Ndërkombëtarët na duhen vetëm kur na vrasin armiqtë, ose kur vritemi mes veti!

Postuar më: 18 April 2017 09:25

Export to PDF | Export to DOC

Nga Arjan Ҫuri

Hipokrizia jonë me ndërkombëtarët ka arritur kulmin, mbas vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman, saqë po bëhemi qesharakë në kancelaritë botërore. Diskursi politik i opozitës që ka zgjedhur të bojkotojë institucionet dhe të dalë në rrugë, po e tejkalon çdo imagjinatë kundër çdo eksponenti të lartë europian apo amerikan që viziton Shqipërinë. Është e paqartë akoma arsyeja se cili dëshpërim i brendshëm e shtyn opozitën të bëjë të tilla deklarata izolacioniste, që fillojnë me cilësimin e çdo ambasadori apo të dërguari të posaçëm, si të korruptuar apo me axhendë private, që ndërhyjnë në punët e brendshme tonat në mënyrë të paligjshme, deri edhe te diskutimi i figurës morale, apo thashethemeve të ulëta për vjedhje fondesh e blerje vilash.

Pikë më të ulët në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, opozita nuk ka patur ndonjëherë dhe shpresoj që t’i ketë të qarta arsyet se pse ka zgjedhur këtë trajektore përplasjesh me të huajt, që vetëm do ta dëmtojë imazhin e saj, si forcë properëndimore, në mënyrë të pariparueshme, përveçse do ta bëjë që të humbasë akoma edhe më shumë mbështetje popullore, pasi elektorati shqiptar është shumë i ndjeshëm ndaj të huajve dhe deklaratave të tyre, duke qenë se faktori politik shqiptar, së bashku me institucionet që ai ka prodhuar gjithë këto vite “demokracie”, e ka humbur rëndë besueshmërinë publike.

Dhe këtë gabim të rëndë strategjik, po e shfrytëzon më së miri mazhoranca, kur Kryeministri që e drejton, përdor në mënyrë gjeniale propagandistike refrenin: “Mjafton ta thonë ndërkombëtarët, mjafton ta thotë Uashingtoni, mjafton ta thotë Brukseli, apo ne votojmë çdo gjë që thotë OSBE-ja”. Në këtë mënyrë, ai po e godet rëndë opozitën, duke përdorur vetë armët e kësaj të fundit, duke iu thënë ndërkombëtarëve se të paktën me mua, ju mund të merreni vesh e të bisedoni, kurse sinjalet që ju vijnë nga opozita, kur kontaktoni me ta, është që flisni broçkulla, ose minimalisht nuk na kuptoni, sepse jemi shumë gjenialë apo unikalë në llojin tonë, për të na kuptuar.

Me këtë lloj strategjie komunikimi me ndërkombëtarët, opozita nuk po bën tjetër veçse po ia fuqizon akoma më shumë pozitat dhe po ia rrit prestigjin në sytë e të huajve, Kryeministrit që do ta rrëzojë, me anë të një çadre në bulevard, duke i dhënë atij, në këtë mënyrë, akoma më shumë vite të gjata në pushtet. Situata ka arritur deri aty, sa shumëkush pyet veten, nëse opozita e ka akoma apo e ka humbur kthjelltësinë politike të diplomacisë së jashtme, ndërkohë që kontakton me përfaqësuesit e huaj që marrin mundimin, pikërisht për shkak të situatës që kemi krijuar, dhe na vënë në axhendën e tyre?

Sigurisht që sërish pyesim që nuk e ka kuptuar akoma opozita që sa më shumë e ashpërson ajo gjuhën drejt përfaqësuesve të shteteve të fuqishme europiane dhe botërore, jo vetëm që nuk po arrin mbështetjen apo minimalisht heshtjen e tyre, por po merr pikërisht efektin e kundërt? Pra, ministra dhe sekretarë të fuqishëm shtetesh, vijnë dhe ua thonë në sy, ne mes të Tiranës dhe para gjithë shqiptarëve, se e vetmja përgjegjëse për gjithë këtë katrahurë të krijuar, është opozita dhe askush tjetër.

Madje ata vijojnë se është totalisht e palogjikshme dhe e pakuptueshme gjithçka që ajo kërkon, me rrëzimin jo demokratik të një qeverie legjitime, pak para zgjedhjeve. Pikërisht këtë gjë tha edhe Ministri Gabriel, madje ai akuzoi edhe për forca politike dhe ekonomike, që nuk e duan vettingun, sepse duan interesin e tyre më shumë sesa të Shqipërisë, dhe me këtë orientim lokalist, Shqipëria do të ngelet akoma për shumë kohë larg proceseve integruese. Por sërish, opozita jonë, ndoshta sepse në këtë pikë që ka ardhur, realisht nuk mund të bëjë dot më mbrapa, deklaron me anë të liderit të saj, se nuk ka forcë në tokë edhe në qiell, që ta bëjë të kthehet mbrapa.

Por e vërteta është se ka një forcë, madje janë dy forca, njëra mbi dhè, që janë votuesit e saj, të cilët do t’i shohim me interes sesi do të sillen, që do ta bëjnë atë dhe çdo forcë që nuk respekton rregullat demokratike, që të kthehet mbrapa, siç e ka treguar historia jonë e tranzicionit. Kështu, forca “tokësore”, janë populli elektoral që ndëshkon ose të mbështet me votë dhe forca “qiellore” janë ndërkombëtarët që dërgojnë gabrielët si “engjëj” lajmëtarë, për të informuar tokësorët, pra votuesit se si të pozicionohen para kutive të votimit. Dhe kjo nuk ka asnjë diskutim që funksionon në këtë mënyrë.

Këto dy forca, pra tokësoret dhe qielloret, bashkëpunojnë gjithmonë dhe në çdo kohë, për të luftuar forcat e errëta “diabolike”, që gjenden kudo, edhe djathtas edhe majtas, brenda dhe jashtë, që synojnë ta mbajnë peng këtë popull dhe institucionet e tij. Kështu për forcat e errëta që gjenden jashtë nesh, si për ato shtete apo kombe armiqësore që na kanë luftuar dhe na kanë kërcënuar me shfarosje, ishin tokësorët dhe qiellorët, pra shqiptarët dhe ndërkombëtarët që kanë luftuar kundër tyre, deri edhe me bomba apo inteligjencë, për të arritur lirinë tonë aq të dëshiruar. Rasti i çlirimit të Kosovës është tipik për nderin e madh që na kanë bërë ndërkombëtarët. Por liria që na ndihmuan të arrijmë, menaxhohet vetëm brenda institucioneve demokratike, parlamentit, Kushtetutës dhe gjyqësorit. E dalë nga këto institucione, kjo liri rrezikohet të kthehet në anarki dhe madje edhe energji luftënxitëse.

Gjithashtu, forcat lokale dhe ndërkombëtare, kanë bashkëpunuar edhe për të rrëzuar regjime tiranike, apo autoritariste, të zhvilluara brenda nesh, të cilat në asnjë rast, mbasi të instalohen, nuk përballohen dot me tokësorët, pra me vendorët, nëse nuk ka mbështetje të huaj. Konfliktet botërore të sotme, e shpallin botërisht këtë aksiomë. Kështu, nëse kjo rrugë pa krye që kemi nisur, duke dalë nga institucionet, do të na çojë në konflikte civile si ato të 1997, do të jemi vetë ne pastaj, që do t’i thërrasim ndërkombëtarët, si forca paqeruajtëse, mbasi ne e kemi treguar më shumë se një herë që e humbasim toruan deri në atë pikë saqë kthehemi edhe komb vëllavrasës.

Prandaj, ka ardhur koha, që të bëhemi seriozë me ndërkombëtarët, që edhe ata të mos ta humbasin me të drejtë, durimin me ne, pasi kanë gjithë këto vite që na japin leksione demokracie dhe kulturë institucionale, por që ne nuk duam që nuk duam të mësojmë. Dhe do të bëjmë mirë që t’i dëgjonim me vëmendje dhe mirënjohje, dhe të paktën me ata që na kanë ndihmuar të mos bëhemi të pasjellshëm dhe mosmirënjohës, pasi kështu siç po i çojmë vetë gjërat, shumë shpejt do t’iu lutemi të vijnë e të na qetësojnë apo të na pajtojnë sërish, kur ta kemi çuar konfliktin në pikë pa kthim. Dhe pastaj nuk e di nëse do të jemi akoma aq arrogantë sa t’u themi ato që po guxojmë t’u themi sot.

Por kështu, sërish do të tregojmë se jemi akoma njerëz të papërgjegjshëm për të qeverisur vetveten, pa patur një “edukator” nga qielli, që ndërhyn sa herë që kalamajtë e tokës shqiptare, të papjekur dhe qaramanë, që nuk duan rregulla burrërie, zihen me njëri-tjetrin, aq shumë, saqë duhet të vijnë “engjëj” pajtues, sepse përndryshe pasojat mund të jenë edhe fatale. Por falë Zotit, ndërkombëtarët janë aq të qytetëruar, saqë të mos ta humbin durimin me ne dhe për këtë kanë mirënjohjen e këtij populli të shumëvuajtur.

1 koment për këtë artikull

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *