Rama: Të dalim forcë e parë! Deputeti i LSI ‘do’ kryeministrin

Postuar më: 20 March 2017 14:13

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se ata do të hyjnë në zgjedhje.

“Dilni në terren dhe takohuni me çdo qytetar. Ne do të hyjmë në zgjedhje, me Saliun dhe pa Saliun. Duam të dalim forcë e parë,” mësohet të ketë thënë Rama, duke porositur që PS të jetë forca e parë në vend.

“Ne nuk mund të krahasohemi me rastin e Maqedonisë,” tha Rama.

Ndërkohë LSI nga ana e saj vazhdon fushatën, pa i fshehur ambiciet.

Në një takim në Vlorë, deputeti i LSI, Flamur Çela tha se LSI pretendon postin e kryeministrit.

“Nëse duam që t’i vëmë gjërat përpara në këtë fshat duhet që më përpara të marrim pushtetin, ta konsolidojmë atë. Forca politike ku unë bëj pjesë është ajo forcë që ka gjasa të marrë ekzekutivin, të marrë kryeministrin. Dhe të marrësh Kryeministrin do të thotë të jesh më afër të gjithë atyre mundësive që të ofron pushteti”, tha deputeti i LSI.

Nga ana tjetër, LSI i ka marrë një deputet Partisë Socialiste.

Kastriot Piroli, kandidati për deputet në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, që do të zëvendësonte deputetin e larguar Armando Prenga, është dorëhequr nga zgjedhja në këtë detyrë, duke ia lënë vendin kandidatit të radhës në listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sipas vendimit të KQZ-së, dorëheqja nga kandidati Piroli vjen për shkak të kohës së shkurtër (vetëm dy muaj), të mbetur nga përfundimi i mandatit të Kuvendit, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të radhës.

Partia Socialiste nuk kishte më përfaqësues në listën e saj në qarkun e Lezhës, ndaj mandati i Prengës do t’i kalojë subjektit LSI, grupi parlamentar i së cilës shtohet me deputetin Petrit Gjoni, duke e çuar në 19 numrin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *