Kukësi-Skënderbeu, ja statistikat e finales

Postuar më: 18 May 2017 11:10

16 ndeshje me një bilanc që favorizon Kukësin. Verilindorët janë ndeshur plot 16 herë me korçarët që prej vitit 2012 kur ata u ngjitën në Kategorinë Superiore dhe çuditërisht kanë një bilanc më pozitiv se 7 herë kampionët e vendit.

Një klasike e viteve të fundit që ka prodhuar përherë spektakël, gola dhe polemika por ka qenë Skënderbeu që ka buzëqeshur në fund të çdo sezoni, pavarësisht vendosmërisë së treguar nga skuadra verilindore për t’i prishur planet.

Në 1 dhjetor 2012 dueli i parë u luajt në Korçë ku vendasit triumfuan 2-0, por Kukësi ua ktheu reston pak muaj më pas me atë fitore 4-3.

Sezoni pasardhës prodhoi shumë gola, por asnjë fitore për korçarët që barazuan dy sfida dhe humbën një tjetër me rezultatin 1-3 në shtëpi.

Sezoni 2014-2015 e ndryshoi situatën me bardhekuqtë që dominuan në përballjen e parë dhe humbën në të dytën por barazuan një tjetër sfidë dhe fituan 90 minutëshin e fundit të luajtur në Kukës me rezultatin 1-0.

Balancë e plotë edhe sezonin e shkuar ku skuadrat respektuan parashikimet dhe arritën të fitonin në stadiumet e tyre, ndërsa gjatë sezonit aktual, skuadra korçare nuk e ka provuar ende shijen e fitores ndaj ekipit të Gjokës.

13 muaj, kaq ka Skënderbeu që nuk arrin të marrë 3 pikë ndaj Kukësit që në duelet midis tyre në qytetin verilindor ka dominuar me 5 fitore, 1 humbje dhe një barazim.

Statistika që tregojnë qartë se Kukësi luan me një lojtar më shumë në “Zeqir Ymeri”.

Kështjella e skuadrës verilindore është marrë nga Skënderbeu për herë të fundit në 26 prill të vitit 2014 dhe që prej asaj kohe Kukësi ka arritur të dalë përherë me pikë si pritës përballë bardhekuqve.

41 gola të shënuar në betejat e kampionatit mes dy skuadrave ku Kukësi kryeson me 21 gola përkundrejt 20 të Skënderbeut. Statistika që nuk japin pothuajse asnjë pikë referimi, por ajo që flet qartë është historia e 4 sezoneve të fundit ku pavarësisht rezultateve në duelet direkte mes dy skuadrave, Skënderbeu ka arritur gjithmonë të shpallet kampion.

A do të arrijë Kukësi ta thyejë edhe këtë tabu? Kjo do të vërtetohet ndoshta në fund të sfidës së parafundit sezonale që konsiderohet edhe si dueli nga ku skuadra fituese do të arrijë të shtrijë duart drejt titullit kampion./SuperSport

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *