Shoqëria e unifikuar dhe autonomia e individit

Postuar më: 15 April 2017 10:25

Export to PDF | Export to DOC

Rreth një viti më parë, një libër me ese dhe debate ku ndodhin ide – “Pesë leksione rreth Konstitucionalizmit” i autorit Spartak Ngjela, botuar nga “UET Press”, shoqëroi nevojshmërinë e rritjes së autonomisë legale, në nivel sistemi dhe qytetari, për vazhdimin normal të konsensusit komunitar. Dhe në të vërtetë shumë reforma janë përmbushur a janë në rrugë e sipër për këtë qëllim, për një shoqëri manaxheriale dhe me lidhje autonome midis individid dhe shtetit, sikurse porosit autori.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Rreth një viti më parë, një libër me ese dhe debate ku ndodhin ide – “Pesë leksione rreth Konstitucionalizmit” i autorit Spartak Ngjela, botuar nga “UET Press”, shoqëroi nevojshmërinë e rritjes së autonomisë legale, në nivel sistemi dhe qytetari, për vazhdimin normal të konsensusit komunitar. Dhe në të vërtetë shumë reforma janë përmbushur a janë në rrugë e sipër për këtë qëllim, për një shoqëri manaxheriale dhe me lidhje autonome midis individid dhe shtetit, sikurse porosit autori.

Deri më tani, vijon ai, moderniteti ende supozon se individët i takojnë shoqërisë. Cakitet ideja novatore, por që akoma nuk ka gjasa të ndodhë, e bashkimit të një shoqërie në mënyrë heterogjene. Por ajo që kemi, është shoqëria e unitetit sipas ligjit, i cili ka të tjera karakteristika në dallim nga bashkimi i një shoqërie nën një të drejtë, siç mund të ëndërrohej. Pra, ligji merr përsipër të krijojë unitetin legal të saj, të vendosë kufinjtë e rendit social, dhe të zbatojë drejtimin sipas tyre, duke supozuar që prej fillimi vullnetin pohues.

Duke përcaktuar si vlerën themelore të konstitucionalizimit autonominë e qytetarit, pra vullntshmërinë e tij për të rënë dakord, prej efekti  dhe prej pikënisjeje, ai mbështet fuqimisht idenë se vetëm një shoqëri me autonomi individi mund të ndërtojë një shtet demokratik. Këtu mund të hapim një lloj debati, i cili nuk është se ka ndonjë përfundim, por paraqet pyetjen: është shteti autonom që ndërton autonominë e qytetarit, apo është autonomia individuale, qytetare, që ndërton një shtet demokratik? Por me sa duket të dyja këto shkojnë në kooevolucion dhe janë mjedis për binarizimin e sistemit të secilit syresh.

Ajo që ndihmon dhe po ndërton shëndetin e autonomisë qytetare shqiptare besoj dhe respektivisht të shtetit të saj, përpos ligjit të shkruar, janë një sërë reformash në ekonomi, të adoptuara dhe të implementuara përgjatë dy viteve të fundit, sidomos drejt krijimit të një tregu të mirëstrukturuar, i aftë për t`u përballur me presionin konkurues të tregjeve më të avancuara rajonale dhe më gjerë. Reformat në makroekonomi dhe në sistemin fiskal, gjithsesi, janë edhe një aksion juridik i shtetit të së drejtës për përmirësimin e standardit nëpërmjet strukturës së organizimit dhe standartizimit.

Nëse nisemi nga pikëpamje radikale konstruktiviste, është vetë-referenca e individualitetit psiqik ajo që ndërton sistemet sociale. Pra, shoqëritë, kthehen nga uniteti i njëshmërisë, siç pretendonte Hegel, Marks etj, në unitetin e dallimeve. Por ngjarjet e kohëve të fundit tregojnë se është rritur dhe vazhdon të rritet përgjegjësia politike e shtetit për qytetarin dhe sistemin, pasi kompleksiteti në mjedis, për të dy aktorët, individ dhe shoqëri, po turbullonte konturet e dallimit, dhe linte shteg për cedime, të cilat prekin interesat dhe liritë e të dy palëve.

Kështu  vemë re se Europa dhe Shtetet e Bashkuara po rrisin përgjegjësinë në administrimin e burimeve, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të tyre, duke dashur të manaxhojnë sa më mirë ato në favor të palës qytetare, e cila me sa duket është kusht bazë për ekzistencën e konstitucionit dhe balancimin e tij, në funksion.

Ky proces paraqitet si një lloj friksioni, riballafaqimi dhe rivlerësimi, dypalësh, ku aktorët, që kanë ndarë rolet dhe detyrat, duhet të masin edhe një herë liritë dhe detyrimet e tyre, të ridimensionojnë kufinjtë dhe të ruajnë etikën kundrejt autonomisë së palëve, në shpejtësinë marramendëse të globalizmit.

Kështu integrimi dhe konstituimi, është edhe një proces kalkulimi, një proces racionalizimi i vazhdueshëm, siç shprehet me elokuencë, autori Ngjela.

Në këtë proces, që nuk është thjesht linear por integrativ, kemi disa përbërës, si: diferenca, elementi konstant i saj, elementi integrativ i saj dhe ai derivativ; d.m.th: çfarë pritshmërish do realizojë në nivel sistemi dhe ndërsistemi, respektivisht pastaj edhe për qytetarin e vet, aplikacioni përfundimtar, forma e kontratës dypalëshe, dhe ndërpalëshe, sepse çdo shtet vepron mes shtetesh. Në një farë mënyre, pas çdo palë zgjedhjesh, kemi një mandat ku ridimensionohen potencialet dhe dispozitat.

Aplikacioni ka një qëllim: të jetë sa më pranë formës që bart fuqinë, domethënë që ka më shumë probabilitet në përcaktimin e së papërcaktueshmes, për të vazhduar zona pozitive e hapësirës, në bazë të principit të ndërtuar prej saj, pra, shoqërisë.(Auguste Comte e shikonte shoqërinë si një integritet forcash dhe kishte koncept fizik për të. Dhe sa vjen, shoqëria po çlirohet prej ideologjizmit dhe po e përcakton vlerën e vet në këtë kuptim përgjatë komunikimit).

Me një stil të qartë e intensitet linjash, autori krijon figurën e konstitucionalizmit në hollësi në këtë raport, portretizon variablat konstituitivë, pozicionon vlerën e secilit, si dhe hapësirat legale midis, me të drejtat e detyrimet përkatëse, herë- herë shkakësore e logjike, herë paradoksale – imperative.

Në racionalizmin e përdorur me mjeshtëri, energjik dhe poetik, gjë e cila e bën lëndën sugjestionuese dhe po aq ndriçuese, një theks i veçantë vendoset mbi aspektin human, edhe pse të padukshëm, që bart me vete kontrata shoqërore. Shteti modern ve në korrelacion të drejtat edhe liritë e individit, duke krijuar struktura politike dhe administrative për to. Por me një intuitë befasuese, sikur të parashikonte ridimensionimim e shtetit nacional, dukuri që ka filluar të shfaqet në hapësirën integrative, autori parashikon risqe të mundshme kur thotë:

“E rëndë ka qenë në historinë moderne të shtetit kur u mendua se duke krijuar një doktrinë apo një ideologji, që do të mbronte shoqërinë si një të tërë, dhe do ta vinte interesin shoqëror egërsisht kundër çdo interesi tjetër, do të krijohej realisht edhe vetë uniteti i kësaj shoqërie. Në fakt teoritë dhe idetë kolektiviste të zhvillimit, kanë qenë frikëra inerciale të vetë koshiencës njerëzore, por më tepër ato erdhën dhe u konsoliduan kur doli në skenë shteti nacional dhe nacionalizmi. Të gjitha doktrinat nacionale u integruan në një qëllim të përbashkët kolektivisht, dhe prandaj ranë në racizëm.”

Duke përmendur “frikërat inerciale të koshiencës”, autori takohet me idenë post moderne se është niveli i vetë-referencës individuale ai që përcakton tipologjinë e fizionomisë legale. Por nga ana tjetër vetë-referenca individuale e subjektit, përplaset mëse një herë me ligjin dhe normën, kudo, dhe e përdor atë si element ndërtimi, për veten e vet, dhe për dalje nga barrierat legale.

Kështu barrierat marrin një rol konstituitiv për koshiencën dhe shoqërinë dhe spostohen në bashkëzhvillim të të dyjave, dhe nga kjo pikëpamje pajtohemi me idenë prapë moderne, se mendimi vjen nga shtypja, nga nevoja për zgjidhje. Por mund të shtoja këtu edhe një diçka: në psikanalizë apo psikoterapi, kohëzgjatja disavjeçare e shërimit nga diskursi i çdo lloji, depresioni, i të ashtuquajturit “pacient”, mund të jetë kohëzgjatja e shërimit të shoqërisë prej elementit represiv që ajo përdor: si moskuptimi, interesi, insinuimi.

Dhe në këtë pikë, me një lirizëm realist, pasi ka mbaruar pothuajse gjithë shtjellimin multi dimensional të lëndës, Ngjela thotë për shoqërinë:

“Nën këtë Koncept, e gjitha (shoqëria), s´është gjë tjetër, veçse diçka e supozuar që konstituon vetveten, nëpërmjet lidhjes së pjesëve të saj. Shoqëria si një e tërë, gjithmonë do të mbetet një nocion abstrakt, që nuk dihet se kujt i përket, megjithatë konceptimi i saj ka marrë formë konkrete…Në historinë e shtetit dhe të qytetërimit, koncepti i shoqërores është përdorur vazhdimisht nga ideologji të ndryshme dhe individë që në këtë ideologji kanë mbështetur qëndrimin e tyre tiranik…Uniteti i shoqërisë së strukturuar në një shtet demokratik, kurrë nuk mund të vijë nga fakti që shoqëria është një e tërë dhe, për interes të saj, ajo mund të mbysë çdo individ, por kur ajo është autonome, edhe në një moment singular (të veçantë gjykimi) dhe autonome, edhe në një moment të përgjithshëm (të zakonshëm).”

Vepra në fjalë, e autorit Spartak Ngjela, është një ekspertizë e spikatur mbi procesin e socializimit pasqyruar si normë legale e abstraguar, dhe norma legale në funksion të tij; ky vëzhgim krijues i këtij pasqyrimi, në një fokus që jep hollësi e informacion, herë lirshëm, herë të intensifikuar, për nivel sistemi shoqëror dhe lexuesi të kualifikuar, është një riprezantim i denjë, individual, përgjithësues, i atyre  vlerave orientuese, për të cilat aq shumë po përpiqemi si komunitet dhe individë, në këtë kohë sfidash dhe arritjesh, prej vetë kompleksitetit që ato atraktojnë.

*(UMSH)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *