Udhëtim me veten dhe fatin

Postuar më: 15 April 2017 10:22

Shënime për romanin “Incognito” të Ardian Christian Kyçykut/ Në qendër të romanit është një i ri që ka emigruar. Ai është pjesë e një kazerme. Një botë e mbyllur përbën botën atij që është i rrethuar nga mospranimi, nga kujtimet, nga një e ardhme që e dashuron dhe një e shkuar që vjen e bëhet çdo ditë e më prezente.

Nga Agim Baçi

Mund ta nxjerrësh njeriun nga mërgimi, por s’mund ta nxjerrësh më mërgimin nga njeriu”…. Ardian Kyçyku sjell betejën e përhershme të njeriut me atë që kërkon dhe atë që lë pas. Një ndërmjetësi e botës së pafundme e ecjes drejt një jete në dhe të huaj, plot rrengje e pikëpyetje nga ai që udhëton drejt një bote tjetër dhe një gjuhe tjetër. Eshtë një botë-monolog, ku shpesh nuk dimë nëse po flasim me të tjerët apo me veten. Është një botë që nuk dimë më rregullin e kujtimeve. Mbajmë mend thuajse çdo çast fjalitë e mospranimit- si një beton që nuk shembet kollaj. Kufiri i mospranimit e kalon shpesh kufirin e botës së përtejme, sepse është edhe më i errët. Je gjallë, e sheh tjetrin që ecën dhe ha si ty, që bën dashuri dhe ëndërron thuajse si ti, e sërish mbetesh i huaj.

Në qendër të romanit është “Incognito”, një i ri që ka emigruar. Ai është pjesë e një kazerme. Një botë e mbyllur përbën botën  e atij që është i rrethuar nga mospranimi, nga kujtimet, nga një e ardhme që e dashuron dhe një e shkuar që vjen e bëhet çdo ditë e më prezente. Irisi është dashuria që e mban gjallë përmes kujtimit, duke i dhënë kurajën që të shohë dhe përpiqet.  Ndërkohë që Arma Doloresi është ajo që ekzekuton “dëshirat e mishta” duke krijuar botën që ëndërronim të kishim. Ajo merr fytyrën e asaj që dëshirojmë, e njëkohësisht edhe zhgënjimin e asaj që nuk mund ta themi kurrë.

Vështroja repartin, pemët, grinë, të kaltrën e gjelbëruar nga hëna. Për çudi, e doja këtë vend. E doja dhimbshëm, dëshpërimisht, egër, ashtu siç mund të duhen brenda vetvetes e njëjta lëndë e sendërzuar në dy pika të ndryshme. E doja siç do toka tokën, uji ujin dhe seksi seksin. Si Irisin që kisha dhe Irisin që s’do kisha më. Askush nuk do ta vajtonte dot këtë humbëtirë të jetës sonë, nuk do ta ndjente dot thelbin e gjallimit dhe të agonive sa unë. Askush, sepse kjo humbëtirë, me mrekullitë dhe dështimet shterëse kish ditur të më gjente në honin e askushëve dhe të ma vajtonte thelbin kur qeniet dhe sendet e tjera lëvdonin hiçin pavetëdijshëm, pa ditur ç’ishte”. ( Ardian Christian Kyçyku, “Incognito”, Naimi 2016, f.61)

Loji, Vetmiri, Arma, janë personazhe që mbushin ndërmjetësinë, duke na ardhur herë si shaka e botës me ne, e herë ne pjesë e lojës së përhershme mes nesh dhe botës. Në 24 vite që zgjat romani dilemat dhe dyshimet veçse rriten, por nuk ndryshojnë kahe. Do të mbulohesh gjithnjë nga malli, sepse të shkruhet në lëkurë, bashkë me dëshirën për të qenë atje ku je nisur, por edhe për t’u ndjerë vetja atje ku ke mbërritur. Në kaosin e ndjesive dhe mendimeve e vetmja që mbetet veç një hap larg është vdekja. Nuk ka rëndësi nëse vjen me një plumb, me një klithmë apo si një zog në fluturim. Ajo që është përpara teje me sy hapur është një vdekje më e trishtë, më e ngadalshme dhe ty të mbetet të vajtosh vetveten- një proces që nuk rrok as jetën e as vdekjen.

Gjithçka vjen përmes një autoironie therëse. Ligjërimi i romanit është në kufijtë e poezisë – një kufi mes lotit dhe buzëqeshjes. Kufij që vijnë përmes dëshirës për të hipur mbi ëndrrat tona dhe për të qenë në fluturim drejt asaj që kemi dashur gjithmonë, dhe tokës që na thërret në përditshmërinë që duhet të lexojmë. Po çfarë mbetet bosh në këtë përballje? A mund të jetë një ditë një dorë e zgjatur në besim? A mundet që një ditë ne të shohim veten në krahun tjetër, të lexojmë sytë dhe të mos dyshojmë se ata po kërkojnë nga ne një buzëqeshje?

Kyçyku kërkon të ndërtojë më shumë pyetje se sa përgjigje, duke dhënë gjithë botën që ndan dhe bashkon ecjen paralele të njeriut me tjetrin, me atë që njeh dhe atë që nuk njeh, me atë që dëshiron dhe atë që nuk beson se mund të ketë një këmbim fjalësh. Dhe Kyçyku, duke përdorur një kohë të gjatë, prej 24 vitesh, në rrugëtimin e këtij rrëfimi, na vjen si “Incognito”, si njeriu që udhëton në emrin e tjetrit, duke rrëfyer atë çka mbetet përherë në kokën e mërgimtarit, qoftë ky i suksesshëm apo i pasuksesshëm, me fat apo pa fat, me ëndrra apo pa ëndrra.

Krisi gjeli i parë. Kjo klithmë më kujton rojen, Lojin e pagdhendur dhe kërcënimet e tij që jo rrallë m’i sillnin zorrët në fyt. Loji vinte përballë meje dhe heshtte. Ngaqë kapelat i mbanin rrasur thellë në kokë dhe ngaqë ishte errësirë, fytyra e tij më kujtonte një kafkë. Ndoshta kafkën i kujtoja edhe unë atij. Dhe ndonëse ne të dy ishim kafka, dhe ndonëse ne të dy merrnim frymë, unë dyshoja në frymëmarrjen e tij. Ishte ndjesia që më krijohej sa herë gjendesha në prani të saj që njëson të gjallën, të vdekurën, të ngurtën, të pamëshirshmen, të njëkohëshmen e të papërsëritshmen, lëvizjen dhe ngrirjen, akullin, ngrohtësinë, të përbashkëtën dhe krejt të huajën; ndjesia që mbase provon njëra drejtëz ndaj paraleles së vet, ndërsa hapësira mes dy drejtëzave ishte bosh” ( Ardian Christian Kyçyku, “Incognito”, Naimi 2016, f.121)

Po nga cila anë duhet t’i dalim vetes për të besuar se jemi në rrugën e duhur për dëshirat dhe zemrën tonë? Dhe Kyçyku zgjedh butësisht kahun e njeriut që di të rrojë atje ku mund të ndërtojë vetveten, përmes gjuhës apo gjuhëve, përmes dashurisë që patëm dhe asaj që gjetëm. Sepse njeriu që beson dhe dashuron ka fatin të ketë kohën e tij…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *