Kapexhiu: Politika na ka vënë kapistrën, po na shkakton stres

Postuar më: 18 May 2017 09:00

Bujar Kapexhiu, nga komedia në film, te komedia në teatër; çfarë e shtyu të shkruante një tekst pothuaj politik, ku individi shqiptar është viktimë e sistemit të ndërtuar nga politika. I kursyer në humorin e punës së tij, në këtë intervistë, i shqetësuar për politikën e ditës, për njerëzit dhe jetën e përditshme, si po ndikojnë e ndërhyjnë në psikozën tonë

Bujar, je një njeri mjaft aktiv, jo vetëm në qendër, në Tiranë, por edhe nëpër vende që ndoshta të krijojnë nostalgji, me ndërtimin e shfaqjes “General dhe Playboy”, si nisi ky projekt?

Pjesa që shkruajta doja që të vihej në Teatrin Kombëtar, e kisha dërguar në procesin e leximit. Por rastësisht takova një grua e cila me tha se donte të investonte në teatër. Ajo ishte biznesmene, quhej Gentiana Yllidisoglu, që më inkurajoi dhe kështu filloi ky projekt, duke kaluar një turne impresionues në disa qytete të Shqipërisë, një projekt që pres ta kurorëzoj edhe në film. Kështu një telefonatë dhe një bisedë vendosi fatin e kësaj komedie, realizimin e saj në skenë. Dua ta them qysh në fillim se ky është një shembull, model i mirë që edhe biznesmenë të tjerë të investojnë në mbështetje të artit dhe kulturës. Por, për t’ju kthyer veprës, si u kristalizua, ju them se prej kohësh kisha dëshirën për të shkruar një tekst me humor, kur më në fund erdhi një kohë, që kisha një motiv që m’u duk mjaft interesant, ishte “General dhe PlayBoy”. Në fakt, fillimisht e pata menduar për skenar filmi. Gjatë punës, duke e ndërtuar për skenar filmi, arrita në momentin që e shikoja se ishte e vështirë ta realizoja në film duke menduar financimet, bashkëpunimet etj. Atëherë thashë se më komode është ta kthesh në teatër këtë subjekt.

E ndërtova subjektin dhe të them të drejtën e mbaj mend momentin si kam menduar gjatë gjithë kohës për këtë, por në të vërtetë më kujtohet mirë: kam punuar nga ora 10 e darkës deri në katër të mëngjes, e kam përfunduar gjithë veprën.

Më pas gjatë kohës e kam përpunuar dhe kam bërë një punë si të thuash me limë. Në një moment të caktuar për ta realizuar një teatër a film janë financimet, kjo është gjëja më e vështirë për ta arritur këtu në Shqipëri . Megjithatë dashamirësia e Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Kulturës, si dhe disa miq të mi si SIGAL, Dental Turk etj., më përmbushën buxhetin për ta bërë realitet këtë skenar, për ta vënë në skenë, në teatër.

Ajo që të bën përshtypje ishte natyralizmi, a një farë realizmi brenda, në fakt çfarë të ka ngacmuar për të shkruar këtë pjesë? Bëni humor sepse pret një batutë nga ju, por ky rast nuk ishte aq humor, sa për t’u argëtuar?

Mua më ngacmojnë sot motivet në jetë; jeta në familje, shoqëri, në punë, në marrëdhëniet në administratë, marrëdhënie të ndryshme kur mbi to është padrejtësia, nepotizmi, mediokriteti – të gjitha këto më bëjnë të ndjeshëm, sa nuk mund të rrija më, pa i goditur – për t’i dhënë një mesazh spektatorit se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin nëse ne pretendojmë të ecim përpara, të kemi prosperitet. Në këtë drejtim vepra është krejtësisht reale, e marrë nga jeta jonë se si për shembull hiqet një gjeneral apo një ushtarak pushohet nga puna me një lehtësi fare të madhe duke harruar investimin e tij, se edhe vetë shteti  ka harxhuar për atë njeri…

Keni pasur parasysh ndonjë gjeneral, rast konkret…?

Ka disa raste konkrete në këtë drejtim, e shndërruar në fenomen tashmë që sa vjen një parti hiqet një nga puna e vihet një tjetër. Ndërsa ne, për ironi, themi se ushtria është e depolitizuar!!! Në ushtri nuk duhet të ndodhin këto. Një drejtues vjen se është një mik i ministrit dhe ikën pas tij.

E njëjta gjë ndodh edhe në teatër, për njerëzit e artit meqë janë të depolitizuar?!!! Pse u morët me ushtrinë e nuk shkruajtët për një regjisor apo dramaturg që vjen e ikën pas partisë…meqë jeni njeri i artit dhe e njihni më mirë këtë anë?

Edhe kjo është e vërtetë. Kjo ndodh në gjithë sektorët. Mund të kisha marrë edhe një administrator në institucione të ndryshme por, kisha këtë profil pasi krijova një koncept mbi figurën, pata motivin tjetër, pasi te Gjenerali ka një simbolikë, i cili bie nga vakti, dhe një kapter që ngrihet lart. Pse? Vetëm e vetëm se ky kapter ka miqësi me ministrin, i ka dhënë atij ryshfet. Kjo është një e vërtetë që e shohim, e përjetojmë të gjithë sot, kudo në administratë, nëpër institucione të ndryshme publike, që është shndërruar në një sëmundje, gangrenë, plagë e madhe për shoqërinë tonë aq të brishtë. Këta janë në të shumtën njerëz krejtësisht të paaftë, që të paktën s’kanë mbaruar për atë profil pune. Prandaj dhe në komedi them: se në ambasadë u dërgua për sektorin e kulturës një veteriner! Pse ndodh kjo, tashmë është e qartë vetëm e vetëm se është mik i ministrit, i ka borxh atij, dhe duhet t’ia kthejë.

Kjo ndjeshmëri bëri që shfaqja juaj të funksiononte në disa skena të vendit. Çfarë impresioni keni marrë prej tyre?

Në spektakël gjithçka ndodh është jeta jonë, jeta në një familje, me komshiun, nëpunësit, me vartësit, pra është një kompleks i jetës sonë në të gjitha drejtimet. Dhe aty ku ka defekte unë e godas me humor, pa i denigruar, pa i sharë. Pikërisht kjo gjë në ditët e para në Teatrin Metropol pati jehonë, sukses. Atëherë ne menduam ta përcjellim këtë mesazh më tej. Arti ndikon shumë te njerëzit, në jetën e problematikat e tyre. Unë besoj në këtë gjë, se edhe teatri ndikon mbi jetën e njerëzve për t’i hapur mendjen, e kuptuar problematikat e jetës në një vështrim ndryshe. Teatri duke qenë niveli më i lartë i komunikimit me njerëzit menduam të nisnim një turne. Kështu e nisëm në qytetin e Shkodrës, në kryeqendrën e humorit. Atje u pritëm jashtëzakonisht mirë. Nga Shkodra shkuam në Durrës, në Elbasan, Fier, Vlorë dhe kulminacioni ishte vërtet në Kuçovë ku rrallë shkojnë trupa teatrore, pasi s’ka teatër. Atje ishte një kinema e ndërtuar mjaft bukur dhe mund të them se ajo sallë jo vetëm u mbush plot por nuk kishte më vende, njerëzit po shtyheshin. Ishte një mrekulli. Kur salla është plot në një komedi unë them një gjë: dramën në skenë dhe në sallë mund ta shohë dhe vetëm një njeri, ndërsa komedia do zhurmë, do të qeshura, do duartrokitje. Ndaj sa më shumë njerëz të ketë, aq më shumë zhurmë të ketë aq më entuziazëm përcjell te njerëzit dhe aq më të motivuar e të entuziazmuar janë dhe vetë aktorët me lojën e tyre.  Mund të them se kjo pati shumë sukses në të gjithë këto qytete dhe këtë po e shohim edhe këtu në Tiranë që po jepet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Por, në të gjitha turnetë asnjë zyrtar i lartë nuk denjoi të vinte përveç kryetarit të Bashkisë në Kuçovë, që na bëri një pritje të mrekullueshme. Zyrtarët e tjerë, më të lartët nëpër qytete nuk denjuan të vinin sepse mendoj se ishin ata që u prekën nga kjo komedi.

Je autor dhe regjisor në këtë shfaqje, duke parë mënyrën e trajtimit të saj ju keni një përvojë në teatër e kinema që apriori jua jep këtë drejtë, por kjo shfaqje ishte një komedi tradicionale që shqiptarët janë më të familjarizuar. E kishit qëllim këtë?

Po, padyshim të bëja një shfaqje të tillë tradicionale, një komedi klasike e kisha qëllim. Doja një shfaqje konkrete. Jo se dua të mohoj teatrin me ngjyrë apo modern, të absurdit apo çfarëdo vënie në skenë  nga regjisorë të ndryshëm, por mua më tingëllonte më komode, më me efikasitet ky koncept nëse do të ishte një komedi realiste.  Kjo u bë me qëllim që spektatori të shikonte problematikat e jetës së tij dhe kjo e luajtur natyrshëm përmes aktorëve. Nëse do të jetë me variacione të tjera, që s’mohohen në teatër, por ky koncept më ndihmonte më tepër mua për ta përcjellë këtë problematikë më hapur, duke e ndërtuar në mënyrë realiste duke ruajtur traditën e Teatrit të viteve të teatrit realist. Aktorët në gjithë interpretimin e tyre që herë pas here me abstragimet dhe ekzagjerimet dhe interpretimet që do komedia arritën që të ndërtojnë me të vërtetë ato situata komike, me batutat, çastet humoristike të cilat bëjnë në tërësi  të bukur në gjithë vazhdimin e fillit të subjektit.

Kjo shfaqje, qartas, prek politikisht pasi hyn në ato plagë që i kemi tashmë, një lloj denoncimi, refleksioni. Ke pasur sinjale, ka patur reagime për këtë?

Të them të drejtën edhe unë e ndiej se ka nuanca politike si shfaqje, pasi është politika që e ndërton tërë jetën tonë sot, është politika po bën këto gabime që i shohim sot. Prandaj janë të trajtuara në komedi, që edhe spektatori ta ndiejë se këto ndodhin në shoqërinë tonë, administratën tonë, në politikën tonë dhe këto nuk mund t’i shmangim në punë tonë krijuese, duke i trajtuar në mënyrë komike duke i tallur, goditur dhe stigmatizuar. Por duke qenë se ky është fokusi, ka njerëz që e kanë ndjerë këtë. Ka patur eprorë që kanë ardhur në shfaqje dhe kanë reflektuar se si kanë hequr nga puna të tjerët, kanë ardhur oficerë madhorë që janë pushuar nga puna dhe më thoshin se kanë parë aty, te personazhi kryesor, duke thënë se ai Gjeneral isha unë. Kanë ardhur familjarë të oficerëve të cilët, megjithëse qeshnin, ata kanë ndjerë dhimbje për çfarë kanë përjetuar me pa të drejtë, kur ka mbaruar shfaqja.

Si e etiketon sot shoqërinë shqiptare, jetën e individit shqiptar?

Të them të vërtetën ndiej një lloj trishtimi sepse nuk ndiej qetësi, nuk ka komoditet. Shikojmë që politika është e acaruar, është konfliktuale që me absurditet e të këqijat e veta ka krijuar te ne, te shqiptarët një stres të madh ku çdo ditë, çuditërisht ka krijuar edhe këtë fenomen, që dashje pa dashje merremi me politikën. Nëse do ishte një tjetër kohë, më komode për shqiptarët nuk do ishte marrë njeri me politikën. Po ka një angazhim kaq të madh sa po na lodh, po na lodh aq shumë sa na duket një kapistër që na tërheqin, e tërheqin dhe nuk po na lënë në punën tonë të qetë dhe interesante.

Me gjithë këtë shqetësim që shprehni, kjo shfaqje në fakt na duket si një karikaturë e juaja, tani jo e vizatuar, por e gjallë në skenë ku prekni edhe një medium, siç është shtypi përmes ironisë me revistën pornografike “Playboy”. Pse ky problem, kjo ndërhyrje me median?

Aty preken shumë aspekte të jetës, po kam ndërhyrë duke prekur edhe median. Ndoshta me një batutë që thotë zonja e gjeneralit: gazetat shkruajnë artikuj dhe gënjejnë vetëm e vetëm që të shesin… Po, ka të pavërteta nëpër gazeta. Unë që ndjek shtypin përditë më shqetëson shumë një gjë, që ka falsitet dhe disinformim. Për një problem që duhet të gjej karikaturën unë shoh mbi pesë apo dhjetë gazeta dhe si e shpjegon njëri një lajm, një informacion, një ngjarje nuk e shpjegon tjetri. Në faqet e para të gazetave gjen lloj-lloj titujsh, shumë të rëndë dhe ja shihni artin dhe kulturën e lënë në ankesë, pjesa tjetër është kuzhina e politikës. Jeta jonë duket aq e zymtë sa nuk gjen gjëkundi gjëra normale që të stimulojnë punën, jetën, pasionet. Dëshira për para dhe pushtet e ka bërë politikën të babëzitur. Janë një grup njerëzish që sillen dhe e shfaqin këtë. Më vjen keq që politika siç e thashë edhe më lart është kaq konfliktuale, kaq arrogante, fyese dhe e egër. Ja pse e ndërtova këtë komedi me batuta direkt se shpesh lart janë të paaftët.

Si u bë zgjedhja e aktorëve?

Fillimisht desha si çdo regjisor, doja aktorët më të mirë. Por ishte rol gjenerali që duhej të transmetonte seriozitetin e ushtarakut dhe rreptësinë e gjeneralit, duhej së paku të ishte së jashtmi një figurë madhështore dhe pak në moshë që të justifikonte lirimin, daljen në pension. Dhe këtë më mirë se Bujar Asqeriu nuk mund të ma realizonte, madje dikush më tha kur e pa, se: bukur e ke gjetur, edhe ushtar edhe vlonjat. Ai ishte shpërthyes para padrejtësisë, nuk ndalet për ta kritikuar. Aktorja e njohur, bashkëshortja e gjeneralit, Natasha Sela, për herë të parë në jetën e saj në skenë realizonte një figurë kaq të madhe, protagonist. Ishte një lojë e arrirë e saj, duke mbajtur mjaft peshë, gjatë gjithë shfaqjes me të njëjtin ritëm dhe shumë e këndshme. Suela, gruaja e kapterit, një amvisë e mirë dhe komshie gazmore përkrah bashkëshortit kapter, që luhet me shumë nur dhe humor nga Muharrem Hoxha. Nuk dua të harroj hamallin, Xhevair Zenelin që solli mjaft çaste gazmore. Interesant ishte edhe aktori i ri, Edvin Mustafaj në rolin e biznesmenit, që botonte revistën “Playboy”, duke kujtuar edhe zyshën e anglishtes që edhe si modele hijeshoi skenën me pamjen e saj. Brenda këtij koncepti, të një komedie realiste vinin te përfshirja edhe e dy aktorëve të vegjël, fëmijëve të cilët mbanin edhe ata problemet familjare që kanë sot çiftet. 

Shfaqja do të vazhdojë në Tiranë?

Po, do të vazhdojë të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, të enjten, të premten, të shtunën e të dielën dhe kemi marrë konfirmimin dashamirës nga drejtoria e Teatrit Kombëtar që të shfaqet në shtator dhe tetor. Kjo më entuziazmon, duke përfshirë edhe festivalet ku do të marrim pjesë.

1 koment për këtë artikull

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *