Zoti Gabriel për opozitën, si Don Kishoti përballë mullinjve paqësorë të erës

Postuar më: 20 April 2017 09:22

Export to PDF | Export to DOC

Nga Ndriçim Kulla*

Ministri i Jashtëm gjerman, Gabriel, gjatë vizitës së tij në Shqipëri nuk bëri gjë tjetër veçse na konfirmoi në mënyrën e tij fuqinë e çuditshme të çadrës së opozitës në bulevard. Ministri i Jashtëm i vendit më të fuqishëm të Europës vështirë se i ka bindur gjermanët që kanë qenë të interesuar të dinë për këtë vizitë të tij, se opozita shqiptare ka nisur një lëvizje destabilizuese në vend duke ngritur një çadër në bulevard përballë selisë së qeverisë. Vërtet që opozita ka dalë nga parlamenti dhe nuk pranon të hyjë në zgjedhje pa një qeveri teknike, por në situatën e tanishme në Shqipëri, të tilla kërkesa nuk quhen dot si destabilizuese kur mënyra e zgjedhur për të shprehur këtë kauzë, është ajo më paqësore e mundshme, një çadër e ngritur në bulevard përballë ndërtesës së qeverisë, si parlament i qytetarëve.

Fuqia e çadrës, sekreti i saj është padyshim te të qenit e saj një gjetje e llojit gandist, të rezistencës paqësore. Lideri i opozitës, Basha, i cili pati idenë e çadrës, e ka konceptuar atë si një qëndresë ndaj së keqes, por si qëndresë paqësore. Çadra është një kala e qëndresës paqësore! Për këtë arsye çadra nuk mund të fajësohet nga këndvështrimi europian. Edhe mbështetësit më të fortë të Kryeministrit Rama në Europë e ndiejnë veten të çarmatosur para çadrës. Ata vijnë në Tiranë të përpunuar kundër liderit të opozitës, për ta quajtur lëvizjen e tij destabilizuese, por e kuptojnë se akuzat e tyre ngjajnë qesharake përpara çadrës, që nuk mund të paraqitet si simbol të destabilizimit të vendit. Ta tregosh me gisht çadrën si shtabin e destabilizimit të vendit, është një gjë e ngjashme me atë të Don Kishotit që tregonte me gisht mullinjtë paqësorë të erës dhe thoshte se janë gjigantë të këqij.

Z.Gabriel dhe Kryeministri Rama dolën së bashku të flasin në selinë e Kryeministrisë, që i bën hije çadrës para saj, dhe, megjithëse nuk e përmendën shprehimisht çadrën, fjalët e tyre kishin të bënin me të. Dhe me këtë ministri gjerman dhe kryeministri shqiptar vetëm sa na treguan që është çadra e vogël në anë të ndërtesës së madhe të Kryeministrisë, ajo që i bën hije kësaj ndërtese. Qeveria shqiptare është vënë nën hijen e çadrës së opozitës në bulevard. Sa ngrehinë e çuditshme politike kjo çadër në bulevard! Një ngrehinë kaq e brishtë, anës ndërtesës së madhe të Kryeministrisë, por që megjithatë bën efektin e një kalaje!

Çadra në bulevard, përveçse si kala të ngjason edhe me një anije dhe ky është aspekti tjetër i fuqisë së saj. Shpesh lëvizjet politike i kanë krahasuar me lundrime në det. Tani disa thonë se çadra-anije lundron në ujëra të panjohura politike. Sidomos ata të cilët prisnin që lideri Basha të arrinte një kompromis para përfundimit të afateve ligjore për regjistrimin e partive në zgjedhje, qoftë edhe me një shtyrje të zgjedhjeve deri në fund të qershorit. Kryetari i KQZ-së, i emëruar nga PS, e hodhi në treg këtë ide, si një mënyrë për ta kënaqur opozitën, që të mund të justifikonte tërheqjen e saj duke thënë se kishte arritur një fitore.

Çadra-anije ka një timonier që është lideri i opozitës, Basha. Në lundrimet në det, aftësia e timonierit vihet në pah kur anija hyn në dete të panjohura, siç ka ndodhur në zbulimet e mëdha gjeografike. Në rastin tonë, aftësia e timonierit të anijes politike, pra e liderit, vihet në pah kur ai nuk i trembet të panjohurës, shtegut të pashkelur. Nëse nuk do të kishte qenë kështu nuk do të kishim pasur pluralizmin politik në 1990, kur disa burra hipën në një anije politike dhe lundruan me të në një det të panjohur. Tani jemi pikërisht në një çast të tillë. Në 1990, PD, lindi si parti nga një lëvizje që iu siguroi shqiptarëve të drejtën e zgjedhjeve pluripartiake, duke dalë si opozita e parë në shtetin monist. Dhe zgjedhje pluripartiake do të thotë demokraci. Sado ankesa që të ketë, bilanci i kësaj demokracie në këto 27 vjet është pa krahasim më i mirë se gjysmë shekulli diktaturë.

Partia-shtet, që sundonte vendin në 1990, nuk e akordoi me dëshirën e saj të drejtën e zgjedhjeve pluripartiake për shqiptarët, por u detyrua ta bënte këtë gjë. 27 vjet më vonë, ish-partia shtet e vitit 1990, ka gjetur një mënyrë për t’i bërë të pavlefshme zgjedhjet pluripartiake, duke bërë aleancë me mafien e drogës, së cilës i ka dhënë liri në të gjithë vendin, me kusht që ta mbështesë për të blerë votat. Kjo marrëveshje duket qartë. Ka një treg të votës që ushqehet nga tregu i drogës. Këtë të vërtetë demokratike ministri Gabriel le ta themi hapur e injoroi me brutalitet. Në zhvillimet e ardhshme koha do ta vërtetojë qëndrimin e gabuar politik të tij.

Në këto kushte, PD ka detyrimin historik që të reagojë jo thjesht si një parti, por edhe si lëvizja nga ku e ka origjinën ajo, lëvizja politike e vitit 1990 që solli pluralizmin politik në vend. Shkurt, PD ka të drejtën historike që të luajë rolin e garantit të pluralizmit politik dhe me këtë edhe të demokracisë në vend. Pikërisht simbol i këtij funksioni të PD-së është bërë çadra në bulevard. Në këto ujëra e ka drejtuar çadrën-anije timonieri Basha, dhe megjithëse këto duken si ujëra të parrahura politike për një parti, ato janë më se të njohura për një lëvizje politike shqiptare, atë të vitit 1990 që kam përmendur më lart. Që në fund të fundit do të thotë se nuk janë ujëra të parrahura as për PD-në që e ka origjinën në atë lëvizje. Këtu qëndron edhe sekreti i fuqisë së çadrës në bulevard. Dhe vetë sekreti i fuqisë së Bashës si lider. Basha po tregon në këtë lëvizje një fuqi që shumë vetë, e sidomos kundërshtarët e tij politikë, nuk e prisnin që ta kishte ai.

Çdo anije ka minjtë e vet dhe çadra-anije nuk mund të bëjë përjashtim. “Minjtë” e çadrës-anije, janë “minj” politikë. Por edhe ata kanë një gjë të përbashkët me të gjithë minjtë e anijeve, të cilët qëndrojnë në anije kur mund të ushqehen prej saj, si parazitë, pa i dhënë kontribut, por që largohen nga anija të parët kur iu duket i rrezikshëm qëndrimi në të. Të tillë “minj” politikë e braktisën çadrën-anije, ose u distancuan prej saj, pikërisht kur ajo hyri në shtegun e misionit të saj të madh. Sidoqoftë më mirë që çadra-anije, dhe në fund të fundit vetë PD, të pastrohet nga parazitët politikë.

Të tjerë “minj” politikë, më dinakë, rrinë me mision në çadrën-anije duke dashur ta brejnë atë nga brenda që të shembet. Këta bëjnë sikur e mbështesin kauzën e çadrës së ngritur në Sheshin e Lirisë, siç e quan lideri i opozitës, por në fakt punojnë kundër saj. Por sa më tepër që të ecë përpara çadra-anije, aq më shumë do të bëhet i vështirë qëndrimi i këtyre në çadër.

6 komente për këtë artikull
  1. Arti at 11:50 am

    Ndriçim kushe jane mullijte a paçes ata qe per pushtet me 21 janar vrane 4 njerez të pafajshem, apo të dhurosh trojet e shtetit tend nje shteti fqinje apo të besh Gerdecin je mullinj pa ere dhe I paçes…? Ai vend ka shume injorance por teashtequajturit intelektuale jane injoranca me e madhe qe ai vend ka dhe kjo eshte fatale per nje komb…!

  2. Shqiptar at 1:56 pm

    Ndricim emrin zotrote ..erresim duhet te te kishin qujt..do te te mjaftonte palca e kurrizit qe te bridhje lart e poshte ..ka kush mendon per egzistencen tende te shemtuar ..mendon sal monstra

  3. Bureto at 8:03 pm

    Mision i pamundur i keshilltarit te Nishanit. Nderi i fundit qe po i ben Bashes, me shprese qe te kete vijimesi ne politike, mbas ikjes se Nishanit. Perralla me Don Kishote, Sanco Panco e mullinj te eres me siguri qe gjen plot sot ne diskursin politik ne cader me protagoniste Berishen dhe Bashen. Zoti Sigmar Gabriel tha gjera te rendesishme per demokracine dhe vendin: Te mos bojkotohet parlamenti, pavaresisht cadres, te votohewn komisionet e vettingut per t’i hapur rrugen reformes ne drejtesi dhe te shkohet ne zgjedhje, ku dhe te maten forcat. Te tjerat jane donkishote, sacopanco qe ndodhen me bollek ne Çader dhe qe luftojne per absurdin. Kete analize te na beje analisti ne fjale. Dhe ne kete shkrim, me shume i ngjan dhe ky vete nje Don Kishoti.

  4. Let me dare at 9:42 pm

    Nderkombëtarët po sillen me ne sikur të vinin nga Marsi ose nga një galaktikë e panjohur deri tani. Po qe se ata e dinë mirë se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në harkun 3-4 vjeçar, në vendin tonë, duhet të alarmoheshin, të thonin të vërtetat, që shumë mirë i dinë. E dimë ne dhe ata se Rilindja thirri kriminelët, horrat, të fortit e lagjeve dhe të katundeve për të ndihmuar ardhjen në pushtet të atyre që kemi sot dhe për t’i mbajtur aty, sipas mendjes së tyre të sëmurë, me dekada, bash si Enveri.Që t’u shtoheshin të ardhurat, fitimet, paratë e pista, u desh të mbidhej drogë aq shumë sa të shqetsohej Evropa dhe ta merrte vesh gjithë Bota.Tonelatat që i kishte kositur Tahiri( 99%) I zbuloi Fatmiri për fatin e keq të Saimir- Saikeqit, duke e nxjerrë krejt zbuluar në ato që përralliste çdo ditë. Vetëm për këto dy arsye, pa përmendur korrupsionin galopant, tenderat e çmendur deri tek spitali i të çmendurve, pistat e avionëve të drogës, aksidentet e tyre me rrota të shyera, me police të shitur tek bosët e drogës, besoj se i japin të drejtë opozitës për Çadrën e kërkesat e saj. Ndersa, kryeministri dhe Beqot e Tahirët duhet të kishin dhënë dorëheqjen prej kohësh. Të kërkosh qeveri teknike dhe të presish që nderkombëtarët t’i thonë kësaj qeverie ndal se e ke qelbur gjithë Evropën me hashashin, me ligjin për dekriminalizimin, që s’ka ndodhur në asnjë shtet. Një qeveri si kjo nuk duhet të kishte asnjë mbështetje nga nderkombëtarët. Përkundrazi. Shumë prej këtyre qeveritarëve duhej të mos kishin të drejtë të mbanin viza diplomatike ose të shpalleshin “Non grata”për vendent mike. Sepse e meritojnë plotësisht.Pra , edhe qëndrimi i ministrit gjerman ishte krejt i njëansshëm dhe i padrejtë. Kush nuk i kupton dhe nuk i sheh këto të vërteta është më kriminel se kriminelët që përmenda më lart, është qorr dhe shurdh-memec me dëshirën e vet.

  5. Fieraku at 1:44 pm

    Hartim i bukur Z. Kulla e me teme te porositur. Dikur ne kohen e diktatures ne shkollen e nates, kur ne maturen e vitit te IV u dha tema per hartim:”Cfar do behem kur te rritem”, nje maturant qe ishte mbi te 50 shkruajti vetem keto fjale – Kur te rritem un do dhitem.
    Edhe ju Z. Ndricim keshtu ju gjeti me kete hartim. Flisni per mullinj me ere, minje ne anije, armiq te jashtem etj, kur harroni te thoni ose te analizoni se kush e beri Gerdecin, kush i beri vrasjet ne 21 Janar, kush abuzoi me rrugen e Kombit, kush beri mareveshjen e detit etj.
    Po shqiptaret, pra sovranin e ke pyetur valle se cfar do e cfar mendon? Jam i bindur se populli do qe te veje ne votime, e te percaktoje ose te mandatoje me voten e tij, se kush do jete maxhorance e kush opozite. Po ashtu sovrani por edhe politika e nderkombetaret, duan te shikojne ne se kjo maxhorance eshte ne gjendje te beje zgjedhje te lira e demokratike apo jo?.
    Po per zgjedhjet e 96 Z. Ndricim cmund te na thoni, i manipuloi pozita e atehershme dhe opozita e sotme, apo populli pati entusiazem e voti nga 2 here?
    Nderkombetaret po shprehin qendrimin e tyre te prere per situaten, dhe ata nuk duan precedente, sic po ndodh ne shqiperi ku nje pale pra opozita, i kerkon pozites qe te lere pushtetin e te krijoje qeveri teknike (niki – nike), keto jane mullinjt me ere te Don Kishotit Z. Kulla e jo ato qe thobi ju. Po mir do thoni ju a ka probleme? Po ka them une! le te vemi ne zgjedhje, duke kerkuar monitorim te rrepte nga nderkombetaret, e ta leme sovranin qe me voten e tij te beje zgjedhjen dhe zgjidhjen e tije. A po mos vall kerkesa per respektimin e kushtetutes ju duke si mulli i Don Kishotit te Servantesit.
    Po e mbyll duke te kujtuar se hartimin e ke bere si ai maturanti i shkolles se nates.

  6. Let me dare at 7:08 pm

    Le ta përcjellim këtë histori,
    me një këngë me çifteli:
    Tregoheni cipëplasur e rrufjanë.
    Si mund të qeverisni me qen,
    që s’ju lavdërojnë karvanin,
    Popullin e konsideroni dele,
    e ju , gjoja, bëni çobanin.
    Krimi e krimineli, ulur këmbëkryq në parlament,
    Llumi i llumit , atje ka zēnë vend.
    Vallë, jeni vendas apo të huaj?
    Që silleni si pushtues ,në vendin tuaj.
    Si udhëheqje dykrenare,kurrë nuk ia gjetët fillin,
    Ngatrroni 21 Janarin me 1 Prillin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *