Marrëveshja eliminon të vegjlit, ja sa deputetë marrin PS, PD e LSI

Postuar më: 19 May 2017 13:02

Në bazë të rezultateve të 2013-s dhe me situatën aktuale ku secila parti konkurron më vete, PS arrin të marrë 71 deri në 72 deputetë, PD merr 51 deri në 53, LSI 14 deri në 15, PDIU 1 dhe PAA 1

Marrëveshja e arritur dje mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha për t’i dhënë fund krizës politike që kishte mbërthyer vendin prej tre muajsh, mund të konsiderohet edhe si një marrëveshje kundër partive të vogla. Dakordësimi për të mos lejuar më regjistrimin e koalicioneve zgjedhore por vetëm krijimi i mundësisë për partitë opozitare që të regjistrohen si subjekte më vete në zgjedhjet e ardhshme, ka krijuar një situatë jo të favorshme për të gjitha partitë e vogla, të cilat thuajse asgjësohen, ndërsa ka krijuar një situatë të favorshme të paktën për dy forcat kryesore PS dhe PD, ndërsa i krijon LSI-së një terren për të ruajtur stabilitetin e saj ndoshta me vetëm pak tkurrje. Kështu, duke bërë projeksionin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në situatën kur të gjitha partitë futen në zgjedhje më vete, pra pa koalicione dhe duke marrë për bazë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, të vetmet parti që do siguronin nga një mandat nga partitë e vogla janë PDIU dhe PR. Ndërkohë që LSI do të merrte 14 deri në 15 mandate, duke konfirmuar kështu se mbetet një forcë e tretë me një peshë të konsiderueshme në politikën shqiptare. Ndërkohë që dalja më vete e të gjitha forcave politike do të favorizonte ndjeshëm Partinë Socialiste, e cila në rast se do të kishim të njëjtën panoramë votash për të gjitha subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje do të arrinte numrin magjik të 71 mandateve të mjaftueshme për të qeverisur edhe e vetme. PS në bazë të këtyre rezultateve arrin të marrë 71 deri në 72 mandate. Ndërkohë që PD nga ana e saj do të merrte diferencën që mbetej, pra 51 deri në 53 mandate. Situata do të ndryshonte në rast se partitë aleate të PD-së nuk do kandidonin me siglat e tyre duke u bërë pjesë e listës së demokratëve.

Berat dhe Dibër

Në Qarkun e Beratit rezultati nuk ndryshon në raport me atë të 2013, pavarësisht se të gjitha forcat do të konkurrojnë në këto zgjedhje më vete. Kështu në rast se ato do të arrijnë të ruajnë të njëjtin numër votash si 4 vite më parë do të merrnin sërish, PS 4 mandate, LSI 2 dhe PD 1. Në Berat PD i duhen afro 2500 vota të tjera për të marrë mandatin e dytë. Në këtë rast, ajo që do të humbiste është PS e cila merr vetëm 3 deputetë. Edhe Qarku i Dibrës nuk sjell ndryshime, pasi PD do të merrte sërish 3 mandate, PS do merrte 2 dhe LSI 1.

Durrës dhe Elbasan

Qarku i Durrësit sjell një pamje interesante, pasi barazon me deputetë dy forcat kryesore, PS dhe PD të cilat do të merrnin nga 6 mandate, ndërkohë që LSI do të merrte 1 deputet. Në bazë të të dhënave të 2013, 1 mandat duhet ta marrë edhe PR, e cila në zgjedhjet e 2013 kandidoi në këtë qark Agron Dukën. Nisur nga fakti se Duka ka tashmë një forcë të vetën politike ky mandat mund t’i kalojë PAA-së. Në Qarkun e Durrësit Partisë Socialiste i duhen 654 vota të tjera për të marrë mandatin e 7-të. Në këtë rast mandatin do e humbasë PD, e cila në këtë qark do marrë vetëm 5 mandate. Ndërkohë që vlen të theksohet se edhe në këtë zonë LSI nuk e diskuton mandatin e saj. Në Qarkun e Elbasanit duke iu referuar sërish rezultateve të 2013, PS do të merrte 8 mandate, PD merr 4 dhe LSI merr 1 mandat. Në këtë qark mandate arrin të marrë edhe PDIU. PD arrin të marrë mandatin e 5-të në këtë qark, vetëm nëse do ketë një rritje me afro 2 mijë vota.

Fieri dhe Gjirokastra

Në Qarkun e Fierit në bazë të votave të 2013-s dhe në kushtet kur nuk do ketë koalicione PS arrin të marrë e vetme plot 9 deputetë, PD 5 dhe LSI 2. Në këtë Qark gara bëhet interesante pasi me vetëm 240 vota PDIU mund të marrë një mandat deputeti. Kjo do të sillte për pasojë që këtë mandat ta humbiste PD, e cila nga 5 do të shkonte në 4 mandate. Ndërkohë që në rast se LSI do të ketë një rënie të votave me afro 2 mijë vota do të humbiste 1 prej mandateve të saj. Ky mandat do t’i kalonte PDIU-së pavarësisht nëse kjo e fundit do të kishte rritje votash apo jo. Nga ana tjetër, PS me rezultatet e 2013-s pavarësisht se nuk garon në koalicion do t’i ketë të sigurt 9 mandate, çka do ta bënte Gramoz Ruçin sërish deputet, pavarësisht faktit se ai preferoi të renditej i nënti në listën shumemërore të këtij qarku. Në Qarkun e Gjirokastrës PS do arrijë të marrë 3 deputetë dhe PD dhe LSI nga 1 mandat. Në këtë qark situata është më e qartë se në çdo zonë tjetër zgjedhore. Kjo pasi këto raporte mandatesh është shumë e vështirë të ndryshojnë. PS do duhej të humbiste afro 4 mijë vota në raport me 2013 që të humbiste mandatin e 3-të. Ndërkohë që LSI edhe në këtë qark rezulton që mandatin e vet ta ketë të sigurt.

Korça dhe Kukësi

Në zonën zgjedhore të Korçës rezultati ndryshon në raport me 2013 vetëm sa i përket ndikimit që ka sjellë ndryshimi i hartës elektorale. Pra PD për shkak të pakësimit të numrit të mandateve si qark do të marrë 1 mandat deputeti më pak në raport me 2013, duke shkuar nga 5 në 4 mandate, ndërsa PS do të marrë 6 mandate. Ndërkohë që LSI e ka të sigurt edhe në këtë qark mandatin e vet. Për të ndryshuar ky raport mandatesh duhet të ketë ndryshime votash që shkojnë në mbi 3 mijë për secilën forcë. Sa i përket situatës në qarkun e Kukësit rezultati nuk pritet të sjellë surpriza veç ndryshimeve që ka sjellë ndryshimi i hartës elektorale. Kështu PD do marrë 2 mandate dhe PS 1.

Lezha dhe Shkodra

Në Qarkun e Lezhës PD dhe PS duke iu referuar rezultateve të 2013 marrin sërish nga 3 mandate, ndërsa LSI merr edhe ajo 1 mandat. Edhe në këtë qark rezultati do jetë shumë i vështirë për t’u ndryshuar. Kjo për vetë faktin se PD do duhet të marrë edhe afro 4 mijë vota më shumë se në 2013 që të marrë mandatin e pestë. LSI duhet të humbasë gati 1 mijë vota në krahasim me 2013 që të rrezikojë mandatin e saj në këtë qark. Në zonën zgjedhore të Shkodrës ajo që humbet në raport me 2013 është PS, kjo për vetë faktin se mosdalja në një koalicion bën që PD nga 5 mandate që mori në 2013 të marrë tani 6 mandate. Këtë mandat e humbet PKD e cila në zgjedhjet e shkuara kandidoi në një koalicion me PS-në. Por rezultati në këtë zonë zgjedhore mund të ndryshojë lehtë në favor të PS-së. Socialistëve do t’u duhen që si forcë të marrin edhe 200 vota më shumë se në 2013. Në këtë rast mandatin ajo do ia merrte PD-së.

Tirana dhe Vlora

Në bazë të rezultateve të 2013 dhe në situatën që ka krijuar marrëveshja e djeshme PS-PD, Qarku i Tiranës do të sillte një rezultat pozitiv për socialistët. Ata nga 16 mandate që arritën të marrin në 2013 në situatën aktuale me të njëjtat vota do të merrnin 18 mandate. Ndërkohë PD do të siguronte mandatet që mori si koalicion në 2013, pra 13. LSI do arrinte të merrte sërish 3 deputetë. Partia Republikane në bazë të rezultateve të 2013 nuk arrin të marrë dot asnjë mandat. Asaj do t’i duheshin 550 vota më shumë. Ndërkohë që FRD që të marrë një mandat do të duhet të marrë 1100 vota më shumë se 4 vite më parë, ndërsa PDIU-së i duhen afro 2 mijë vota. Në të gjitha këto raste mandatin do e humbiste PS. Në Vlorë PS do të siguronte 8 mandate, PD 3 dhe LSI 1 mandat. Pra siç shihet Rama do të zgjidhej sërish deputet, pavarësisht se është renditur i shtati në listën shumemërore të këtij qarku.

 

 

Tabelë

Mandatet sipas votave të 2013-s

Qarku Vlorë

PS: 8

PD: 3

LSI: 1

Në total

PS: 72 mandate

PD: 51 mandate

LSI: 15 mandate

PDIU: 1 mandat

PR: 1 mandat

Qarku Berat

PS: 4

LSI: 2

PD: 1

Qarku Dibër

PD: 3

PS: 2

LSI: 1

Qarku Durrës

PS: 6

PD: 6

LSI: 1

PR: 1

Qarku Elbasan

PS: 8

PD: 4

LSI: 1

PDIU: 1

Qarku Fier

PS: 9

PD: 5

LSI: 2

Qarku Gjirokastër

PS: 3

PD: 1

LSI: 1

Qarku Korçë

PS: 6

PD: 4

LSI: 1

Qarku Kukës

PS: 1

PD: 2

Qarku Lezhë

PD: 3

PS: 3

LSI: 1

Qarku Shkodër

PD: 6

PS: 4

LSI: 1

Qarku Tiranë

PS: 18

PD: 13

LSI: 3

Qarku Vlorë

PS: 8

PD: 3

LSI: 1

Në total

PS: 71 -72 mandate

PD: 51-53 mandate

LSI: 14-15 mandate

PDIU: 1 mandat

PR: 1 mandat

2 komente për këtë artikull
  1. esat at 1:04 pm

    keto jane kalkulimet me votat e vjedhura por situata eshte ndryshe partia demokratike eshte fituese e ketyre zgjedhjeve per aresye se nuk dote kete kete me vota te blera dhe te vjedhura dhe qeveria Rama eshte ne piken kritike ku asnje nga premtimet nuk eshte mbajtur shendetsia falas dhe hapja e 300 mije vendeve te punes kanabizimi i vendit dhe varferia e popullit ne menyre ekstreme .Pd vjen me nje bilanc pozitiv ka fituar luften kunder dekriminalizimit dhe luften kunder trafikut te droges ku e gjithe europa dhe Amerika u sensibilizua per kete ceshtje prodrami i pd eshte i qarte per taksa te ulta ku ps ka deshtuar me taksat e saj duke larguar shume biznese nga vendi ndersa lsi eshte ne piken me te dobet te saj ku mund te mare vetem 3 ose 4 debutete dhe mind te zvogelohet ne mmenyre te ndjeshme deri ne azgjesimin e saj .aresyeja eshte se eshte parti qe rrin gjithmone pas pushtetit dhe parase

  2. cekja at 8:20 am

    Nuk e di se ne cfare baza behen keto llogari fituesish te mandateve ne keto zgjedhje nga me te cuditeshmet ne Shqiperi, por e dukeshme eshte se llogarite nuk behen mbi kauzat politike ne dobi te qytetareve, por te lidereve partiake. Normalisht ne nje fushate elektorale ne nje shtet demokratik te mirfillte, behet bilanci i qeverisjes aktuale krahasuar me qeverisjen e mepareshme e krahasuar me premtimet elektorale qe pat bere kjo qeveri per te ardhur ne pushtet. Si asnjehere ne historine e zgjedhjeve ne Shqiperi, qeveria u detyrua te pranoje deshtimin e saj duke lene qofte edhe gjysmen e pushtetit nje muaj para zgjedhjeve, e ne vend te komentohet ky fakt, behen akoma hesape bazuar tek vota e dyshimte. Si rezultat i keqqeverisjes, kjo mazhorance me pese ministra te shkarkuar me pare e me 7 ministra te shkarkuar nje muaj para zgjedhjeve, pra plot 12 ministra, mund te thuhet se ka rene plotesisht. Ndonese me keto shkarkime eshte pranuar me se paku paaftesia e kesaj qeverisje, pretendohet nga kjo mazhorance se do ti shtoje edhe me shume deputetet ?????
    Partia socialiste franceze si rezultat i keqqeverisjes se z.Hollande, kaloi ne kuotat minimale te historise se saj tek elektorati i ketij vendi. Vete z.Hollande, as qe e mori “mundimin” te rikandidoje per president, por u gjet nje Makron qe te beje “rilindjen” e Europes e jo te Frances e me kete e “dermoi” Le Pen. Nese do te analizohej politika shqiptare, eshte Basha Makroni i Shqiperise, qe doli me projektin e “Republikes se re” dhe e vuri poshte Hollandin e Shqiperise, Edi Ramen. Nuk ka ne Shqiperi nje te djathte ekstreme nacionaliste te fuqishme si ajo e Le Pen ne France me te cilen mund te matet e djathta dhe e majta e moderuar. E majta “e mdoeruar” me kryetar te grupit parlamentar te nje ish ministri te mbrendshem te diktatures komuniste, deshtoi me shperthimin e korrupsionit e deri kriminalitetit ne perberjen e saj qeverisese. Cilat do te ishin motivet qe e paskan shtuar elektoratin shqiptar pro kesaj mazhorance te diskretituar e nga 64 mandate te fituara ne 2013-ten me premtime te pa mbajtura, do te tejkalokerka me numurin e nevojshem per te qeverisur perseri ajo me me shume deputete ? Pra ne nje fare menyre pranohet se elektorati shqiptar eshte korruptuar akoma me shume, aq sa te jete i gatshem te shese votat e tij. Kjo eshte tablloja sinoptike politike qe japin mediat shqiptare, e ngjashme me propoganden e dikureshme se bar do te hame e armikut te mbrendshem e te jashtem nuk do ti dorezohemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *