Nano: Dëshmia kundër babait, skeleti në sirtarin e Lubonjës

Postuar më: 20 April 2017 09:09

Zululandin e djeshëm në Tema TV, në pjesën e dytë, Mustafa Nano u ndal tek ajo që ai e quajti çështja “Lubonja”, dhe denoncoi si hipokrizi qëndrimin e tij. Nano thotë se Lubonja mund të kishte patur rastin të sqaronte këtë pozicion por nuk e ka bërë, dhe sipas tij edhe pse nuk mund të fajësohet për atë që ka thënë në gjyq, ai duhej të kishte folur për këtë dhe nuk duhet të akuzojë të tjerë për manipulim e simulim të historisë.

Më poshtë po japim të zbardhur një pjesë të asaj që Nano tha gjatë emisionit Zululand.

Është publikuar dosja e hetimit të  Fatos Lubonjës, një hetim që është bërë në vitet 70’, ku është bërë një gjyq, pas të cilit Fatos Lubonja ka bërë 17 vite burg. Dashnor Kaloçi ka publikuar dosjen e hetimit të tij. Janë  një befasi disa pjesë të kësaj dosjeje, sepse nga ajo dosje del se  Lubonja ka disa “skelete” në dollap. Nuk e kisha menduar se Fatos Lubonja mund të kishte skelete të tilla në dollap, pasi ishte vetë Lubonja që i ka bërë të gjithë të besonin se ai nuk kishte një “skelet” të tillë; i ka bërë njerëzit ta besonin këtë gjë nëpërmjet luftës që ai u ka bërë të gjithë atyre që, sipas tij, kanë patur skelete të tilla, dhe i kanë fshehur. Për çfarë është fjala? Unë kam veçuar disa fraza nga deponimi i tij. Janë frazat që mua më kanë kapur në befasi. Ja:

“Më ka thënë babai se Lenini ka shkruar një letër para vdekjes, ku ka lënë porosi që Stalini të mos zgjidhet se është diktator; me këtë, babai bënte aluzion për shokun Enver e për Stalinin;… babai më ka thënë se Enver Hoxha është diktator;… babai në letër më shkruante gjëra armiqësore pikërisht për shokun Enver, dhe thoshte se e ka humbur ekuilibrin e trurit e të mendjes;… unë i kam folur Besnik Sinanit për librat e Hitlerit që kam lexuar”.

Pas publikimit të dosjes, edhe vetë Lubonja e ka kuptuar që i kanë nxjerrë skeletet nga dollapi, dhe kjo duket nga përgjigja që ka dhënë në një intervistë televizive: Lubonja ka thënë: “Problemi nuk kemi qenë ne që u përdhunuam, por ata që na përdhunuan, që na futën në burg; është njësoj si t’u thuash njerëzve që u përdhunuan: ore, pse hape këmbët ti?”.

Duhet thënë se Lubonja ka të drejtë në këtë reagim që bën, është një fakt shumë i padrejtë që hetuesit e komunizmit të vënë sot në bankën e të akuzuarve të dënuarit e tyre. Hetuesi Qemal Lame është shumë guximtar që merr përsipër ta luajë këtë rol në këto momente.

Nga ana tjetër, mund të jetë e kollajtë për të gjithë ne të tjerët që sot në vitin 2017, nga komforti që na jep liria, të thonim: “Uau, e paska bërë Lubonja këtë? Paska folur kundër babait të tij në mënyrë që mund të shfajësojë veten?”. Do të ishte e padrejtë  që njerëz të tillë si Lubonja të paditeshin, të akuzoheshin, të kryqëzoheshin për faktin se kanë thënë gjëra të tilla në rrethana që ne të i njohim mirë se cilat kanë qenë.

Unë kam patur vazhdimisht tezën që regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte i çmendur. Të thuash që ishte diktaturë, ti nuk ke thënë asgjë. Ai ishte një regjim absurd dhe i vendoste njerëzit gjithnjë në situatat nga më absurdet. Unë mendoj se integriteti dhe forca morale e dikujt në atë regjim nuk mund të matej me forcën për t’i rezistuar të gjitha sulmeve që regjimi mund t’i bënte dikujt.

Personalisht, nëse do të ndodhesha në rrethanat e Lubonjës, nuk e di si do të sillesha. Unë mund tregoja dobësi më të mëdha se sa Lubonja, mund që edhe të tregohesha i fortë, nuk e di. Por jam i prirur të besoj se do tregohesha më i dobët se Lubonja. Kështu besoj se do bënin shumica e njerëzve të kësaj bote. Ai ishte një regjim i lig, i poshtër. Kështu që problemi i Lubonjës nuk është ky. Problemi i Lubonjës është tjetër. Ai i ka sulmuar me të gjitha mënyrat të gjithë ata që, sipas tij, kanë patur skelete në dollap dhe i kanë fshehur, në një kohë që ai vetë paska pasur alamet skeleti në dollap. Kjo është gjëja më e padrejtë që Lubonja ka bërë gjithë këto vite. Ka sulmuar të tjerët për një mëkat që e ka bërë edhe vetë.

Çfarë do duhej të bënte Lubonja në këto rrethana?

Lubonja këtë ngjarje të jetës së vet mund ta kishte bërë publike me kohë. Jo për të diskredituar veten, por sepse ky është nga ato momente që të ndihmojnë për të folur për kontekstin historik e për regjimin. Një ngjarje personale e tillë është shumë e përshtatshme dhe të jep mundësinë të arrish në përfundime që i vlejnë të gjithë shoqërisë. Lubonja ka patur rast ta bëjë këtë, pasi ai ka shkruar edhe një libër për dënimin e tij, në të cilin këtë moment e ka fshehur. Ai, në vend që të gjente forcën për ta bërë këtë, ka bërë të kundërtën, ka bërë një betejë hipokrite kundër kulturës së manipulimit e trukimit që të tjerët i kanë bërë jetës së vet. Siç duket, është një konflikt e betejë e tij e brendshme e transferuar në jetën publike. Ndodh shpesh kjo gjë me njerëzit.

Ka edhe një trukim tjetër që Lubonja i ka bërë jetës së vet. Lubonja ka pretenduar se është futur në burg si Fatos. Mirëpo nuk është hiç e vërtetë që është futur në burg si Fatos. Ai është futur në burg si Lubonjë, është futur në burg si biri i babait. Nuk dyshoj se ai e ka urryer komunizmin, por puna është se nuk është futur në burg për këtë gjë. Sikur i ati të mos futej në burg, ai nuk do ishte në burg, gjithashtu. Shkurt, Fatosi nuk ka qenë asnjëherë në burg. Lubonja ka qenë.

Lidhur me kritikat e Fatos Lubonjës mbi Kadarenë, tash e tutje një kritikë nuk duhet t’ia lejojë më vetes, atë mbi kulturën e simulim-manipulimit. E duhet të skuqet që e ka bërë deri më sot në rrethanat që paska qenë vetë pjesë e kësaj kulture.

Kritikat e llojeve të tjera mund t’ia bëjë Kadaresë, piktorit Edi Rama dhe gjithë piktorëve dhe artistëve të tjerë, veçse  jo mbi bazën e vizionit që ai ka për artistët në botë. Përpara disa ditësh ai bëri një shkrim ku midis të tjerash ishte edhe një frazë e tillë: “Artisti i vërtetë ka nevojë edhe për aftësinë për të dëgjuar kritika, edhe për një humanizëm që e tejkalon shumë herë dashurinë vetëm për vetveten”. Sikur të mos e dija se këtë gjë e ka shkruar Lubonja, do të mendoja se është ndonjë frazë e Andrej Zhdanovit, apo e Stalinit, apo e Mao ce Dunit, apo e Enver Hoxhës. Mirëpo, jo, ky vizion banal mbi artistin është i Fatos Lubonjës.

 

Replika Lubonja-Çili për “dosjen Kadare”: Kultura e manipulimit vazhdon

Një letër publike e Ismail Kadaresë si përgjigje për Henri Çilin, ka ndezur debatin mes këtij të fundit dhe analistit Fatos Lubonja, mbi një dëshmi në dosjen e Lubonjës gjatë gjyqit ndaj tij dhe babait Todi Lubonja, ku përmendet shkrimtari. Lubonja akuzoi Çilin dhe Kadarenë për manipulim, ndërsa tha se ky proces ishte “problem i madh i shoqërisë shqiptare, është njësoj sikur t’iu thuash njerëzve që u përdhunuan “Ore po pse i hape këmbët ti”…kjo është shumë e rëndë, ky është problem i madh i shoqërisë shqiptare”. Analisti tha se sulmi ndaj tij është njëlloj regjimi i dytë që krijon procese të rreme. “…në një farë mënyre kemi të bëjmë me një regjim të dytë që vazhdon me kulturën e regjimit të parë, duke ngritur procese të rreme kundër njerëzve që tentojnë ose përpiqen të thonë ca të vërteta për këto regjime”. Lubonja po ashtu thotë se dëshmia e tij ku përmendet edhe shkrimtari Kadare është nxjerr nga konteksti.

Nga ana e tij, Çili thotë se akuza e Lubonjës është e padrejtë dhe se UET Press ka publikuar vetëm një dokument nga arkivat. Ndërsa akuzon analistin se merr padrejtësisht rolin e një prokurori publik, edhe pse nuk ia ka dhënë njeri këtë status. Çili thotë se dëshmia e Lubonjës e ka rrezikuar thelbësisht Ismail Kadarenë me dëshminë e tij në gjyq, pa ia kërkuar njeri”. Polemika filloi së pari pas publikimit të një dokumenti të vitit 1975, marrë nga dosja hetimore e Fatos Lubonjës botuar në librin “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”,  gjë që ka ngjallur debat për muaj në media.  Lubonja  ngulmon se është manipuluar dhe nxjerrë jashtë kontekstit, ndërsa autori Kaloçi, deklaron se dokumentet janë autentike. Ky debat e çoi shtëpinë botuese “UET Press” të kërkojë më thellë të vërtetën, por ligji e pengoi atë të siguronte dosjen. Botuesi i “UET Press” i shkroi një letër publike Ismail Kadaresë, ku i kërkoi që si i prekur të ishte ai që të kërkonte publikimin e dosjes. Shkrimtari bëri po ashtu një letër publike, ku thotë se do bëjë kërkesë për të nxjerrë nga arkivi të gjitha dosjet ku ai përmendet.

 

1 koment për këtë artikull
  1. Lek Mirakaj at 6:08 pm

    Z.Nano!Kam pasur fatin e keq qe pata lindur ne anen tjeter te barrikades dhe per pasoje ta vuaj ,jo per zgjedhje,dhunen e diktatures.Pata fatin e keq qe ta provoj edhe hetuesine e rregjimit,qe Ju me te drejte e queni(i .çmendur).Po Ju them se nuk kam skelete ne syrtar.Ju analizoni drejte dhe me korrektese,po pa dashur te ju mesoje,me lejoni te ju shpjegoj diçka qe ndoshta nuk e keni menduar,jo se nuk e dini.Si Ju thashe me lart,isha lindur ne anen tjeter te barrikades.Gjith jeten e kalova ne shoqerine e te denuarve dhe ish te denuarve.Kesisoj fati desht qe shum prepara se te arrestohesha,ti mesonja tere dredhite qe perdoreshin ne hetuesi,kjo besoj se eshte njera nga aresyet kryesore qe me ka shpetuar e me lejon sot te ju them ,se nuk kam skelete ne syrtare.Fatosi dhe shum shoke te Fatosit,vining nga nje ambient diametralisht I kundert nga i imi dhe i shokve te mij.Per mjeshtrat e hetuesise,ishte pothuej loje kalamajsh per ti manipuluar keta fatkeqinj,keshtu qe nuk eshte as e drejte dhe as endershme te gjykohen per gabimet qe mund te kene bere gjate hetuesise.Ajo qe duhet vleresuar dhe marr parasyshe,eshte qendrimi qe keta njerez te ardhur prej kesaj shtrese te shoqerise mbanin pasi vinin ne kontakt te drejte perdrejte me realitetin.Dhe mund te Ju them pa asnje medyshje,se mund te mos jem dakord me shum mendime te Fatosit,po qendrimi i tij gjate kohes se vuajtjes se denimit,ka qene i pa kompromis dhe i pa perkulur.Vetem ata qe vinin nga shtresa shoqerore prej nga vinte Fatosi dhe kane mbajtur tjeter qendrim gjate hetusise kane te drejte ta gjykojne Fatosin.Edhe une e shoket e mij duhet te jemi te rezervuar ne gjykim ,se ne è kishim eksperincen per te mos gabuar.Fatosi eshte ridenuar edhe ne burg,aty le te shihet qendrimi qe ka mbajtur Fatosi,at-here z.Çili a kushdo tjeter te marr guximin e te false per Fatosin.Lek Mirakaj,ish i denuar politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *