hoqi dorë nga synimi i tij për zgjedhje brenda qershorit, ndërsa ka lëshuar gjysmën më të rëndësishme të kabinetit qeveritar për PD-në, me kusht që emrat e propozuar të jenë teknikë. Partia Demokratike nuk mori qeverinë teknike, as largimin e Ramës nga posti i kryeministrit, por do të futet në fushatë zgjedhore e përfaqësuar me një zv.kryeministër teknik, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Financave, si dhe ministrinë që drejtohej nga LSI-ja, Drejtësinë. Partia Demokratike do të marrë edhe katër drejtori të rëndësishme; drejtorinë e OSHEE-së, ALUIZNI-n, hipotekat, drejtorinë e burgjeve dhe Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural.

Regjistrimi i listave shumemërore të partive politike të opozitës do të bëhet brenda datës 26 Maj, ndërsa nuk kanë krijuar enkas mundësitë ligjore për riformatim të koalicioneve. Që do të thotë se të gjitha partitë, të majta apo të djathta qofshin do të dalin vetëm në zgjedhje.

Partia Demokratike ka këmbëngulur se vjeshta do të ishte periudha më e përshtatshme për mundësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Shtyrja me 7 ditë e datës së zgjedhjeve, nuk lë shumë terren apo edhe kohë në këtë drejtim, megjithatë asaj i është ofruar dhënia e aksesit në informacionin e mbledhur nga projekti i Adresave dhe çështje të tjera të lidhura me zgjedhësit, mbështetje e KQZ-së për përgatitjen e materialeve zgjedhore, plotësimin e komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit, pezullimin e çdo iniciative për kontrata të përkohshme në nivel qendror dhe vendor, si dhe mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit të listës së zgjedhësve.

Në të njëjtën datë, pra më 25 qershor do të mbahen edhe zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Kavajës.

Sa për reformën zgjedhore aq të kërkuar nga PD-ja ajo do të marrë start me fillimin e legjislaturës së re. Edhe kërkesa tjetër e PD-së për futjen e teknologjisë elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit do të mundësohet për zgjedhjet pasuese. Në marrëveshjen e djeshme është rënë dakord edhe për një reformë kushtetuese që do të jetësohet me fillimin e legjislaturës së re.

Në këtë legjislaturë të mbyllur tashmë, marrëveshja Rama-Basha ka të sanksionuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të votohen në të njëjtën seancë organet e vettingut, votimi i dekreteve për anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave, ndryshimin e Kodit Penal për kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni, forcimin e kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.

Partia Demokratike do të propozojë gjithashtu kryetarin e ri të KQZ-së dhe Avokatin e Popullit. Pas arritjes së marrëveshjes si Rama ashtu edhe Basha mblodhën kryesinë e grupin parlamentar. Në të njëjtën orë ata shpërndanë edhe deklaratën zyrtare ku njoftonin me hollësi marrëveshjen që kishin arritur.

Kryeministri Rama në mitingun përpara Piramidës tha pasdite se fituan të gjithë shqiptarët, socialistë dhe demokratë, ndërsa në 25 qershor do të fitojë PS-ja.

“…Unë kam marrë shumë mesazhe sot. Besoj që një gjë duhet ta kemi sot shumë të qartë. Në 25 qershor do fitojë PS-ja, por sot ka fituar e gjithë Shqipëria. Në 25 qershor fitimtarët do jenë ata që do votojnë PS-në, por sot kanë fituar socialistët dhe demokratët…”, -tha Rama.

Për fitore foli edhe Lulzim Basha.

“…Kjo lëvizje, nisi për t’i kthyer pushtetin qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve shqiptarë do t’ua kthejmë. Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme u kurorëzua sot, jo në rrëzimin e qeverisë, por gjysmës së saj. Me garanci, të cilat duhet të zbatohen nga fillimi deri në fund, por beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk përfundon këtu. Kjo është vetëm nxemja, ndeshja fillon pas një jave dhe ne marshojmë drejt fitores…”, -tha Basha nga çadra.

 

 

 

Cilët janë ministrat që ikin pas marrëveshjes Rama-Basha

Zv.kryeministri Niko Peleshi

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj

Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *