Odise Kote: Në qytetin kur njeriu i lirë, i pavarur është fillimisht gjyqtar…

Postuar më: 11 April 2017 09:36

“Funerali i hijes” ridimensionon një stil shkrimi dhe mendësie që është në kërkim të zbulimeve antropologjike që s’reshtin për qytetin e Gjirokastrës, pothuaj në një hulli me Kadarenë. Jemi brenda një oazi që ia njohim strukturën, gjenezën, qysh me romanet e Kadaresë. Por Kote, e zhbën këtë situatë letrare me një nxitje të brendshme, vetjake diku në thellësi të së errëtës, në historinë e ngjarjeve të fundviteve ’40, kur ndodhën ndryshimet politike e sociale në vendin tonë, e ndalur në Gjirokastër.

Në këtë qytet, njeriu, para se të jetë qytetar i lirë, i pavarur, është fillimisht gjyqtar. Ose më saktë është gjyqtar, po aq sa është dhe i gjykuar. Çdokush gjykohet e gjykon tjetrin.

Për gjithçka. Sapo lind fëmija gjykon e gjykohet nga prindi, motra, vëllai, gjitoni. Gjykimi, shpesh edhe hapsana janë e zakonshmja më e natyrshme në këtë qytet. Atyre as iu reziston dhe as iu ikën dot. Ja përse dukej absurd fakti që ndërsa gjithë ditën ngatërroheshin në biseda për ligjet e gjithë botës, thellë në muzg a mesnatë, fshehtas, në vetmi e sekret të plotë, jepnin urdhra të prerë për dënim me hapsanë. Njëri që gaboi dhe e quajti hapsanën vetëgjyqësi, prapambetje, u dëbua menjëherë nga Klubi i Gjuetarëve.  Odise Kote në këtë pasazh, diku në faqen 31 të romanit “Funerali i hijes”, ridimensionon një stil shkrimi dhe mendësie që është në kërkim të zbulimeve antropologjike që s’reshtin për qytetin e Gjirokastrës pothuaj në një hulli me Kadarenë. Jemi brenda një oazi që ia njohim strukturën, gjenezën, qysh me romanet e Kadaresë. Por Kote, e zhbën këtë situatë letrare me një nxitje të brendshme, vetjake diku në thellësi të së errëtës, në historinë e ngjarjeve të fundviteve ’40, kur ndodhën ndryshimet politike e sociale në në vendin tonë, e ndalur në Gjirokastër.

Për këtë lëndë të zgjedhur në roman, Kote ka tha: Është një hije duale që ka brenda edhe të gjallët dhe të vdekurit. Kam dashur t’i jap gjurmë të pashlyeshme të një kohe me personazhet të cilët vijnë rrotull në një karusel, ku i mençuri dhe i marri, ku njeriu i thjeshtë dhe gjeniu jetojnë bashkë në një qytet.

Subjekti mban një ngjarje të vetme – zhdukjen e bankierit Petro – vërtitet një botë e madhe dhe e pasur në zhbirime psikologjike, në kolorit lokal, ku jeta e panjohur dhe e papritur që po vjen, po shemb të gjitha pikat e mëparshme të referencës. “Romani, pavarësisht atmosferës surreale – që në të vërtetë është reale, por tingëllon si e tillë, për shkak të veçantisë së Gjirokastrës dhe këtu duhet të rrekemi e të kuptojmë se ku mbaron e veçanta dhe ku fillon fantazia, gjë aspak e lehtë – ka një galeri shumë interesante personazhesh”, -tha mes të tjerash shkrimtarja Diana Çuli. Ajo shtoi se “romane të tilla, janë një prurje entuziaste në lëvrimin e vazhdueshëm të letërsisë sonë, janë shpresa se letërsia shqipe, me gjithë uljet e ngritjet e saj, gjithnjë ngre kokë me vlera artistike dhe me seriozitet”. “Roman befasues… Autori pasi ka krijuar një tipologji të veçantë, në një roman ku flitet për një Gjirokastër multikulturore, me një leksik të rrallë që ka fituar qytetarinë nga pena e Odise Kotes”, do ta cilësonte Dorian Koçi, romanin e Kotes në promovimin e djeshëm në Muzeun Historik Kombëtar.

Dhe për ta marrë gjithë këtë botë unike, Kote vazhdon me zbulimin e një matësi individual… “I padëshiruar! Se dënimet në hapsanë nuk jepeshin kot së koti. Kurrsesi. Kishin një rrënjë. Një shkak. Turpërim i fisit, sjellje e padenjë në rrugë, dashuri e ndaluar, vjedhje e stolive të familjes, e unazës familjare me gurë smeraldi, fshehje e tapisë, be e rreme, vjedhje lekësh në pazar, zënia me forcë e një të miture, vjedhja e karficës së florinjtë, thyerje e ligjit të shtetit… Vetëm për këto e të tjera shkaqe të ngjashme, jepeshin dënime të rënda. Babazotët, zinxhir brez pas brezi, nuk e dorëzonin njeriun e familjes te ligji i shtetit. Jo. Dukej sikur i kapardiseshin atij: “Ç’të duhet ty? Ja ku jam vetë! Nuk e jap njeriun e gjakut! Jam zot! Jam vetë shtet”.

Kapardisje kjo që, ndonëse nuk thuhej kurrë, ishte e nënkuptuar. E pathënë, po përvëlim. Zjarr.

Pavarësisht këtyre, ngaqë asnjëri nuk e merrte vesh të vërtetën e tjetrit, shpesh dënimet ishin të pakuptimta. Ose të trilluara. Vetëm sa për të thënë: “Ja ku është hapsana, ja dhe dënimi!”. Ndaj dhe hapsanat nuk jepeshin borxh, me fajde apo me qira. Për shtëpitë e mëdha hijerënda të Gjirokastrës që çelësin e sekretit e fshihnin në pusin e thellë të heshtjes, spiunimi i familjes ishte gjëmë. Gjëmë e padëgjuar. Zhbërje e nderit. Fisit. Kur ndodhte të dilte sekreti, mëhalla gumëzhinte: “U turpërua dhe filani!…” (nga romani, f.32).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *