Jetëshkrimi si ligjërim unik

Postuar më: 14 May 2017 18:23

****  Një shënim autobiografik i Anton Pashkut, pak muaj para vdekjes, jep dorë për të kuptuar diçka nga jeta e autorit, e sidomos nga momentet e fundit të jetës. Autobiografinë e botoi në gjallje të tij në mars 1995. Në tetor të po atij viti ndërroi jetë. Autobiografia përshin origjinën e shkrimtarit, brengat dhe gëzimet e jetës në Kosovë. Në mes rreshtave të këtij shënimi autobiografik, mund të ndjejmë dozat e ironisë, dhimbjen, brengat varfërisë dhe shqetësimet e shkrimtarit modern të letrave shqipe.

 Anton Pashku

Jetëshkrimi si ligjërim unik

 Në 80 vjetorin e lindjes së Anton Pashkut/ Fragment nga shënimi autobiografik që ka lënë shkrimtari pak muaj para vdekjes

Behar Gjoka*

Një shënim autobiografik i Anton Pashkut, pak muaj para vdekjes, jep dorë për të kuptuar diçka nga jeta e autorit, e sidomos nga momentet e fundit të jetës. Autobiografinë e botoi në gjallje të tij në mars 1995. Në tetor të po atij viti ndërroi jetë. Autobiografia përshin origjinën e shkrimtarit, brengat dhe gëzimet e jetës në Kosovë. Në mes rreshtave të këtij shënimi autobiografik, mund të ndjejmë dozat e ironisë, dhimbjen, brengat varfërisë dhe shqetësimet e shkrimtarit modern të letrave shqipe. Anton Pashku, i shquar si një nga penat më magjike të prozës, krahas Mitrush Kutelit e Martin Camajt, edhe në këtë shënim biografik lë gjurmët e një stili interesant të shkruari. “Jam hasjan. Nuk kam lindur në Has…. Kam lindur në Grazhdanik….. Intresante është se sot vështirë do të më njihnin atje. Gati kurrë s’e vizitova Grazhdanikun, pas lindjes. Bile dyshoj se do të më lejojnë të varrosem atje, kur të vdes…?! Nga Anton Pashku, si teksturë e shkruar, përveç trashëgimisë letrare në prozën e shkurtër, për të rritur dhe fëmijë, shqiptuar artistikisht si tregime fantastike, po kaq të romanit OH dhe tragjedive moderne, Sinkopa dhe Gof, kemi edhe një tekst jetëshkrimor, të përcjellur me titullin Shënime autobiografike. Topikat jetëshkrimore, më qenësore të Pashkut, megjithatë dukshëm, ravizojnë disa nga vatrat bazale, të thurjes së monografisë së plotë, të një konceptualiteti të dyfishtë, të jetës dhe veprës së Anton Pashkut. Nga shfletimi i shënimeve autobiografike, vihet re se të dhënat e këtij jetëshkrimi të shkruar nga vetë autori, hedhin dritë mbi hapësirën ku jetoi autori dhe, ndërpriten me aktin e VOX-it, pra pa hyrë në kodet ligjërimore estetike të krijimtarisë letrare. Përcaktimi i shenjave më thelbësore të hapësirës jetësore, në penën e autorit, vjen e ngulitur në tri pamje:

A – Jam hasjan. Ky është pohimi i parë që përçon lidhjen me hapësirën të cilës i përket, por shumë më tepër, pohon dëshminë e identitetit, që ka të bëjë me krahinën, me kulturën dhe tiparet më qenësore të saj, krahasimisht me zonën përqark, të cilën nuk ka arsye për ta humbur askush.

B – Prizreni, kryeqyteti i besëlidhjes shqiptare të kohëve moderne, që përkon me qershorin e vitit 1878. Po të nisemi nga ideja e rëndësisë që i japin teoritë biografike dhe letrare, se sa vlerë ka jeta fëminore dhe rinore e një njeriu, aq më shumë e një artisti dhe shkrimtari, vetëkuptohet që Prizreni, bëhet djepi i mëkimit të dashurisë për atdhe, për gjuhën shqipe.

C – Prishtina, qyteti i bozhureve, ëndrra që ngjizi pavarësinë e Kosovës, në harkun njëshekullor, altari i dijes, kulturës, letërsisë dhe përtheksimit të identitetit modern të shqiptarëve të Kosovës, shndërrohet në prizmin ku thyhet dhe përthyhet jeta dhe vepra letrare e Pashkut dhe plejadës së mjeshtrave të shkrimit të letërsisë shqipe, me kulme të veçantë në poezi dhe studime letrare, por që me prozën e Pashkut, vetiu e shndërron në një vatër të ligjërimit të prozës moderne dhe fantastike.

Këto tri pamje, të menduara gjatë nga shkrimtari, pa asnjë dyshim, janë linjat kryesore nga do të rrjedhë hartimi i biografisë së shkrimtarit, që pashmangshmërisht ndërthuret me shënimin autobiografik që na ka lënë autori, ku edhe janë vulosur piketat nga mundësohet formulimi monografik, jetësor dhe letrar. Praktika e hartimit të autobiografisë, tepër të shkurtër, ndonëse me tipare thelbësore, të shpie deri në periudhën e largët, të letërsisë së hershme shqipe, pikërisht te praktika e hartimit të parathënieve dhe pasthënieve, të cilat edhe sot e gjithë ditën, kanë peshë thelbësore për historinë e shkrimit letrar në gjuhën shqipe. Pjesë e rëndësishme e mikrobiografisë së ligjëruar nga vetë shkrimtari, është koha e shkollimit, e punës si redaktor i revistës Jeta e re, gazetës Rilindja, dhe entit botues Rilindja, ku punon për 34 vite. Ndërkaq, shtyllën kryesore të monografisë, të kontributeve të shumta letrare, si prozator, dramaturg, autori vetëm sa e zë fill me shënimin:

D – Vox clamantis…Pra, duke heshtur për krijimtarinë letrare. Heshtja në këtë rast fatlum si gjurmë të jetës së shkrimtarit, atëbotë kur të tjerët, shkrimtarët bashkëkohorë, nuk dinë të heshtin. Pashku, edhe simbas leximit dhe interpretimit të studimeve letrare, ndërkaq foli me veprën letrare, materializoi estetikisht tregimet fantastike, për të rritur dhe fëmijë, romanin modern OH, tregjeditë moderne, Gof dhe Sinkopa etj. Prandaj heshtja e përkorë e autorit, është një pikë tjetër e vetëdijes shkrimore, të një lëvruesi të gjuhës shqipe, në dy variante, në gegnishte dhe në gjuhën e njësuar, e po kaq të lëvruesit të versioneve letrare, tipare të cilat ngjizin një dukuri të mëvetësishme letrare në letrat shqipe. Përgjigjen e vlerës së teksteve letrare, të A. Pashkut, madje të secilit autor, e jep leximi dhe receptimi i shenjave letrare, si dhe koha e leximeve të pafundme, që zbulojnë vatrat e ligjërimit të larmisë letrare… Anton Pashku ka vdekur më 31 tetor 1995 në Prishtinë dhe është varrosur të nesërmen në Karashëngjergj të Hasit. Ja autobiografia e shkruar me dorën e tij.

Shënimi autobiografik Anton Pashku

Jam hasjan. Nuk kam lindur në Has, mirëpo të gjithë, babai, nëna, kushërinjtë, i gjithë farefisi vjen prej atje. Jemi nga Karashëngjergji, një fshat i rrethit të Prizrenit. Aty është i varrosur Shtjefën Gjeçovi. Epo unë s’e përjetova fare Karashëngjergjin. Kam lindur në Grazhdanik, fshat tre-katër kilometra larg qytetit të Prizrenit, në drejtim të Nashecit. Interesante është se sot vështirë do të më njihnin atje. Gati kurrë s’e vizitova Grazhdanikun, pas lindjes. Bile dyshoj se do të më lejojnë të varrosem atje, kur të vdes…?! Sidoqoftë, sipas dokumentit kishtar jam lindur më 1 janar 1937-shit, kurse sipas atij zyrtar-më 3 janar 1937. Mbiemrin Pashku e kam prej gjyshit. Ai quhej Pashk. Përndryshe familja ime u takon Bytyçëve (fis i Thaçit), që banonim përtej Pashtrikut, përmbi Gjakovë. Edhe sot, ai vend quhet Bytyç-Bujani dhe fshatrat përreth…. Ato janë brenda rajonit të Bytyçit. Me të ardhur në Karashëngjergj, të parët e mi themeluan fshatin e vet-të Bytyçëve. Ndërrimi i mbiemrave filloi pas 45-it. Ku ta di pse, ishte dekret zyrtar…I bërë nëpër zyrat e pasluftës.

PRIZRENI…

Thonë se me të lindur unë, gjyshi im qe gëzuar fort. Isha fëmija i parë i djalit të tij të vetëm. Thonë se për këtë kishte bërë aheng të madh, dasmë. Nuk më regjistroi në Prizren, sepse Graxhdaniku i takonte komunës së Vlasnës, katundit të Vlasnës. Aty ishte zyra e vendit dhe aty më regjistroi. Për të lënë shenjë të dashurisë së vet, më regjistroi si Anton Pashku-Antoni i Pashkut. Thonë se gjyshin e kam pasur njeri të madh. Kështu katër pesë muaj pas lindjes sime, gjyshi blen një shtëpi të madhe në Prizren, si i thonë me baçe përmbas e me bahçe përpara. Prizreni është në të vërtetë gjithkah mbaj mend unë nga fëmijëria. Kurrë s’e vizitova Grazhdanikun apo Karashëngjergjin. Në një farë dore veten e mbaj prizrenas. Aty kalova fëmijërinë, kreva filloren, katër vjetët e fillores së atëhershme. Pastaj vazhdova gjimnazin e ultë, si i thoshin, e që zgjaste tri vjet. Pas kësaj duhej përfunduar gjimnazi i naltë e që kishte katër klasë. S’ka fjalë ishte shkollë serioze e kritereve mjaft të larta. Sidoqoftë diku rreth 1951-shit babai me familje u vendos në Prishtinë. Gjegjësisht Fushë-Kosovë. Unë vazhdova të rri në Prizren me këshillë të tij, sepse atëbotë Fushë-Kosova nuk kishte shkollë shqip. Ajo u themelua shumë vonë. Më binte larg që si i mitur që isha, të udhëtoja prej fushë-Kosovës në Prishtinë për të vijuar mësimet. Andaj mbeta në Prizren, gjersa kreva gjimnazin e ultë-semimaturën. Pastaj vij në Prishtinë dhe vazhdoj gjimnazin e lartë. Do të duhej të ishte ky ‘54-shi apo ‘55-shi, s’më kujtohet.

PRISHTINA…

Isha nxënës i rregullt në gjimnaz, prej profesorëve. Më kujtohet i ndjeri Zekeria Rexha, profesor i gjuhës frënge në gjimnaz të Prishtinës. Mësimet e tij dhe angazhimi ndaj meje ndikuan dhe më mësuan shumë në orientimin letrar. Ishte kryeredaktor i parë i “Jetës së re”, të përdymuajshmes letrare dhe profesor ideal imi. Ishte njeri i madh, nxënës i Francës. Më kujtohet kur më shihte në rrugë, më jepte para për kinema. E dinte mirë gjendjen e rëndë materiale të familjes sime. Mandej u maturova më 1958. Pas maturës punësohem në “Rilindje” si gazetar. Duke filluar prej profesor Rexhës, të gjithë që më njihnin insistonin t’i vijoja studimet, fakultetin, mirëpo s’kisha kurrfarë kushtesh për një gjë të tillë. Në shtëpi ishim pesë fëmijë prej babait, motra dhe vëllezër dhe më duhej që si më i madhi që isha t’i ndihmoja babait. Për t’u punësuar në Rilindje më ndihmuan Ymer Pula dhe Asllan Fazliu. Sot e asaj dite mendoj se ishin burra të mirë, pavarësisht se çfarë fitet për politikanët e dikurshëm. Për atë kohë ishin politikanë të mëdhenj. Mbaj mend kur më ftuan në zyrë për të biseduar për punësimin tim, atëbotë veç isha bërë një shkrimtar i vogël-i botoja tregimet në “Jeta e re”. Tregime, më së shumti. Mirëpo, duhet ta dini se atëherë, kur botohej diçka në Jeta e Re bëheshe shkrimtar, s’ishte punë e lehtë të botohesh te “Jeta e re”. Ishte revistë e kritereve shumë të larta. Por sidoqoftë më kujtohet për pranimin tim patën intervenuar i ndjeri Esad Mekuli dhe Adem Demaçi. Nuk dyshoj se lavdëruan punë time të deritatëhershme. Mirëpo që të dy insistonin, që megjithatë të regjistrohem në Fakultet në Beograd. Në fund iu rrëfeva se s’kam gjë kundër fakultetit, veçse nuk mund të shëtitem poshtë lart nëpër qyte të huaj, derisa familjen e kisha në pozitë të rëndë. U thashë se atë mund ta kryej edhe në shtëpi, se është punë vullneti dhe dëshire… Mos mendoni se nënçmoja fakultetin, mirëpo kisha obligime të mëdha. Më dhimbsej babai, nuk kishte mundësi që vetë të siguronte jetën për familjen. Mendoja të punësohesha në “Rilindje”, të mësoj, të shkruaj.

“VOX CLAMANTIS…”

Në “Rilindje” punova 34 vjet. Mirëpo, në rubrikën e kulturës punova vetëm deri më 1971, kur një grup i krijuesve të rinj, në mesin e të cilëve isha dhe unë, e botoi një tekst problematik, i cili më vonë u pagëzua si “Manifest”, një shkrim kritik i botuar në të përditshmen Rilindja me titull “Vox Clamantis in Deserto” (Zëri i të dëshpëruarit në shkretëtirë) që pat bërë bujë të madhe. “Vox…”-Ai në të vërtetë ishte paraqitje e bindjeve kritike të një gjenerate të re të letrarëve të kosovarë lidhur me gjendjen në kulturë, me pozitën e krijuesve dhe frymat estetike të asaj kohe. Përmes tij, ne praktikisht i shpallëm luftë realizmit socialist dhe të gjitha marrëzirave kulturore që bëheshin tek ne, e që ishin ndikim i Shqipërisë, gjegjësisht i ideologjisë social-komuniste. E tërë kjo u shndërrua në një skandal të madh që filloi të merrte përmasa politike. Ndër nënshkruesit e manifest ishin Rexhep Smajli, Gani Bobi, Ali Podrimja, Mensur Raifi unë dhe disa të tjerë. Qe bërë problem i madh. Kështu prej 1 dhjetorit të 1971-shit shkova në redaksinë e botimeve. Aty punoj edhe sot, Jam angazhuar në redaksinë e botimeve të ndryshme, të prozës, poezisë dhe kritikës. Dhe ndërkohë edhe shkruaja nga pak. Gati të gjitha shkrimet i botova në Rilindje, përpos tregimeve të cilat i botova në jetën e re në “Zëri i rinisë”. Ishte një periudhë dinamike, periudhë e një liberalizme shoqërore, kur filluan të hiqen disa pranga, bile kulturore. Ishte kohë shumë dinamike, bile ajo kohë ka paraqitur një lloj renesanse kulturore të llojit të vet për Kosovën. Prishtinë Mars 1995

*Shkëputur nga libri “Hejza e Pashkut” në proces botimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *