Studentja italiane e UET: Si e gjeta në Shqipëri punën e ëndrrave

Postuar më: 22 March 2017 09:25

Erasmus+, dy histori suksesi. Njihuni me historinë e Elisabetta di Stefanos, studentja italiane që gjeti punë pas studimeve në UET dhe Esmeralda Kadënës, studentes shqiptare që fitoi çmim shkencor në Hungari. Pse Erasmus + Credit Mobility bën të mundur, jo vetëm shkëmbimin e eksperiencave mes qindra studentësh të huaj, por dhe krijimin e sukseseve personale të çdo studenti

Nga Eva Drita 

Programi Erasmus+ ka patur një ndikim të madh në UET që nga momenti kur u aplikua për herë të parë në vitin 2014. UET ka bërë një progres të suksesshëm duke punuar me universitetet kombëtare, rajonale dhe të BE-së në disa Projekte të Erasmus+. Shkëmbimet studentore iu lejojnë studentëve shqiptarë, që prej 2014 të studiojnë për një semestër në një universitet Europian, duke ekuivalentuar kreditet sipas Marrëveshjeve ndërinstitucionale dhe anasjelltas. Mirëpo kjo eksperiencë nuk mbaron me kaq. Studentët gjenden përballë sfidave të tjera dhe në vende të ndryshme të botës. Secili prej studentëve të UET, të cilët kanë shkuar në një universitet në Europë apo ata që kanë ardhur nga universitet europiane në UET, kanë patur historitë e tyre të suksesit. Një student i përkushtuar e gjen veten kudo dhe ka kudo të njëjtat suksese akademike dhe profesionale. Një eksperiencë Erasmus+ sjell dhe lindjen e shumë historive të suksesit te studentët.

Do të njihemi me dy raste suksesi të studentëve. I pari është një sukses i UET në Europë ku Esmeralda Kadëna, fitoi një program studimi PhD, në Universitetin Óbuda, Budapest. Rasti i dytë është rasti i një studenteje italiane, e cila erdhi me projektin Erasmus + në UET. Elisabetta di Stefano, studente vizitore në UET, shpreh reciprocitetin e Erasmusit që si UET ashtu dhe Shqipëria kanë për të ofruar ndaj studentëve europianë.

Elisabetta di Stefano, studentja italiane që gjeti punë në Shqipëri

Elisabetta di Stefano ishte studente vizitore në UET. Ndonëse shumë prej nesh nuk do ta besonin, por ja që ardhja në UET me projektin Erasmus+ i solli shumë fat studentes italiane. Kanë kaluar vetëm tre muaj nga eksperienca e saj me Erasmus+ dhe ajo e konsideron si një eksperiencë jete. “Mbërrita në Tiranë në Korrik të vitit të kaluar dhe u prita në mënyrë të mrekullueshme nga stafi i UET-it dhe nga studentët e tjerë lokal apo Erasmus”, tregon ajo. Duke qenë se kishte dëgjuar shumë për vendin tonë, por nuk kishte patur mundësi ta vizitonte, Elisabetta filloi dhe të eksploronte disi, duke zbuluar më shumë për kulturën dhe historinë e shtetit shqiptar. “Mbeta e mrekulluar nga kultura, historia dhe bukuria e peizazheve që kishte ky vend”, rrëfen ajo. Në kohën kur mbërriti në UET, ishte studente e vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit, pranë Universitetit të Teramos. Pasi mori pjesë në një konkurs për të kryer tre muaj kërkime mbi rolin e “spin off” si levë transferuese teknologjike, ajo zgjodhi si destinacion Universitetin Europian të Tiranës. Pra, ajo kishte nevojë për një partner për të kryer kërkimet e saj shkencore dhe UET-i ia ofroi këtë mundësi. Me natyrën e saj hulumtuese ajo vuri re se në Shqipëri kishte një tendencë në rritje të investimeve nga kompanitë e huaja. Kështu u fut menjëherë në kërkim për të zbuluar sa nga këto kompani që investonin, ishin italiane. Ky kërkim e çoi atë në dyert e kompanisë “Technip”, e cila operon në sektorin petrokimik. Bashkëpunimet e vogla që pati me këtë kompani bënë që ajo të fillonte punë në filialin e tyre në Romë, në departamentin e ndërtimeve dhe Start Up-eve. “Është e kotë të them se është më tepër nga çfarë kisha imagjinuar”, -thotë Elisabetta, duke lënë të kuptohet se nuk e kishte menduar kurrë se ardhja në Shqipëri, do t’i mundësonte asaj një të ardhme brilante. E konsideron shumë fatsjellës Erasmusin në Shqipëri, duke inkurajuar çdo person që të marrë pjesë në këto programe. Tashmë impenjimi i madh i saj, pasioni u shpërblyen në një realizim ëndrrash. E mbyll rrëfimin e saj duke falënderuar të gjithë ata që e mbështetën, pavarësisht vështirësive që hasi në rrugën e saj.

Esmeralda Kadëna, nga studente në kërkuese shkencore në Hungari

Esmeralda Kadëna është një ish-studente tashmë e Universitetit Europian të Tiranës. Gjatë studimeve Master në UET, në degën Informatikë Ekonomike (Financë-Bankë), ajo vendosi të aplikonte në programin Erasmus+, për të zhvilluar një semestër të studimeve jashtë Shqipërisë. Universiteti mikpritës për Esmeraldën ishte Óbuda University në Budapest. Duke dashur të na tregojë arsyen se pse ajo aplikoi në Erasmus+ thotë se: “Që në fillim isha e vendosur për të patur një eksperiencë ndryshe në lidhje me arsimimin tim”. Sapo mbërriti në universitetin mikpritës ajo nuk humbi kohë aspak, u ambientua me mjedisin universitar atje, madje mori pjesë në një konferencë që zhvillohej në çdo fakultet të universitetit. Si një vajzë ambicioze për të ecur përpara, Esmeralda mori pjesë në konferencën shkencore studentore me ndihmën e supervizorit të saj të diplomës, dr. András Keszthelyi. Ajo arriti të fitonte çmimin e dytë në fakultetin ku ndodhej dhe, siç e quan vetë Esmeralda, ky ishte një fillim i mbarë për vazhdimin e punës së saj. Suksesi i saj nuk u ndal vetëm aty, por me ndihmën e profesorit ajo e zgjeroi më tej punimin e saj dhe e prezantoi si një punim të përbashkët me dr. András Keszthelyi, në konferencën e javës në universitet: “Management, Enterprise and Benchmarking in the 21st century III”.

Përvoja e shkëmbimit studentor solli disa arritje të reja për Esmeraldën. Tashmë ajo ka përfunduar studimet Master, por po ndjek studimet PhD po në universitetin Óbuda. Pas aplikimit për PhD, ajo gjeti mbështetjen e menjëhershme të universitetit për ta patur sërish në ambientet e tij. “Në shkurt 2017, njoftohem se aplikimi im ishte pranuar dhe aktualisht gjendem në Universitetin Óbuda, Donát Bánki Faculty of Mechanical and Safety Engineering. Duke qenë pjesë e shkollës doktorale në ‘Safety and Security Sciences’, ndihem me fat dhe e motivuar nga ky fillim i mirë për t’iu përkushtuar jetës akademike”, shprehet Esmeralda. Për të Erasmus+ është më tepër se një eksperiencë studimesh, ajo e sheh si një mundësi shkëmbimi kulturash me studentë nga e gjithë bota. “Ia këshilloj çdo studenti të marrë pjesë në thirrjet që bëhen nga UET për këto programe, pasi është një mundësi tepër e vlefshme për t’u rritur si nga ana akademike, ashtu edhe nga ajo personale. Vlerat nga programet e shkëmbimeve nuk mund të përftohen duke u informuar apo lexuar për to, por duke i përjetuar vetë”, vazhdon më tej Esmeralda. Gjithë këtë eksperiencë të bukur suksesi ajo e përmbyll me një këshillë shumë të vlefshme për çdo student: “Provojeni! Një eksperiencë e tillë të bën të ecësh përpara më me siguri dhe kur kthen kokën pas, ke gjithmonë diçka të cilën e kujton duke buzëqeshur…”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *