Në Francë do të zgjidhet e keqja më e vogël

Postuar më: 21 April 2017 08:49

Le Figaro

Fatmirësisht për bookmakersat francezë, atyre iu ndalohet të vënë baste për zgjedhjet. Përcaktimi i koeficientëve në këtë garë, do të ishte “mizor”, pas gjithë atyre që kanë ndodhur deri tani.

11 ditë para raundit të parë, Franca është duke përtypur një mundësi, e cila vetëm pak javë më parë do të kish qenë e paimagjinueshme: eliminimin e të gjithë kandidatëve të partive kryesore, dhe një përplasje mes populistëve radikalë. Një duel mes nacionalistit trockian, Jean-Luc Mélenchon dhe Marine le Pen, është diçka që mund të ndodhë, shkruan e përditshmja britanike, Times of London.

Ky sistem, në të cilin ti voton me zemër në raundin e parë dhe me mendje në raundin e dytë, u projektua për të penguar ekstremistët që të shkonin në Pallatin Élysée. Ia ka dalë deri më sot, si për shembull kur Jean-Marie le Pen, babai i Marine, arriti deri në balotazh në vitin 2002.

Është e zakonshme të dëgjosh njerëz që thonë se, as nuk e kanë idenë për kë do të votojnë, dhe një numër rekord pritet të abstenojnë. Jérôme Fourquet, drejtor politik i institutit të sondazheve Ifop, tha dje: “Jemi në një Trekëndësh të Bermudës, vetëm se është më shumë një kub. Çdo gjë mund të ndodhë”.

Emmanuel Macron, ish-ministër i Ekonomisë, mbetet favorit për të fituar balotazhin, por ai duket i lëkundur, pasi gjysma e mbështetësve të tij, thonë se mund të ndryshojnë mendje.

Marine le Pen, që konsiderohet e sigurt të arrijë në balotazh, e ka humbur shkëlqimin, pas akuzave për mashtrim në Parlamentin Evropian dhe shfaqjes nën nivel, në dy debate televizive.

Javë të tëra të skandalit mbi vendet e punës në parlament për familjen plus dhuratat e dyshimta nga miqtë, nuk e kanë nxjerrë dot jashtë loje François Fillonin, ish-favoriti për këto zgjedhje. Konservatorët besnikë ende mund ta shpien atë mbi pragun që nevojitet për të dalë në balotazh.

Kjo fushatë ka qenë e mbushur me befasi, goditje e kundërgoditje, si skandali i Fillonit. Por ajo reflekton edhe indinjatën e fortë ndaj politikanëve, ekspertëve dhe mediave. Po atë indinjatë që çoi Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe Britaninë jashtë BE-së.

Ashtu si anglosaksonët, pjesa më e madhe e Francës beson se politikanët janë të korruptuar, shtypi është i pabesueshëm dhe mediat sociale janë më të besueshme. Dhe duke qenë se francezët janë ndër popujt më pesimistë në Europë, ka edhe një ndjesi apokalipsi që po afron. Dhe kjo e bën më të mundshme mundësinë e një përplasjeje mes dy demagogëve në balotazh, të cilët të dy premtojnë largim nga BE dhe Euro.

E megjithatë, edhe në fund këto zgjedhje mund të prodhojnë pakënaqësi. Macroni, favoriti për të fituar, mund të jetë një i pavarur i ri, por ai është gjithsesi një produkt i pastër i sistemit. Ai është një nëpunës civil miqësor ndaj biznesit, pro europian, që mbështetet prej ministrave socialistë dhe veteranëve të qeverisë së qendrës së djathtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *