Lehtësia e papërballueshme e fjalës së lirë

Postuar më: 18 March 2017 10:01

Nga Klementin Mile*

Debati i hapur së fundmi në opinionin publik për shfaqjen apo jo të filmave të realizmit socialist, na përvijon dy periudha të ndryshme, ku edhe fati i fjalës ka pësuar ndryshim. Gjatë regjimit komunist fjala ka qenë e kufizuar rreptësisht; në shumicën e rasteve ajo ishte e dënuar të mbetej në ndërgjegje, si mendim, dhe të mos lindte kurrë si fjalë e përdorur në komunikim me të tjerët. Censura, autocensura, neni 55 për agjitacion dhe propagandë, sanksionet ligjore dhe mosbesimi te të tjerët (të cilët mund të ishin spiunë të regjimit) bënin të mundur vdekjen e fjalës në ndërgjegjen e individit, ashtu si një foshnjë që lind e pajetë.

Por, nga ana tjetër, fjala në mungesë lirie kishte një peshë të jashtëzakonshme. Ajo, pas një lindjeje të vështirë, vinte në botë për të thyer heshtjen e madhe, për të ngjizur reagim dhe kritikë, për të propozuar alternativa. Asgjë nuk mund ta rrezikojë më shumë një regjim monist se sa propozimi i alternativave – kjo është baras me kërkesën për rrëzimin e vetë regjimit. Po të përdorim konceptet ekonomike të inflacionit dhe deflacionit, fjala në komunizëm ishte deflacionare, por pikërisht për këtë kishte vlerë të madhe. Fjala ishte eksplozive, ajo ngjizej në ndërgjegjen e dikujt, por efekti i saj përhapej në shumë ndërgjegje të tjera, aq sa me të drejtë regjimi komunist frikësohej prej saj.

Sot, në demokracinë shqiptare, fjala e lirë është e garantuar me ligj dhe kushtetutë. Individi shqiptar nuk ka pse e burgos më fjalën në ndërgjegjen e tij. Fjala lind lirisht kudo dhe kurdo. Për të gjithë presidentët, kryeministrat, ministrat dhe deputetët që kemi patur në demokraci janë thënë të gjitha llojet e fjalëve, pa asnjë censurë apo autocensurë. Është thënë sa ka vjedhur njëri, sa ka mashtruar tjetri, sa i korruptuar është ky, sa i lidhur me krimin ai, e kështu me radhë. Nuk kanë folur vetëm zyrtarët kundër njëri-tjetrit, por edhe qytetarët që nuk mbajnë poste zyrtare.

Zakonisht kjo celebrohet si fitore e fjalës së lirë, të cilën vetëm demokracia e mundëson. Por, në Shqipëri, kjo është fitore si e Pirros. Sot fjala, kur lind, nuk vjen në një botë ku mbizotëron heshtja; përkundrazi, vjen në një botë të zhurmshme, ku fjalët thuhen pa problem e pa fund. Sot fjala që lind nuk thotë asgjë të re, asgjë që nuk është thënë më parë. Sot fjala është e klonuar nga fjalët e tjera. Ajo nuk ka peshë, por vetëm një lehtësi të papërballueshme. Fjala në liri është inflacionare dhe implozive. Inflacionare sepse e gjen veten në shoqërinë e një numri shumë të madh fjalësh të tjera, të thëna nga shumëkush, për shumëçka dhe shumëkënd; dhe implozive sepse ngjizet në ndërgjegjen e individit dhe, pavarësisht lirisë për t’u komunikuar, nuk arrin të komunikohet. Zakonisht, ajo mbetet brenda ndërgjegjes individuale dhe nuk jep asnjë efekt publik të jashtëm, por jep shumë efekte psikologjike të brendshme, si dëshpërimi, stresi, alienimi etj. Në kushtet e inflacionit fjala vlen shumë pak. Ajo nuk mund të rrëzojë regjime dhe prandaj regjimi nuk i trembet fare. Regjimi, thjesht, prodhon fjalët e veta, tregon versionin e vet të ngjarjes.

Është e qartë se heshtja komuniste është zëvendësuar nga kakofonia demokratike. Siç thotë teksti i një kënge të grupit Elita 5, “të gjithë bërtasin, askush nuk dëgjon”. Në këto kushte është e rëndësishme të shtrohen pyetje esenciale për një regjim demokratik. Kur fjala nuk ka vlerë, si arrin qeveria t’i japë llogari popullit? Kur fjala nuk ka vlerë, si arrin populli të vendosë për cilën parti të votojë? Kur fjala nuk ka vlerë, si mund të jesh parla-mentar?

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *