“Kinostudio “Shqipëria e vjetër”, ose kryqi i shpërfillur i Moskës”

Postuar më: 18 March 2017 09:54

Enigma e strukturës së godinës së ish- Kinostudios “Shqipëria e re” në librin e ri studimor të  Gëzim Qendros, shtuar serisë së surrealizmit socialist; zbulimi, analiza dhe interpretimi, pse u shpërfill nga regjimi arkitektura që në përfundimin e studiuesit ishte një program ikonografik kryekëput subversiv: me planimetri kishash me anijatë dhe transet, kube me perëndi pagane në kulm, me Gralin e shenjtë në hyrje, punëtorë e fshatarë të pikturuar në vend të shenjtorëve, guaska shatërvanësh dhe burime të shenja…

Nga Violeta Murati

“Hutini i Minervës ngrihet në fluturim vetëm pasi bie muzgu” – citon Hegelin, studiuesi i arteve pamore, Gëzim Qendro, – duke nënkuptuar ndër të tjera se vetëm pas perëndimit të një epoke historike fillon procesi i mirëfilltë i hulumtimit dhe njohjes në thellësi të natyrës e veçorive të saj të papërsëritshme. Kjo figurë misterioze e mitologjisë greko-romake (sivëlla me hutinin e Athinasë), quhet simbol i hulumtimit dhe filozofisë jo vetëm sepse arrin të shohë edhe në terrin më të plotë, por edhe sepse rri vazhdimisht mendjengritur duke shqyrtuar imtësisht gjithçka që hyn në fushën e shikimit të tij, të mprehtë…Me këtë hyrje të botimit, të serisë së surrealizmit socialist, “Kinostudio “Shqipëria e vjetër”, botimet “Onufri”,  Qendro vihet në ndjekje të aventurës seminale të gjurmës.

Duke marrë nga metafora e “hutinit” që nis fluturimin e heshtur studiuesi me një përvojë relativisht të gjatë pune në ish Kinostudio, dikur e quajtur “Shqipëria e re”, dëshmon zellin hulumtues që synon zbulimin e “territorëve të panjohura” të një periudhe historike, në vështrime të reja, të territoreve që mendohet se njihen mirë. “Nuk duhet stepur sidomos kur, në territore të tilla të njohura zbulojmë dëshmi kundërthënëse për të cilat nuk kemi asnjë shpjegim”.

Qendro bën fjalë për librin e tij studimor që nis nga një përvojë e tillë: me zbulimin befasues se, planimetria e ndërtesës tashmë historike të ish-Kinostudios “Shqipëria e re” ka formën e kryqit. Është një pamje e Kinostudios që ofrohet nga sateliti ku shquhet planimetria e pazakontë e saj. Kjo, në fakt, qarkullonte prej vitesh si një kuriozitet, përfshirë me mister mbi epokën staliniste me gjurmët e saj uzurpuese, kur Qendro tregon se kjo pamje i ra në sy krejt papritur vite më parë kur po bënte një detyrë kursi me studentët e fotografisë. Edhe pse dihej, si atëhere, dhe në këta vite askush nuk e ka artikuluar me zë të lartë, dhe përfshirja në një studim të tillë e bën edhe më domethënëse epokën e stalinizimit mbi Shqipërinë. Nga ky zbulim, Qendro shkruan: “…Mbeta i shtangur pa u besuar syve. Çudi, si nuk e kisha vënë re më parë, në atë ndërtesë kisha punuar gati dhjetë vjet! Dhe nga ajo kohë kishin kaluar edhe plot gjashtëmbëdhjetë vite të tjera! Me sa duket, edhe unë, ashtu si hutini i Minervës, duhej të prisja “të binte muzgu i Historisë”, për të “parë” atë që dikur e kisha pasur para syve. Por, ndryshe nga hutini që zbulon duke vëzhguar me sytë e tij të mprehtë, zbulimi, si të thuash, “m’u shfaq vetë”.

Ky akt zbulimi u shndërrua tek studiuesi në një dialog të brendshëm, një moment reflektimi dhe përjetimi mbi përvojën, ndërgjegjësimin për një fakt, duke dalë nga idetë mbi të, duke krijuar themelet e fenomenologjisë, duke ia nënshtruar objektin e zbuluar analizave racionale dhe persiatjeve në kërkim të një domethënieje të re.

Qendro krijon këtë persiatje nisur së pari sesi ky zbulim u shfaq si vetëdijësim i ndërgjegjës, për diçka që kish qenë gjithmonë aty, e pafshehur, përpara syve, por që po “shfaqej” papritur, pa ndonjë arsye të dukshme me “shqetësimin”, pse pikërisht tani dhe jo më parë?!

“Për vite me radhë, bashkë me punonjësit e tjerë të Kinostudios isha endur nëpër hapësirat brenda dhe jashtë ndërtesës, kisha hyrë e dalë nëpër dhoma e salla, hipur e zbritur shkallëve pa e parë me vëmendjen e duhur si objekt fenomenologjik, por vetëm si një hapësirë e brendshme ku shpalosej përditësia jonë dhe zhvillohej një veprimtari e ethshme prodhimi filmash”.

Dhe ja, ndalet Qendro, ku u shfaq pyetja e pashmangshme: si mundej që dy regjime totalitare, ai sovjetik dhe ai shqiptar, armiq të betuar të institucioneve fetare, të kishin ideuar ngritjen e një “vepre të rëndësishme pesëvjeçari”, me planimetri në formë kryqi, që prej shekujsh njihet si planimetria standard e ndërtesave të kultitt të krishterë.

Studiuesi me një punë, në gati prej 250 faqe, merret me analizën e interpretimin, historinë dhe domethëniet e simbiologjisë që “fshihen” pas strukturës së ndërtesës së Kinostudios.

Duke u marrë me gjithë elementët e godinës, Qendro nis nga kubeja, që ndodhet në pikëprerjen e “anijatës” me “transetin”, e fshehur në gjysmerrësirë, të cilën ai nuk e ka parë asnjëherë të ndriçuar, ku në mugëtirën e kubesë, në majë të saj dallon turbull një kryq të pikturuar, një simbol në formë kryqi me katër krahë të tjerë të valëzuar midis tyre.

“Njëlloj si në kishat bizantine, nga kulmi i kubesë varet një shandan…Isha pa fjalë. Nuk do të isha çuditur më shumë po të kisha parë dikur ndonjë funksionar të lartë komunist me kryq në qafë. Ende i bindur se po shihja ëndërr me sy hapur, por tashmë i kapur nga ethet e zbuluesit, u përpoqa të gjej dëshmi të reja për ndonjë program të mundshëm ikonografik qëllimisht subversive ku përfshihej struktura dhe dekorimi i ndërtesës, të cilën, meqë e njihja shumë mirë, mjaftoi një “shëtitje” e shpejtë me mend nëpër hapësirën e brendshme dhe ballinën e sja për të zbuluar edhe disa elementë të tjerë subversivë për ideologjinë dhe simbolikën zyrtare totalitare si: vendosja e dy burimeve të shenjta anash hyrjes kryesore, medaljonet, pjesë e repertorit klasik të arkitekturës fetare të Rilindjes, dy shatërvanët me tre guaskat dhe një shatërvan brenda ndërtesës. Pra, me sa duket, qenka një program i mirëfilltë ikonografik! Mos padashur kisha zbuluar një skelet të fshehur në dollapin e arkitekturës socialiste?”

Studiuesi e konsideron këtë një program ikonografik, një situatë arkitekturore mbi të cilën hedh shumë pyetje për analizë: si mund të përligjej ideologjikisht prania enigmatike, në dukje e pamundur dhe kundërthënëse e këtyre elementëve të huazuar prej sintaksës tradicionale të arkitekturës së krishterë dhe pagane, në projektin e një ndërtesë të njohur si paradigmë e neoklasicizmit sovjetik në Shqipëri? Kush e kishte ideuar planimetrinë e çuditshme dhe programin ikonografik me përmbajtje fetare? Ishtë bërë me miratimin e censurës së dy regjimeve totalitare, apo bëhej fjalë për një akt subversive që i kishte shpëtuar regjimit? Përse nuk ishin përdorur simbolet e njohura të ikonografisë socialiste? Të gjitha këtyre shqetësimeve, e pyetjeve Qendro i përgjigjet në kapituj respektivë në librin studimor e analitik “Kinostudio “Shqipëria e vjetër”, duke iu afruar enigmës, së paku të strukturës së ndërtesës si dhe domethënies ideologjike të kohës me bindjen se, parë nga lart, kjo godinë nuk i përgjigjej asnjë natyre tjetër, veçse si objekt kulti të krishterë.

Për këtë të fundit, studiuesi merr në shqyrtim edhe ndonjë mundësi ndërhyrjeje të mëvonshme, pas përurimit, që mund t’i ketë dhënë objektit atë planimetri subversive.

Qendro sqaron: “Shqyrtimi në arkivin e Kinostudios i projektit origjinal të studios sovjetike dhe planimetrisë disa metra të gjatë e të palosur shumë herë, sqaruan përfundimisht se ndërtesa ishte projektuar qysh në fillim në formë kryqi. Për çudi, nuk arrita të gjej asnjë përkthim shqip të tekstit shoqërues në rusisht, çka mund të shpjegohet me dy arsye; ose zbatimi i projektit nga specialisti rus Allpatov është kryer pa u këshilluar me specialistë shqiptarë, ose teksti shoqërues në shqip ka humbur. Në tekstin shoqërues rusisht flitet me hollësi për studimin sizmik të zonës, cilësinë dhe përbërjen e truallit, tullave, llaçit, betonit apo metarialeve të tjera që janë përdorur, por nuk përmendet gjëkundi forma e planimetrisë dhe programi ikonografik i pazakontë. Në të thuhet vetëm se: Konceptimi i ndërtesës u bë mbi një konceptim simetrik me portik qendror të vendosur sipas aksit të simetrisë, dhe u realizua me forma klasike, duke i dhënë ndërtesës karakter të qetë dhe monumental”

Kjo planimetri formëkryq i një institucioni të rëndësishëm të kulturës vinte pikërisht pas revolucionit antifetar të regimit në vitin 1967. Nëse për studiuesin, raste të ngjashme, ose të çfarëdo situate për analizën e strukturës  konceptuale fshehje/ mosfshehje përdoret në rastet për të kuptuar çdo epokë historike nga kohët e lashta e deri ditët tona, në rastin e Kinostudios habia lidhet se projektuesit sovjetikë nuk janë përpjekur fare të fshehin përdorimin e njësive arkitekturore dhe simboleve (të paktën zyrtarisht) të papajtueshme me marksizëm-leninizmin!! “Në ndërtesën e Kinostudios gjejmë vetëm konceptin e dytë “mosfshehjen” çka e ndërlikon situatën më tepër, pasi prania e simboleve fetare jo vetëm nuk është e mirëpritur nga estetika socialiste, por është edhe e dënueshme. Reagimi i natyrshëm do të ishte që të përpiqeshin të paktën ta fshihnin disi. Por, çuditërisht gjithçka tregohet hapur, në dritën e diellit”. Në ironi të kësaj situate, Qendro kujton se në atë kohë, midis punonjësve të Kinostudios flitej nën zë për kryqin në shpinën e shtatores me kostum popullor mirditor të vendosur në njërën nga shtyllat e rrethimit të oborrit, vepër e Odhise Paskalit. Madje ky fakt ishte ndër gjërat e para që u tregonin të sapopunësuarve. Ishte i vetmi kryq, edhe pse i gërryer nga motet, nuk i kish shpëtuar vëmendjes dhe flitej nën zë për të. Ndërsa kryqin e madh të planimetrisë së ndërtesës “që e kishim të gjithë para syve nuk e shihnim”. Qendro sjell dëshminë e ish kryeinxhinierit të Kinostudios në vitet 1972-1994, Zhani Canco, që ishte në dijeni të planimetrisë së pazakontë, por nuk kishte guxuar të fliste me askënd. Përmendet dhe se një grup militantësh komunistë patën treguar “vigjilencë revolucionare” kur u ankuan për formën e kryqit që krijonte silueta e kazmës dhe pushkës në siglën e revistës televizive të mbrëmjes, duke u vënë në dijeni edhe Komiteti Qëndror i PPSH-së. Pse shpërfillej kjo pamje, Qendro jep një mendësi: “Mendoj se arsyeja e shpërfilljes së simbolikës së ndërtesës lidhet me faktin që një ndërtesë si korpusi qendror i Kinostudios duket se përjashton plotësisht mundësinë e përmbajtjes së ndonjë kodi semiologjik qëllimisht armiqësor, pasi nuk u ndërtua për të komunikuar ndonjë domethënie, por të krijonte një hapësirë të brendshme me një funksion të caktuar: prodhimin e filmave. Të mësuar në vite të shihnim vetëm funksionin e hapësirës së brendshme askush nuk e vrau mendjen nëse krahas funksionit denotues të guaskës arkitekturore, bashkëjetonte i padukshëm ndonjë semiologjik subversive”

Qendro nuk zbulon vetëm kryqin në planimetrinë e ndërtesës, por e çon më tej, si një çështje mjaft të ndërlikuar, ku kjo ndërtesë e projektuar në “Bashkimin e lavdishëm sovjetik”, vendin simbol të “revolucionit socialist”, e përuruar nga vetë kreu i regjimit shqiptar, e konsideruar në atë kohë si arritje e pesëvjeçarit të parë, të vetmen elementë të simbolikës socialiste kishte yllin që mban shtatorja e gruas mbi pediment, flamurët dhe stemën e Republikës (për të cilat studiuesi thotë se nuk janë elementë strukturorë të mirëfilltë), të cilat pas restaurimit rrënjësor të ndërtesës u zëvendësua me një pishtar, dhe  të tjerat u lyen me bojë të bardhë, duke u bërë të padukshëm. Për gjithë strukturën tjetër të godinës Qendro e ndal me të dhëna që analizohen në këtë libër, e që lidhen totalisht me një objekt kulti: “gjithçka tjetër, portiku i tempullit grek, shtyllat me kapitele korintikë, shtatoret në këndet e pedimentit, planimetria formëkryq, kubeja e pikturuar, kryqi në majë të kubesë, dy objektet liturgjike në dy anët e portës kryesore të hyrjes, simboli i kupës, medaljonet, shatërvanët me tre guaska horizontale, shtyllat mbi portën e hyrjes me simbolin e hardhisë dhe rrushit, marrëdhënia e trupit të ndërtesës me të gjithë elemetët që analizohen në libër, janë huazuar sipas studiuesit nga tradita shumëshekullore e ndërtimit të objekteve të kultit të feve politeiste dhe monoteiste, tradita arkitekturore që lidhen me ideologji ndaj të cilëve marksizëm leninizmi mban qëndrim tërësisht armiqësor”.

Përurimi i këtij institucioni u shënua si një rast i jashtëzakonshëm, më 10 korrik 1952, duke iu referuar “retorikës tipike për kohën” në fjalimin e kryeinxhinierit sovjetik Boris Allpatov: “Filmat e Kinostudios “Shqipëria e re” do t’i japin mundësi popullit shqiptar të forcojë bindjen për forcat e tija madhështore”.

 

Fotoja historike e përurimit

Qendro sjell një foto historike në libër, një kronikë e shkëputur nga kujtimet e Xhanfise Kekos në librin “Ditët e jetës sime”, 2007,  kur është përuruar godina e Kinostudios, bashkë me dëshminë e asaj dite. Teksti shënon: Në foto shihet Enver Hoxha, i veshur me kostum të bardhë, teksa pret shiritin me gërshërët që i ka dhënë Xhanfise Keko, montazhierja e sapokthyer nga Moska, e cila më pas do të bëhej regjisore e njohur filmash për fëmijë. Ja si e përshkruan ajo atmosferën e atij mëngjesi një diel të 10 korrik të vitit 1952, kur personalitetet më të larta të regjimit erdhën për të uruar kinematografinë lehonë shqiptare në ditën e “lindjes” së Kinostudios “Shqipëria e Re”: Kur mbërritëm ne, godina ishte zbukuruar me flamuj e lule dhe dukej edhe më e bukur se sa ishte në të vërtetë. Po kështu, edhe të ftuarit, thuajse kishin mbërritur, me përjashtim të autoriteteve kryesore që priteshin nga çasti në çast. Enver Hoxha i veshur me një kostum të bardhë që, në dritën e diellit dukej edhe më i bardhë, mbërriti i shoqëruar nga Presidenti i Kuvendit Popullor dr. Omer Nishani, anëtarët e Byrosë Politike Hysni Kapo, Gogo Nushi, Beqir Balluku e Spiro Koleka[…]

 

Fytyra nga Verilindja, drejt Moskës…të jetë rastësi?!

Godina e Kinostudios mban dhe një enigmë tjetër, që e  merr në shqyrtim Qendro, nëse është një rastësi që i ka kthyer “shpinën kryeqytetit të huaj” që e mirëpriti duke e rikthyer “fytyrën” nga kryeqyteti ku u projektua. Kësaj studiuesi i referohet pamjes që vjen nga google earth, drejtimin e boshtit simetrik të ndërtesës, që na shpie pak a shumë në…Moskë. Qendro ngre sërish pyetje, nëse mund të ketë qenë kjo arsyeja përse u lanë pas dore përparësitë estetike dhe funksionale që kishte kthimi ballinës nga apo jug-perëndimi, respektimi i shikuesit si qendër dhe funksionimi deklamues i ballinës…? Studiuesi vë re, se boshti i Kinostudios zhvendoset paksa drejt veriut me një diferencë që, sipas matjeve del se është 11gradë, një fakt i konsideruar problematik, thotë Qendro, sepse nga konsultimet e tij me literaturën që trajton orientimin e objekteve të kultit del se shmangia e pranueshme është rreth 5 gradë. “Largësia nga ballina e Kinostudios deri në qendrën e Kremlinit është 2055, 27 km e cila, sipas specialistëve, e bën tolerancën e disa gradëve të pranueshme, pasi gabimi mund të shkaktohet nga forma e Tokës, dhe nga procesi i montimit të mijëra fotove. Mos harrojmë që çdo 200 milje hartografët detyrohen të bëjnë një korigjim i cili, nëse përsëritet shumë herë, shton mundësinë e gabimeve duke e bërë rezultatin e matjes edhe më të pasigurt”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *