Laiciteti i hapësirës publike

Postuar më: 12 April 2017 09:07

Nga Klajd Bylyku*

Laiciteti i gjetur pas shumë përpjekjesh si një hapësirë pajtimi e të gjithëve, ku institucionet dhe shteti do të jenë të baraslarguar nga fetë, po kthehet në një hapësirë të përzënies së fesë. Bylyku sjell një vështrim të imët të kësaj qasjeje.

Dy javë më parë në mëhallën virtuale u komentua masivisht një video publike në Facebook e imamit kryeqytetas Ahmed Kalaja me dy futbollistë të Përfaqësueses sonë Kombëtare, në të cilën mes të dyja palëve u treguan dhe konsumuan shaka të ndryshme rutinë, ku ndër të tjera u përmendën edhe klerikë të Klerit Ortodoks Grek të cilëve Lila kish refuzuar t’u puthte dorën, me sa duket ritual i tyre lokal, duke qenë se ai është pjesë e një prej skuadrave të kampionatit vendës. Gjithashtu shaka bëheshin (madje më të shumta) me klerikë myslimanë, gjithmonë pa qëllim të keq dhe në kuadër të humorit. Dy ditë më pas, Komiteti Shtetëror i Kulteve nëpërmjet një letre zyrtare i kërkon Komunitetit Mysliman Shqiptar që të merren masa dhe skena të atilla të mos përsëriten më. Kaq për çështjen në fjalë pasi kontributet njerëzore të imamit Kalaja në dobi të komunitetit, qofshin ato nisma bamirëse apo kauza morale, janë të njohura për ata që janë minimalisht të pajisur me dhuratën fine të mirënjohjes. Por gjithashtu edhe pse ajo u mbyll ashtu siç edhe pritej, duke u sqaruar dhe me mirëkuptim të dyanshëm. Fjala e fundit që themi, e prej së cilës do të marrë shkas dhe analiza jonë, është fakti se megjithëse videoja u transmetua rreth mesnatës, të nesërmen ishte në faqen e parë të gazetës me tirazhin më të madh në vend, Panoramës. Provë kjo që vëzhgimi (survejimi) ndaj figurave fetare në vend është i lartë megjithëse i padrejtë, duke qenë se në videon në fjalë mund të diskutohej për gjithçka përveçse për një skandal. Por ajo që nuk duhet të na kalojë nëpër këmbë pa u vënë re është tërheqja e vëmendjes kundrejt imamit. Natyrisht që pas kësaj vijojnë mbështetjet masive apo linçimet e turpshme publike nëpër Internet, të cilat megjithëse meritojnë një vëmendje të konsiderueshme, nuk janë shqetësimi ynë i tanishëm. Ajo që bie në sy në këtë histori (dhe këtu shkëputemi tërësisht prej saj duke shpresuar-synuar mosnxitjen e asnjë polemike) është se ne pikasim një agresivitet laik të instancave të larta shtetërore dhe elitave publike. Meqë jemi tek Islami, ne jemi të vetëdijshëm për të vërtetën e trishtueshme se asnjëherë në asnjë debat publik ai nuk ka pasur mundësinë që me anë të aderuesve të tij, të bëhet i njohur mes nesh. Për hir të së vërtetës, duhet thënë që e njëjta ka ndodhur edhe me komunitetet e tjera fetare. Hapësira jonë publike nëpër emisionet informative, panelet televizive të debatit, shtypin e shkruar apo auditorët universitarë, vuan nga objektivja dhe përmbajtjesorja. Elita jonë i ofron publikut zhurmë duke refuzuar masivisht njohjen e gjërave në thelbin e tyre; në këtë mënyrë auditori paraprakisht konsiderohet i pavlerë dhe i ashtuquajturi opinion publik vlerësohet thjeshtësisht si një grumbull i madh tifozësh, i cili duke kaluar nëpërmjet një logjike të brendshme ku nuk i ngjan rasti rastit, pozicionohet nëpër llogoret përkatëse në varësi të idiosinkrezisë, interesave apo dëshirës për kaos. Kësisoj kultura religjioze e popullit tonë, kulturë e cila bën pjesë në kulturat e larta, është fajësisht e varfër. Efektet e diktaturës komuniste në pluralizmin tonë të brishtë politik dhe qytetar janë të shumta dhe kjo është një ndër to. Denigrimi që iu bëhet feve të mëdha në vend është aq i turpshëm sa fare pak njerëz e njohin Islamin apo Krishtërimin për nga doktrinat e tyre. Religjionet brenda tyre kanë themele dogmatike, shtigje të gjerë arsyetimi, analogji mes argumenteve të brendshme, shkrirje të zbutura me traditat dhe zakonet lokale të çdo grupi njerëzor, parime morale dhe dituri të larta shtetformuese dhe shoqërindërtuese. Ato janë shpallur si të vërteta absolute të cilat ithtarët e tyre i pajis me një ideologji, me një të drejtë, më një moral dhe me një përgjegjësi të lartë mbi supe: të ruajnë rendin, ekuilibrin dhe harmoninë e kozmosit, të këshillojnë për të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja, pra amaneti suprem që njeriut i është besuar. Këto të vërteta të përbotshme kulturore shpjegojnë dhe përse edukimi fetar fakultativ është pjesë përbërëse në pasqyrën e lëndëve mësimore në të gjitha vendet e Europës. Dy vendet e vetme të cilët vazhdojnë ta refuzojnë këtë janë Shqipëria dhe Kosova. Në vazhdën e së njëjtës logjikë në emër të laicizmit është shkatërruar mundësia e njohjes dhe studimit të gjërave në bërthamën e tyre. Ky fashizëm laik na ka detyruar në mënyrë të pavetëdijshme (ose jo)  drejt një konceptimi postmodern të botës dhe shoqërisë, në të cilin realitetet vlerësohen në bazë të formës dhe jo përmbajtjes së tyre. Kjo e shndërron diskutimin publik nga një institucion i lashtë trashëguar prej qytetërimit Helen në një përçapje sterile dhe jo produktive. Bashkësitë dhe elitat fetare nuk kanë guximin dhe hapësirën të mbajnë qëndrimet e tyre publike për kundërvajtje të rënda që ndodhin në këtë vend. Krimi, droga, prostitucioni dhe korrupsioni janë katër vatrat më të mëdha të gangrenës sonë në tranzicionin demokratik, por ndikimi i këtyre bashkësive ka qenë dhe vazhdon të jetë pothuajse i papërfillshëm; kjo si pasojë edhe e komuniteteve të tyre zyrtare pothuajse inekzistente në kuadër të lirisë dhe pavarësisë. Por nëse urtësia e vlerave tona nuk ndihmon në përmirësimin njerëzor të pjesëtarëve të shoqërisë, atëherë për çfarë shërbejnë? Dhe këtu bëhet fjalë për diçka akoma më të rrezikshme se sa duket në pamje të parë sepse nuk jemi duke bërë avokatin e myslimanëve apo grupeve të tjera, ku bëjnë pjesë katolikë, ortodoksë, protestantë, sllavofilë, grekofilë, pakica rome, egjiptiane, greke, maqedonase apo malazeze; por jemi duke paralajmëruar se rrezikojmë që duke i deklasifikuar gjithë të sapopërmendurit me anë të një lufte klasash në emër të bindjes laike të linjës zyrtare të Republikës sonë, do të përfundojmë duke de legjitimuar mënyrën e konceptimit të dijeve dhe përplasjeve të tyre akademike dhe publike. Duke besuar në idealet Europë-afruese të laicizmit kemi prerë degën në të cilën ulemi: kemi shkatërruar atë çikë bisht qytetërimi në të cilin ishim mbështetur për disa shekuj të mirë. Dhe këtu ia vlen një saktësim: ne nuk po refuzojmë dhe as po mohojmë perspektivën zyrtare të vendit tonë drejt Bashkimit Europian dhe vlerave europeiste, por dënojmë racizmin dhe cektësinë e elitave tona zyrtare ndaj gjithçkaje që nuk është laike apo pastërtisht shqiptare.

Shkatërrimi që erdhi prej luftërave të paprecedente të shekullit që sapo lamë pas i ka nxitur kombet e mëdha të Europës t’i japin prioritet kryesor konsumit dhe rehative materiale. Efektet asgjësuese të kësaj bindjeje nuk eliminojnë vetëm mundësinë e ardhjes sërish në modë të ideologjive natyrë përçudnuese, por në të njëjtën kohë shkatërron edhe mundësinë për studim, reflektim dhe kuptim të drejtë të realiteteve abstrakte dhe shpirtërore, të cilat janë dhe duhet të jenë shqetësimi kryesor i elitave. Shoqëritë e mira janë ato që kanë kriteret e tyre qytetare rreth çështjeve bazike të konceptimit të jetës, cilësuar në fillim si amaneti suprem. Është pikërisht vlerësimi maksimal i ditëve tona ai që duhet të nxisë elitat e një shoqërie për të ndërtuar, kërkuar dhe formuluar modele kulturore dhe skema konceptuale, të cilat, të implementuara në përditshmërinë e qytetarëve, t’iu mundësojnë atyre një jetë më të mirë, një jetë më të bukur. Por si mund të ndodhë kjo kur zyrtarisht dhe jozyrtarisht boshti ynë kombëtar është një amalgamë surreale gjysmëbindjesh laike, nacional-komuniste dhe racore? Si mund të përftojmë një jetë të pasur kulturore, akademike dhe shpirtërore kur klerikët e besimeve fetare kur pyeten nëpër emisionet tona televizive, pa e nisur mirë fjalën e tyre paralajmërohen nga moderatori se nuk janë ftuar aty si imamë apo priftërinj, por si qytetarë? Po që prej kur u caktua se qytetari aderues i një besimi fetar është qytetar i dorës së dytë? Madje që prej kur ai është shndërruar në një krijesë të ndryshme nga individi meqë qenka ftuar si qytetar dhe jo imam apo prift? Po ku jemi? Në Rajhun e Tretë ku Hitleri digjte masivisht në publik letërsinë dekadente të Kafkës dhe Tomas Manit për të ruajtur nga degradimi qytetarët e shëndetshëm nacionalsocialistë? Si mund të prodhojmë ne një shoqëri të jetueshme dhe mikpritëse kur qytetarët romë dhe egjiptianë trajtohen si njerëz të dorës së tretë dhe shpërngulen nga bregu i Liqenit Artificial siç shkulen mushkonjat prej dizinsektimit vetëm e vetëm se nuk janë lëkurëbardhë? Por linja është e njëjtë sepse Hitleri pas romaneve, në krematorium dërgoi hebrenjtë dhe sllavët. Dikush mund të thotë që analogjia nuk është e saktë, ndërsa ne druhemi se po, ngase jemi i vetmi shtet në kontinent ku individët bojkotohen, paralajmërohen deri edhe burgosen për bindje disidente në mospërputhje me frymën zyrtare dominuese, nuk gjejnë drejtësi vetëm se nuk janë lëkurëbardhë, nuk u kthehen pronat e tyre vetëm se nuk janë bij oficerësh. Në të njëjtën logjikë kur futbollistët tanë shfaqin identitetin e tyre fetar trumbetohet fort se Përfaqësuesja Kombëtare nuk është fetare, por rreptësisht laike sepse iu përket të gjithëve. Po përse “është laike” duhet të jetë sinonim i “të gjithëve”? Pra kushdo që beson, jeton apo vepron ndryshe konsiderohet i huaj, i dëmshëm, si prishës tolerance dhe rendi, madje nuk ka të drejtë as të përkrahë apo përfaqësojë Kombëtaren duke qenë se shteti ynë është laik; a thua mos po rrezikojmë që të na e marrin peng e ta regjistrojnë në Ligën Arabe siç dikur merrte pjesë vetëm në Spartakiadat Ballkanike. Por në vend që të vazhdojmë të fajësojmë elitat tona për shoqërinë kulturalisht homogjene që po duan të na ndërtojnë, të shohim pak se ç’produkt kanë arritur ato të përftojnë në këta 26 vjet demokraci.

Tashmë janë ezauruar të gjitha variantet se përse ndodhën trazirat e vitit 1997, por shumë pak është diskutuar mbi pasojat psikologjike që ato shënuan në popull. Dhe përpara kësaj akoma dhe më pak është thënë se përse turmat masive, në dijeni të plotë që vendi nuk kishte më shumë se pesë vjet që kishte nisur të rindërtohej, përsëri masakruan, dogjën dhe shkatërruan pothuajse çdo gjë që u doli përpara. Të rinjtë e asaj epoke ishin individë të edukuar nën një ateizëm brutal, të pajisur me urrejtje ndaj traditës dhe autoritetit, të etur për vjedhje dhe padrejtësi dhe mbi të gjitha të privuar nga imperativi i përjetshëm se nderi, gjaku dhe prona e tjetrit janë të shenjta. Kjo gjeneratë e çmeritur ishte produkt i marksizëm-leninizmit ateist, racor dhe nacionalist të regjimit të Enver Hoxhës, masakër fizike dhe njerëzore së cilës nëse përpiqemi t’i gjejmë një të ngjashme duhet të kthehemi disa shekuj pas tek spastrimi etnik, fetar dhe kulturor që Kortesi kreu ndaj aztekëve dhe inkasve, prej të cilëve nuk mbeti as gjuha, as kultura, as besimi, praktikisht që të gjithë u shfarosën në masë. Por nëse Kortesi dhe Enver Hoxha janë hapi i fundit i këtij procesi kriminal, hapi i tij i parë është pikërisht homogjeniteti identitar i një shoqërie. Në dallim thelbësor nga perandoritë dhe monarkitë, Shteti-Komb është racist dhe kriminal. Në rast se ka një popullsi të madhe dhe ekonomi të qëndrueshme, ai menjëherë forcon industrinë e lartë dhe hyn në luftë me këdo që ka përreth nga frika se po nuk e asgjësoi i pari, mund të asgjësohet vetë prej të tjerëve. Hitleri te libri i tij kur theksonte se pesëdhjetë milionë gjermanët e viteve ’30 zotëronin shumë më pak tokë se sa kishin nevojë, e kishte merak ta saktësonte shprehimisht se kjo tokë nuk do të kërkohej në Senegal apo Kamerun në kuadër të një kolonializmi multikontinental siç kishin bërë fuqitë e tjera europiane, por do të tentohej me çdo kusht askund tjetër përveçse në Francë apo Rusi, dy superfuqitë e tjera të kontinentit, të cilat natyrshëm mendonin të njëjtën gjë në kurriz të Gjermanisë. Por përpara së të hyjnë në një luftë asgjësuese me këdo që kanë përqark, kombet moderne janë kalitur duke kaluar nëpër homogjenitetin e tyre të brendshëm ekstrem. Në dallim nga këto, kombet e vogla e ushtrojnë racizmin e tyre brenda përbrenda kufijve të tyre duke eliminuar çdo gjë që është e ndryshme nga vija udhëheqëse e pushtetit. Kështu laicizmi armiqësisht i butë i mbretit Zog, i cili e mënjanoi religjiozen nga publikja drejt privates u tejkalua dhe u plotësua nga regjimi komunist për dyzet e pesë vjet me radhë, një ateizëm racist që vodhi dhe asgjësoi bejlerë dhe oficerë të diplomuar në Kajro, Firence apo Selanik, që pushkatoi kulakë, priftërinj dhe hoxhallarë, që shfarosi në emër të unitetit të partisë dhe popullit – thënë ndryshe homogjenitetit absolut – shkrimtarë dhe intelektualë, vëllezër, bashkëshortë e fëmijë armiq të partisë dhe Kombit shqiptar, për të përfunduar aty për ku ishte nisur: duke dënuar për revizionizëm Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën e për t’ia dalë më në fund si një lëndë e pastër çeliku, puro dhe e papërzierë marksiste-leniniste. Vetëm atëherë pasi ishin asgjësuar të gjithë armiqtë socializmi do të përfundonte, e më në fund do të hynim në stadin final, në parajsën tokësore, në komunizëm. Por vetëm pak vite më vonë u gjendëm në stadiumin e Barit duke lypur ujë dhe bukë thatë. Në një dalje publike të disa viteve më parë, dramaturgu i mirënjohur Pëllumb Kulla kur u pyet rreth regjimit në fjalë dhe se si ai ishte mbrojtur me fanatizëm nga pushtuesit e huaj, u shpreh për ushtarë të armatosur me automatikë përgjatë kufirit dhe dukeshin sikur ishin vënë aty për të ruajtur kufirin. Ishin për atë detyrë, por e ruanin nga ata që ishin brenda dhe tytat u ishin drejtuar pikërisht atyre.

Për ta mbyllur, i gjithë ky pasqyrim i errët i elitave tona politike mund të na ndihmojë për të shpjeguar edhe krizën politike dhe shoqërore në të cilën jemi zhytur. Varfërimi i diskursit dhe debatit publik na ka shndërruar në qytetarë krejtësisht të pavëmendshëm ndaj të menduarit dhe veprimeve që kryejmë. Partitë tona politike janë të vetmet në Europë që nuk hartojnë programe (apo i kanë sa për sy e faqe ngase nuk u interesojnë askujt), nuk kanë ide, nuk prodhojnë dot ideale apo strategji për nxjerrjen e vendit nga kriza e madhe ekonomike dhe identitare. Elitat dhe mediat tona të shitura nuk kanë fuqi të kryejnë rolin e një këshilli të urtësh dhe opozite të vërtetë inteligjente kundrejt pushtetit. Të rinjtë tanë kulturalisht të varfër, padrejtësisht të diplomuar në masë dhe tifozërisht të dyndur nëpër forumet rinore të partive nuk ngjallin asnjë shpresë për brezat e ardhshëm. Për këtë gjendje jemi përgjegjës që të gjithë dhe përtej diagnostikimit të fajeve tona trashanike, hapi i parë i zgjidhjes së kësaj katastrofe kombëtare është njohja dhe dënimi i krimeve të komunizmit, vetëdijësimi se çfarë është diktatura dhe si gjurmët e saj i shohim në autokracinë paranojake të politikanëve të sotëm, hapja e kësaj shoqërie ndaj çdo vlere, besimi, kulture apo ngjyrimi e nuance njerëzore duke i lënë të lirë të përplasen dhe konkurrojnë për përmirësimin e jetëve tona, ruajtjes së sigurisë dhe mbërritjes së një ekuilibri ekonomik, vlerësor dhe qytetar. Përndryshe, përderisa elitat tona nuk do të shqetësohen për këtë, por do të vazhdojnë të luajnë kumar për interesat e tyre të ngushtë, jemi të detyruar që gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan ta përkufizojmë si precipitatin e mbetur të gjithçkaje që nuk është serbe, greke apo italiane; me fjalë të tjera, një mish i huaj në periferi të kontinentit.

*pedagog, Shkenca sociale

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *