LSI: Nuk dalim nga qeveria, do dalim forcë e parë

Postuar më: 19 May 2017 11:58

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha sot se marrëveshja Rama-Basha nuk e demonton në asnjë aspekt LSI-në dhe se kjo parti do të dalë forcë e parë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Vasili foli në një konferencë për shtyp nga selia e partisë vetëm një ditë pas publikimit të detajeve të marrëveshjes Rama-Basha për zgjidhjen e  krizës politike në vend dhe pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

Ditën e djeshme ish-kryetari i LSI-së dhe presidenti i zgjedhur Ilir Meta tha se detajet e marrëveshjes i kishte mësuar nga media.

“Sigurisht ne na vjen keq që u është mohuar e drejta e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes në koalicione disa partive, që përbën një problem realisht lidhur me demokracinë e përfaqësimit dhe zgjedhjes. LSI qartësisht nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë gjë dhe megjithëse kjo nuk e cenon absolutisht LSI-në, në asnjë pikëpamje dhe në asnjë koncept, ajo ka mbështetur krijimin e hapësirave sa më të plota sa më të gjera të përfaqësimit në zgjedhje… por kjo për fat të keq nuk ndodhi”.

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të largohet nga qeveria pas marrëveshjes së arritur mes dy partive të mëdha, PS-PD. Kryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili tha se me këtë marrëveshje u shmang katastrofa që do të shkaktohej nëse shkohej në zgjedhje pa PD-në, ndërsa theksoi se do të jetë LSI-ja ajo që do të dalë forcë e parë politike në zgjedhjet e 25 qershorit.

“LSI bëri gjithçka që kjo krizë të zgjidhej dhe të shmangej katastrofa që do shkaktohej nëse vendi do hyntë në zgjedhje pa opozitën. Pavarësisht zgjatjes artificiale është e rëndësishme që do të kemi zgjedhje gjithëpërfshirëse. Do të kemi zgjedhje më 25 qershor dhe tashmë vendimi është tërësisht në dorë të qytetarëve. Ata do të vlerësojnë kontributin e çdo force politike. Me hyrjen e PD-së do të kemi garë gjithëpërfshirëse dhe LSI ka punuar fortë për këtë. Sot do të kemi një garë të barabartë mes tre forcave politike. LSI beson se do të jetë forcë e parë politike pasi është konstruktive dhe gjithëpërfshirëse”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *