Dita Ndërkombëtare: Del nga bodrumi i Muzeut kryqi 250-vjeçar

Postuar më: 19 May 2017 09:32

Nga fondi i Muzeut Historik dalin në dritë objekte të reja prej ari dhe argjendi, të cilat janë punuar nga argjendarët vendës, që i përkasin shek. XVII-XVIII, që ishin të ndaluar për 50 vjet si traditë e punimeve të objekteve fetare kishtare. Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 4 qershor reflekton sensibilitetin në ditën ndërkombëtare të Muzeve, por këto raste, ashtu si në gjithë Shqipërinë, janë gjendje fragmentare që fshehin realitetin ku janë katandisur pjesa dërrmuese e muzeve

Një kryq prej argjendi, pothuaj 250-vjeçar, në të dyja anët me skena ikonografike të gdhendura me finesë nga Janko Voskopojari në vitin 1748, ka qëndruar për 50 vite në bodrumet e Muzeut Historik Kombëtar, duke u ekspozuar dje për herë të parë, e restauruar. Bashkë me këtë objekt janë edhe dy mbulesa prej argjendi dalë, si u tha, nga një punë hulumtuese që kanë bërë punonjësit e Muzeut.

E para i përket ikonës së Shën Gjergjit, e cila ka qenë e vendosur në proskinitarin e kishës së Shën Gjergjit në Nokovë të Lunxhërisë, Gjirokastër. Mbulesa e dytë i përket ikonës së Shën e Premtes, që ka qenë e vendosur në proskinitarin e kishës së Shën e Premtes në Selckë të Lunxhërisë, Gjirokastër. Objektet e tjera të ekspozuara janë: brerore, kapakë ungjilli, lugë kungimi, kryqe, eksapterë, kuti lipsanesh etj., restaurimi i të cilave është kryer në laboratorin e konservimit të koleksioneve të MH, nga laborantë të sektorit të konservimit të koleksioneve nën drejtimin e prof. as. dr. Frederik Stamati. Ekspozita që pati nxitje nxjerrjen e këtyre objekteve mbante temën “Muzetë dhe historitë tabu. Thesare të argjendarëve vendës”, ku u përfshinë rreth 20 objekte prej ari dhe argjendi, të cilat janë punuar nga argjendarët vendës, që i përkasin shek. XVII-XVIII. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun nga data 18 maj deri më 4 qershor 2017, në pavijonin e ikonave të Muzeut Historik Kombëtar. E organizuar në ditën ndërkombëtare të muzeve, kjo ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 4 qershor, bëri të njohur kulturën kombëtare të argjendarëve shqiptarë, duke qenë se tradita e punimit të objekteve kishtare ka qenë e ndaluar për 50 vjet. Objektet janë punuar me teknikat e rrahjes e të gdhendjes, si edhe me përdorimin e mjaft veglave që krijoheshin nga vetë zejtarët për zbukurimin e objekteve.

“Këto janë objekte të veçanta dhe të rëndësishme në muzeumet e Shqipërisë. Ato ishin objekte prej argjendi në pronësi të Muzeut Historik Kombëtar. U bë përurimi i një ekspozite dinjitoze në nivel evropian. Janë prodhime prej argjendi të mjeshtrave tanë dhe treguesit më të mirë, nga më të mirët në Shqipëri, që tregon shkallën e mjeshtërisë të argjendarëve tanë. U punua në grup, ku secili, duke filluar nga drejtoria dhanë kontributin përkatës”, -tha Stamati. Referuar ditës ndërkombëtare të Muzeve, MH e ka kthyer në traditë tashmë, që në Natën dhe Ditën e Muzeve, më 17 dhe 18 Maj, të trajtojë temën e shpallur nga ICOM-i dhe të shpalosë shenjat dalluese të kësaj dite, të përcaktuara zyrtarisht nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve, duke u bërë pjesë integruese e ICOM-it, (Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve) me temën dhe dizajnin e përbashkët të të gjithë muzeve botërorë. Tema e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve për vitin 2017 ishte: “Muzetë dhe historitë tabu: Të flasësh pa fjalë në muze ose të thuash të paimagjinueshmen”. Kjo temë përqendrohej në rolin e muzeve, të cilët duke punuar në dobi të shoqërisë, shndërrohen në pika kyçe për nxitjen e marrëdhënieve paqësore mes njerëzve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *