Pushteti i populistëve në epokën e autokratëve

Postuar më: 20 March 2017 09:14

Nga Viktor Mërkuri 

Lëvizjet populiste janë duke u fuqizuar dhe duke sjellë kufizime të mjaft lirive ose duke e vënë liberalizmin në vështirësi kudo, shkruan Mërkuri. Ai merr në analizë disa nga rezultatet zgjedhore dhe ligjërimin e disa liderëve politikë populistë në Europë dhe SHBA.

“Kur vlerat universale dhe të drejta ndërkombëtare lihen mënjanë, çështjet globale do drejtohen nga forca”.

Gjatë vitit 2016, forcat politike populiste dhe nacionaliste arritën sukses të habitshëm në shtete demokratike, ndërsa fuqitë autoritare të angazhuara në agresione ushtarake dhe krime të rënda vazhduan pa shumë pengesa në zona lufte në dy kontinente. Këto zhvillime tregojnë një rrezik në rritje mbi rendin ndërkombëtar të zhvilluar gjate çerekut të shekullit të kaluar. Parimet demokratike si të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit të shtetit të së drejtës, të rrënjosura në thelbin e popujve pas akteve makabre të Luftës së Dytë Botërore, duket se tashmë hapin rrugën për një botë me liderë individualistë dhe kombe, të cilat ndjekin interesat e tyre të ngushta pa marrë parasysh të mirat e përbashkëta të paqes globale, lirisë dhe prosperitetit.

Me një total prej 67 vendesh të cilat pësuan rënie në të drejtat politike dhe liritë civile në vitin 2016, krahasuar me 36 që kultivuan rritje të këtyre të drejtave sipas indeksit të monitorimit vjetor të Freedom of the World. Ky shënon vitin e 11-të në radhë në të cilin rëniet vazhdojnë të jenë më të mëdha se arritjet mbi këto liri në shkallë globale. Në krahasim me vitet e tjera ku rënia e lirive kishte qenë në përgjithësi e përqendruar në mesin e autokratëve dhe diktatorëve që thjesht shkonin nga keq në shumë më keq, viti 2016 tregoi se ishin vendet në zhvillim ato që kaluan nga rritje në rënie të të drejtave fondamentale dhe ndërkombëtare.

Në fakt, vendet e lira më të zhvilluara përbënin pjesën më të madhe të vendeve me rënie se sa në çdo kohë tjetër gjatë dekadës së fundit, dhe gati një e katërta e vendeve të regjistruara me rënie të të drejtave thelbësore për vitin 2016 ishin në Europë.

Ndërkohë që viti 2017 erdhi, demokracitë e mëdha janë zhytur në ankth dhe pavendosmëri, pas një serie ngjarjesh destabilizuese. Në Shtetet e Bashkuara, fitorja presidenciale e Donald Trump, një figurë me pamje të pazakontë mbi politikën e jashtme dhe në çështje të tjera të sigurisë, ngriti pyetje në lidhje me rolin e mëtejshëm të SHBA-së në botë. Referendumi në Britani për t’u larguar nga Bashkimi Europian, rënien e qeverisë italiane pas një referendumi të dështuar mbi reformën kushtetuese, një seri lëvizjesh antidemokratike të ndërmarra nga qeveria e re në Poloni, si dhe shenjat e fitoreve të partitive ksenofobike nacionaliste në vende të ndryshme të Europës, po hedhin dyshime mbi fuqinë e aleancave që kanë formuar institucionet e demokracisë globale.

Në të njëjtën kohë, Rusia jep shenja marramendëse të arrogancës dhe armiqësisë së saj, duke ndërhyrë në proceset politike të Shteteve të Bashkuara, si dhe vendeve të tjera demokratike, duke përshkallëzuar mbështetjen e saj ushtarake te sistemi autoritar i Assad-it në Siri, dhe duke përforcuar ushtarakisht okupimin e paligjshëm të territorit të Ukrainës. Kina gjithashtu po shkel të drejtën ndërkombëtare, duke injoruar vendimin e gjykatës së Hagës kundrejt pretendimeve të saj mbi sovranitetin e detit të Kinës Jugore. Nga ana tjetër, udhëheqësit e Sudanit të Jugut, Etiopisë, Tajlandës dhe Filipineve janë angazhuar në shkelje të të drejtave të njeriut në shkallë të ndryshme pa patur asnjë formë ndëshkimi.

Ndërkohë që vendet demokratike qëndronin mënjanë gjatë gjithë vitit, një koalicion i diktaturave represive bombarduan Alepon dhe qytete të tjera të Sirisë, ku kundërshtarët e presidentit Bashar al-Assad kishin fituar hapësirë. Assad, me ndihmën e rëndësishme të Rusisë, Iranit, dhe një grup ushtarak shumëkombësh të mbështetur nga milicia shiite iraniane, rimori në mënyrë të qartë pushtetin në luftën civile pesëvjeçare, dhuna e rëndë e së cilës ka vrarë qindra-mijëra njerëz dhe miliona të tjerë janë zhvendosur duke u kthyer në refugjatë.

Një koalicion i udhëhequr nga SHBA-të arriti të godasë Shtetin Islamik në lindje, por la aleancën pro-Assad të pacenuar ndërkohë që ajo përqendronte forcat e saj ushtarake te rebelët sirianë dhe popullsinë civile të vetë.

Gjatë dekadës së kaluar, fuqitë autoritare kanë formuar koalicione për të penguar ndikimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj demokratike. Fillimisht, ata u përqendruan në neutralizimin e përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara dhe organeve të tjera transnacionale që kërkonin zbatimin e standardeve globale për demokraci dhe të drejtat e njeriut. Ata gjithashtu kanë punuar mbi mobilizimin e mbështetjes së diktatorëve të tjerë, të cilët përballen me presione të brendshme apo ndërkombëtare, si rasti i Bashar al-Assadit.

Viti 2017 po na tregon se regjimet autoritare kanë arritur deri diku mbështetjen e ​​lëvizjeve dhe figurave politike të Europës. Marine le Pen, lideri i Frontit Kombëtar të Francës, shpesh vlerëson publikisht Vladimir Putin. Ajo ka marrë asistencë financiare nga burime ruse, dhe ka bërë thirrje që Franca të kooperojë me Rusinë si një kundërpeshë ndaj Shteteve të Bashkuara. Politikanët populistë në Holandë, Britani, Itali dhe Austri takohen rregullisht me zyrtarë rusë, kritikojnë sanksionet e vendosura nga BE-ja pas aneksimit të gadishullit të Krimesë, dhe mbështesin interesat e Rusisë me anë të votave në Parlamentin Europian.

Ndërkohë në Ballkan, edhe pse mund të ketë pasur respekt për normat e BE-së në të kaluarën, liderët e vendeve si Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë keqtrajtuar kritikët e shoqërisë civile, kanë penguar hetime të keqbërjes së politikave qeveritare dhe kanë injoruar procedura kushtetuese, edhe pse bisedimet e pranimit të këtyre vendeve në BE vazhdojnë në masë të madhe të palëkundura. Këto janë momentet kur fillon dhe mendon se cilat do të ishin pasojat kur progresi drejt standardeve demokratike është duke u zëvendësuar nga një përzierje toksike e nacionalizmit, korrupsionit, mosfunksionimit qeveritar dhe ndërhyrjes ruse në Ballkan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *