Lindita Arapi: Në letërsi realiteti bëhet imagjinatë dhe anasjelltas

Postuar më: 18 March 2017 13:11

Me poezinë e Lindita Arapit, ashtu si edhe të autorëve për të cilët kam shkruar më parë, jam njohur në antologjinë “Prelude poetike” me poetë të vitit 1990, botuar nga “Naim Frashëri” e cila shkruan se u dorëzua për shtyp me 6 Qershor 1990 dhe, megjithëse është botuar, nuk shkruan se kur doli nga shtypi.

Nga Ledia Dushi

Me poezinë e Lindita Arapit, ashtu si edhe të autorëve për të cilët kam shkruar më parë, jam njohur në antologjinë “Prelude poetike” me poetë të vitit 1990, botuar nga “Naim Frashëri” e cila shkruan se u dorëzua për shtyp me 6 Qershor 1990 dhe, megjithëse është botuar, nuk shkruan se kur doli nga shtypi.

Në poezinë “Kur vij drejt teje” ajo shkruan dy vargje që më pëlqyen “më ndjek pas / drejt teje, pra!”. M`u duk një lodër e bukur me ndjenja dhe fjalë. Isha vetëm 13 vjeçe dhe mendoja se  njerëzit u kushtojnë rëndësi rrethanave, ndërsa poeti duhet t`i qëndrojë besnik ëndrrës. Mendova, ç’është kjo, ëndërr apo rrethanë. E mendova si një ngjarje që noton në ëndrra. Sot mendoj se Lindita Arapi shkruante poezi sepse besonte  në të dhe jo si një ngjarje, por si në një ide e cila vjen si një ëndërr. Te poezia “Grykësja e zezë” shkruan :

 “por kur të më shihni duke rendur me vrap

 pas erës pas dritës…

 mendoni; grykësja iku prej meje /

dhe jo unë prej grykëses”.

Unë ende ashtu mendoj. Duke lexuar poezi të tilla them se poezia është edhe një lloj miqësie ku lexuesi ka pjesën e vet në të. Në poezinë e viteve `90 dallohet një tension ndërmjet fjalës dhe sendit sepse më së shumti, nuk përmendet objekti por i rreshtohen tipare dhe cilësi. Lindita mundohet të ndërtojë figura poetike që lidhin botën e jashtme të natyrës me botën e brendshme të njeriut. Sigurisht nuk mund të shkëpusim poezinë nga ndikimi i drejtpërdrejtë i tendencave shoqërore e shpirtrore. Tendencat vinin tek ne si pasojë e lirisë me të cilën, duhet pranuar, se ne kemi ende punë. Lindita Arapi është nga ai tip i poetëve të cilët në poezi synojnë të shpalosin personalitetin e tyre.

“Unë jam e brymtë,

e kthjellët, e ftohtë; si liqeni alpin i ngrirë,

po për fat

jam dhe e ngrohtë

si copa e madhe e prushit në vatër.

……………………………………

Unë i dua ditë e kaltërta.

Por shpesh jam gdhirë

Me rrathë tepër të zinj tek sytë.”

 

Them se kështu vjen në poezi. Dhe për këtë u pëlqen njerëzve. Ka arritur të ndërtojë figura me të cilat ka përçuar ndjenjat e saj tek ne. Dhe kjo s’është asgjë tjetër veçse besim tek poezia. Ajo është poete moderne  për faktin se jeton në të tashmen. Në poezinë e saj “fjalët dalin në shesh”, ne i ndjejmë dhe pastaj, them se është mendja ajo që i pranon ndërsa në rastin tim dhe i vlerëson.  Lindita Arapi boton katër vëllime poetike, “Kufomë lulesh” (1993), “Ndodhi në shpirt” (1995), “Melodi e heshtjes” (1998), “Shenjat e dorës” (2006)

Në poezi ajo ka edhe këngë dhembjeje të cilat janë njëherësh edhe vetë dhembja. Në poezinë  “Koha” shkruan꞉

“Është filli

i lëmshit të leshtë e të shthurur

Përreth gjinjëve të nënës

Teksa thurte trikon time.

Tashma vendi i saj është bosh

Ime më nuk sheh ma nga sytë

Dhe ditët i përkund pa fund”.

Në këtë poezi zanafilla vjen si një karakter autobiografik, por vetë poezia është një vepër artistike. Kështu s’ka ndryshim mes ëndrrës  dhe shprehjes, s’ka ndryshim mes strukturës shpirtërore dhe krijimit. Megjithëse po flasim për poezinë dëshiroj ta mbyll me një moment nga proza e Lindita Arapi:  “Mëngjesi ende luhatej i pavendosur midis reve dhe diellit”.

Proza

Në vitin 2010 IDEART boton romanin e Arapit “Vajzat me çelës në qafë”. Romani na sjell një lidhje të ditëve, kohëve dhe njerëzve, për të cilët i kanë treguar të tjerët ose i ka jetuar vetë. Kudo në faqet e këtij libri duket se përballet me veten. Nëpërmjet këtij libri ajo kalon një moment shumë të rëndësishëm  për shkrimtarin, artistin, është momenti kur njeriu njeh vetveten, sepse vetëm atëherë ka çfarë t`u tregojë të tjerëve.

Kujtimet janë të vetmet që mund ta kthejnë kohën. Ato i ngjasojnë një deti  ku lëvizin nga sipërfaqja në thellësi. Në sipërfaqe gjallojnë kujtimet tona të cilat lehtësisht mund të humbasin në vorbullën e përditshmërisë, ndërsa të tjerat zhyten drejt  thellësisë. Me thellësinë ato fuqizohen dhe struken në një “Bibliotekë” imagjinare të cilën sa më vonë ta hulumtojmë, aq më shumë afrohet me ëndrrën,  mitin dhe legjendën.  Duke synuar realitetin e kohës  ato vinë nëpërmjet shqetësimeve,  ëndrrave,  gjurmëve të thella të emocioneve, imazheve, peizazheve, trimërive e vuajtjeve, këngëve, valleve, intrigave, pasioneve,  shqetësimeve, dashurive, flirteve deri tek  shfaqjet e të përditshmes në ekranin e pafund të jetës.

Kujtimet synojnë për ta sjellë të shkuarën me vete në bashkëkohësi kështu që mund të themi se kujtesa i afron njerëzit. I thashë të gjitha këto për kujtesën sepse mendoj se kjo gjë mund të konsiderohet edhe një ndër elementet kulmore e më të qenësishme në romanin “Vajzat me çelës në qafë ” të Lindita Arapit.

Ajo rrëfen me shumë dashuri. Duket sikur kërkon të jetojë e vetme në mes njerëzve. Anatol Frans shkruante: “Kur i kujtoj ngjarjet e çuditshme nga jeta ime, herë-herë dyshoj a mos vetëm e kam ëndërruar tërë këtë”. Mendoj se ajo që e bën edhe më  të plotë këtë libër është dashuria dhe respekti për të tjerët.
Autorja shkruan: “ Gjyshja, Lodja dhe nëna e saj, ishin tre femra që ngjasonin shumë. Jo pse fatet e tyre i kishin lidhur me njëra- tjetrën filli i fatalitetit, të cilit ato i ishin bindur, i ishin përunjur,  e kështu fati i kishte pllakosur njësoj.  Lodja ishte në stacionin e fundit. Nuk kishte mundësi për të vazhduar më tutje, kishte patur vetëm kthim në stacionet e shkuara, ne anamnezën e dhembjes.” ( fq. 231 )

Tashmë kujtesa ishte ringjallur. Ajo shkruan në një kohë kur në kokë e në zemër ka vlera të reja. Ajo e ndien se shpirti i botës së brendshme është liria.

Në atë kohë frika ishte një masë viskoze, pa formë, ku i zihej fryma lirisë. Ku vdisnin pa lindur ndjenjat, dëshirat e mbi të gjitha ëndrrat. Kështu ai qytet gjallonte pa “botë të brendshme” ku dridhej nga “frika për të qenë e rritur”. “Më ndihmo të mbetem kështu e vogël”, i lutej hënës natë për natë në dritare”. ( fq. 23 )

Në këtë libër rrëfehen gjëra të vërteta. Janë pikërisht këto të vërteta që ndihmojnë autoren “të mos vdesë nga e vërteta”. Flet shumë për fëmijërinë e cila tashmë ishte larguar, por ashtu siç e  thotë vetë në faqet e romanit, “I dukej sikur ende s`i kishte thënë lamtumirë”. ( fq. 86).

Romani në fjalë nuk është i llojit që mund të konsiderohet, me ëndrra për të kaluar kohën ose për t`u çlodhur. Aty kujtimi, ëndrra dhe mendimi përputhen. Gëzimi i provuar nga kjo përputhje të zgjon kënaqësi.

Në Prologun e librit është shkruar: “Aty ku e shkuara i është lënë bjerrjes, tragjeditë janë mbajtur të kyçura, nuk merret frymë lirisht dhe ajri mban erë dheu. Ai do thjesht që historitë të dalin në dritë, të rrëfehen, brez mbas brezi, të mos vdesin aty nga harresa. Pengu im andaj po prêt derisa një gojë të rrëfehet, një dorë t`i hedhë në letër.” ( fq. 9 )

Romani vjen si  një këngë e cila njëherësh është edhe vetë dhembja. Pasi e lexon librin të vjen ndërmend një shprehje e Sartrit: “Është një dhembje që nuk është më”. Tani ajo është treguar me mjeshtëri. E gjithë kjo s’është gjë tjetër veçse letërsi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *