Tempo di Libri: Disidenca e Musine Kokalarit, jehonë në Milano

Postuar më: 20 April 2017 09:13

Në panairin e librit në Milano një takim për Musine Kokalarin, nën siglën D si Disidenca, me fokus kujtimet e saj nga vitet e shkollimit në Romë, ku është i ftuar të flasë profesori i Antropologjisë në Universitetin e Mesinës, Maurio Geraci, hartues i botimit në gjuhën italiane të librit: “Musine Kokalari, jeta ime universitare. Kujtimet e një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste”

Letërsinë shqipe në panairin e librit në Milano ka vendosur ta prezantojë e promovojë vetë Ministria e Kulturës. Në njoftimin e publikuar dje, s’përmendet asnjë botues por flitet për një nismë ku rreshtohen disa institucione në dukje formale, politikisht, që vjen me këtë rast midis rajonit të Puglias, e një shtëpie botuese “Besa”, Ministria e Malit të Zi dhe zyrtarët shqiptarë duke e konsideruar këtë si “intensifikim të bashkëpunimit ndërterritorial mes këtyre vendeve në fushë të kulturës”. “Tempo di Libri” është motoja e panairit të botuesve italianë në Milano, nisur prej ditës së djeshme deri më 23 prill. Në këtë panair libri shqip, zyrtarisht nuk ka stendë, por nga njoftimi i Kumbaros letërsia shqipe do të paraqitet pranë stendës së Rajonit të Puglias, më datë 21 prill, ku do të ketë edhe tri takime për letërsinë shqipe duke u konsideruar si bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi.

Një nga takimet i kushtohet Musine Kokalarit, duke asociuar në përvjetorin e 100-vjetorit të lindjes së saj, ku do të jetë i ftuar profesori i Antropologjisë në Universitetin e Mesinës, Maurio Geraci, hartuesi i botimit në gjuhën italianë të librit “Musine Kokalari, jeta ime universitare. Kujtimet e një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste”.

Takimi do të zhvillohet nën siglën D si Disidenca, në përshtatje me hartën e tematikave sipas shkronjave të alfabetit të hartuar nga organizatorët e panairit të librit në Milano. “Musine Kokalari – vetëdija e shkrimit dhe qëndresës” është dhe tema për të cilën do të diskutohet duke u përqendruar te figura e Musine Kokalarit si shkrimtarja e parë në letrat shqipe, me një vetëdije të qartë për shkrimin e letërsisë, si intelektuale e shquar e aktive në jetën sociale e kulturore të vendin, si politikane bashkëthemeluese e Partisë Social-Demokrate, dhe si një prej figurave më dinjitoze të qëndresës kundër diktaturës komuniste. Në fokus të bisedës do të jetë libri i Musine Kokalarit me kujtimet e viteve të shkollimit të saj në Romë, i shkruar në gjuhën italiane, duke dëshmuar kështu një ndër të parat përpjekje të autorëve shqiptarë për të kapërcyer pengesat gjuhësore në promovimin e krijimtarisë së tyre jashtë vendit. Për kujtimet e saj universitare vetë Musineja ka shkruar: Në qershor të vitit 1937 kreva në Tiranë studimet e shkollës së mermes dhe nisa të mendoja thellë për muaj e muaj një aspiratë të madhe, të re për ne vajzat shqiptare: Universitetin. Kisha dëgjuar shumë herë të flitej për jetën universitare si një jetë e lehtë, e këndshme e plot me ëndrra. Mungesa në vendin tonë e kësaj shkalle të lartë studimi, na shtyn ne, vajzat shqiptare, të kërkojmë jashtë dhe natyrshëm në Itali mënyrën për të kënaqur ambicien tonë.

Tani jam duke e përfunduar këtë kurs dhe kështu kam vendosur të shkruaj ndonjë përshtypje timen, përpara se të largohem nga Italia. Ky libër është një dëshmi personale e përvojës sime të jetës dhe akoma më shumë të mendimit tim. Është një prozë e natyrshme e jetës së përditshme.

Idetë e shprehura në këtë librin tim nuk janë të reja, janë të menduara edhe nga të tjerë por ato janë bërë pjesë e qenies sime. Nuk jam erudite, kështu që vëzhgimet e mia mund të mos duken të thella. Kam lexuar shumë, gjithçka më ka rënë në dorë. Metoda ime në shkollën e mesme ishte e gabuar, dhe nga këtu kanë rrjedhur vështirësitë me të cilat jam ndeshur gjatë kursit universitar.

Nuk do të mungojnë kritikat mbi librin tim, veçanërisht nga këndvështrimi i gjuhës italiane, që është e bukur dhe shumë e pasur, por që unë nuk e njoh në përsosmëri: pavarësisht kësaj dua të përpiqem të shpreh mendimet e mia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *