Konteksti apo ligji zgjedhor

Postuar më: 21 April 2017 08:46

Nga Roland Lami

Debati i zhvilluar sot ndërmjet anëtarëve të KQZ dhe përfaqësuesve ligjorë të partive kryesore politike mbi propozimin e PS dhe LSI për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve ilustron më së miri të paktën paradoksin ligjor në të cilin janë pozicionuar partitë politike. Paradoksalisht, PS ndryshe nga qëndrimi i saj këmbëngulës gati stoik për të respektuar afatet kushtetuese dhe ligjore mbi zhvillimin e zgjedhjeve më 18 qershor, madje dhe me koston e zhvillimit të tyre pa opozitën, papritur i propozon KQZ në kundërshtim me ligjin zgjedhor për të cilin nuk bën asnjë kompromis të shtyjë datën e regjistrimit të koalicioneve deri me 29 Prill. Pra, në njërën anë injoron kontekstin politik dhe respekton me fanatizëm një parim kushtetues dhe ligjorë siç është ai i mosshtyrjes së zgjedhjeve, në krahun tjetër i kërkon organit kryesor të administrimit të zgjedhjeve konkretisht KQZ të ndërmarrë një vendim në kundërshtim me Kodin Zgjedhor që të shtyjë afatin e regjistrimit të koalicioneve me justifikimin e dhënies mundësi opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje. Duke injoruar për një moment arsyet politike që fshihen mbas këtyre qëndrimeve të dyzuar të kësaj force politike të paktën nga pikëpamja ligjore mund të themi se kjo forcë politike ku i intereson i mëshon argumentit formal dhe ku nuk i intereson i mëshon argumentit politik ose kontekstual. Kjo gjë nxjerr në pah inkosistencën e kësaj force politike në raport me ligjin zgjedhor.

E njëjta mendësi vërehet edhe te PD. Kjo forcë politike prej afro dy muajsh artikulon qëndrimin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve me argumentin se konteksti politik nuk mundëson zhvillimin e tyre të lira dhe të ndershme. Ndërkohë, sot, qëndrimi i ekspertëve ligjorë të kësaj force politike në KQZ mbështetej kryesisht te qasja formaliste. Pra, i mëshonin zbatimit nga ana e KQZ me rigorozitet Kodit Zgjedhor, pasi propozimi i PS dhe LSI nuk kishte bazë ligjore. Ky qëndrim formalist në këtë rast dhe kontekstual në rastin e shtyrjes së datës së zgjedhjeve nxjerr në pah mendësinë që kur i intereson të anashkalojë ligjin dhe Kushtetutën përdor kartën e kontekstit politik, pra shtyrjen e ditës së zhvillimit të zgjedhjeve dhe kur nuk i intereson qasja kontekstuale tund kartën e zbatimit të Kodit Zgjedhor. Kjo sjellje, nxjerr në pah si në rastin e PS inkosistencën e kësaj force në raport me ligjin zgjedhor.

I vetmi subjekt politik që është konsistent në qëndrimet e saj në raport me moszbatimin e parimit kushtetues dhe ligjor është LSI. Kjo forcë politike qoftë në rastin e respektimit të zhvillimit të datës së zgjedhjeve apo në rastin e afatit të regjistrimit të koalicioneve preferon qasjen kontekstuale në raport me atë ligjore. Ndryshe nga dy forcat kryesore, LSI në të dyja rastet preferon më shumë t’i qëndrojë qasjes kontekstuale duke nënkuptuar interesin e saj politik se sa t’i mëshojë sipas rastit interpretimit formal të ligjit. Të paktën nga pikëpamja ligjore kjo forcë politike është shumë më e sinqertë se sa dy forcat e tjera politike, pasi ka zgjedhur në të dyja rastet të mos e marrë në konsideratë referencën ligjore.

Këto dy momente mjaftojnë për të kuptuar paradoksin në të cilin janë futur këto zgjedhje. Këto janë vetëm shenjat e para të paralajmërimit të një klime zgjedhore të paprecedentë të paktën këto dhjetë vitet e fundit. E gjithë kjo klimë paqartësie dhe dyzimi me ligjin do të materializohet në të gjithë administratën zgjedhore. Dje ishte momenti i parë i paqartësisë së vendimmarrjes së KQZ, të tjera do të shoqërojnë këtë zgjedhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *