LSI mban pezull krizën dhe zgjidhjen

Postuar më: 20 March 2017 09:09

Nga Vladimir Karaj

Kryeministri iu përgjigj për herë të parë seriozisht ultimatumit të opozitës. Edi Rama thotë se do të shkojë në zgjedhje pa PD-në nëse kjo ngulmon në kërkesat e saj. Qëndrimi i kryeministrit ishte plot me “nëse” dhe “unë nuk besoj”, por përballë çadrës që i ka zënë derën, Rama vendosi të qëndrojë në kalanë e tij, duke lënë të kuptohet se rrethimi o do të bjerë vetë ose dikush tjetër do e çajë për të.

Vendimi i socialistëve nuk lë shumë rrugë për interpretim. Pasi i lëshoi, por pa ia dhënë me zë, katër ministra ndër të cilët edhe ministrin e Brendshëm opozitës, kryeministri ka vendosur të marrë po ashtu një pozicion të panegociueshëm. Kjo ka qartësuar situatën në dy kampe, duke lënë gjithçka në dorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Ilir Metës. Presioni publik, për të pasur qartësi politike, është tashmë i tillë që nuk i lejon dot më asaj lojën me dy porta dhe as arbitrimin me “qetësi dhe dashuri” ndërsa është palë konkurruese.

LSI vijoi edhe dje të bëjë opozitë brenda qeverisë, duke ashpërsuar atë që herë duket si përplasje pa kthim, e herë si negociatë publike për koalicionin e ardhshëm. Përgjigjet e PS ndaj këtyre sulmeve, herë plot politezë dhe herë të tjera ashpër, rrëfejnë se socialistët janë po aq të paqartë sa edhe pjesa tjetër e publikut mbi qëndrimin që do marrin partnerët kryesorë në koalicion në fillim apo në mes të prillit. PD po ashtu është e çoroditur. Qëndrimet e Lulzim Bashës apo të emrave të tjerë të opozitës për LSI, herë lexohen si ftesa e herë si akuza për “patericë të qeverisë”. Basha madje i lexoi replikat e fundit mes dy partnerëve në koalicion si teatër, i cili i vjedh atij të qëndruarit kryelajm, sa kohë përplasjet në koalicion tërheqin më shumë vëmendje.

Kjo e ka bërë për të gjithë të qartë. Ilir Meta është “kingmakeri” në këtë sistem. Ai vendos nëse çadra, do gjejë apo jo një hyrje sekrete në kalanë e rrethuar të qeverisë apo nëse përkundër do të detyrohet të migrojë prej bulevardit.

Kushtet e Metës për të vendosur njërën apo tjetrën janë të paqarta, të paktën publikisht. Ai vijon të ketë negociata me kryeministrin dhe po ashtu vijon përmes njerëzve të rëndësishëm në partinë e tij të ushqejë me shpresë çadrën. Ai ndan me PD mosbesimin për Reformën në Drejtësi dhe një sërë konfliktesh me qeverinë, por po ashtu ndan me Ramën mundësinë për të qenë sërish në qeverisje apo zgjedhjen e presidentit të ri.

E ndërsa nuk dihet nëse Meta ka mundësi të rrëzojë qeverinë, sa kohë kuvendi është plot me deputetë migratorë, është e qartë se cilido pozicionim i tij do i jepte letra të reja njërës apo tjetrës palë. LSI mbetet përtej kësaj e dyzuar.

Por ky dyzim nuk duket se mund të vijojë gjatë. Presioni publik tashmë është i gjithi mbi LSI. Asaj mund t’i përkëdhelet sedra prej këtij momenti, por në anën tjetër është njësoj përballë riskut që të dalë e humbur në një mënyrë ose tjetrën. LSI duhet të llogarisë që është në qeveri prej 8 vjetësh dhe që përndryshe nga PD në 2013 socialistët nuk duken aq të gatshëm të marrin përsipër gjithë kostot e qeverisjes.

Kjo fazë llogaritjesh duket se mban “peng” edhe lëvizjen e saj, ashtu siç bllokon dy forcat kryesore që duhet të presin për të ndarë mendjen se në ç’drejtime do të vijojë beteja e tyre politike. Vendimi i Ramës për të mos lëshuar terren e ka bërë mjaft më të dukshëm mungesën e pozicionimit të LSI. Ajo duhet të zgjedhë të rreshtohet në krah të kryeministrit, ose t’i dalë atij përballë. Kjo do i jepte fund të qëndruarit pezull.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *