Basha: Vetingu pas qeverisë teknike! Blushi: Rama po bie nga çadra

Postuar më: 21 April 2017 12:25

Kryetari i PD, Lulzim Basha sulmoi të premten kryeministrin Edi Rama dhe ata që ai i quan “mercenarë të paguar nga Sorosi”.

“Edi Rama bashkë me të paguarit të Xhorxh Sorosit në Shqipëri, çfarëdo pasaporte të kenë, për një vit e gjysmë u përpoqën ta kapin drejtësinë dhe ta vënë nën kontroll të Edi Ramës. Ndaj ia përsëris sot atij dhe mercenarëve të Xhorxh Soros në Shqipëri se nuk kanë asnjë shans, që Partia Demokratike të bëhet alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama,” tha Basha.

Basha tha se nuk ka nevojë të shtymë vetingun pas zgjedhjeve.

“Nuk ka nevojë të shtyjmë vetingun pas zgjedhjeve. Jo, nuk ka nevojë. Menjëherë pas paktit kombëtar për qeveri teknike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Partia Demokratike dhe opozita është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj kushtetuese ligjore. Menjëherë, pa pritur zgjedhjet e ardhshme, t’i hapim rrugë zbatimit të vetingut, zbatimit të reformës në drejtësi”.

Ndërkohë deputeti i majtë, Ben Blushi e quan qesharak kryeministrin Edi Rama.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Blushi shprehet se të gjithë kryeministrat botës bien nga shiu, vetëm Rama po bie nga çadra, duke referuar protestës së opozitës.

“Si po ikën Edi Rama. Sa qesharak eshte Edi Rama. Gjithë Kryeministrat e botës bien nga shiu, ky bie nga çadra”, shkruan kreu i LIBRA-s.

Blushi pati dje një përplasje të fortë në Kuvend, ndërsa akuzoi dy partitë kryesore se “krizën e pallatit” po kërkojnë ta kthejnë në krizë të popullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *