Homo Migrantis

Postuar më: 18 March 2017 13:18

Entela TABAKU

Katёr lexime pёr njё poezi: poezia “Homo Migrantis” e Shqiptar Osekut/HOMO MIGRANTIS, titulli i bie gozhdës drejt e në krye. Për lexuesin që e ka gozhdën të matur në mish të vet dhimbja është gati fizike. Në poezinë shqiptare, që ka disa vite që po përpiqet të rrëfejë emigrimin, ikjen, syrgjynosjen, hyn më në fund një term që e përfshin të gjithë fenomenin: homo migrantis, një metaforë etnografike

 

 

HOMO MIGRANTIS

nga Shqiptar Oseku

Më ndalonin nē çdo kufi

Më kujtohet

Ma kërkonin një letërnjoftim të vjetër

Unë ua jipja e ndrydhja panikun

Aty më rrinte emri mbiemri

Data e vendi i lindjes

Ishte mot i lig

Mua më ndiqnin të shtëna

E ata lexonin me belbëzime

Qenien time

Ma skanonin dyshueshëm

Dikur më lejonin të dal

(Por jo të hyj-

kjo do të më mirrte akoma tjera vite)

Tashti në kufi ndalin kipcin tim

Të ndjekur me të shtëna

Ia skanojnë

shkaqet e qenies

Belbëzimthi

Emrin mbiemrin Datat e vendet

(Thuajse dikush bëhet unë pa arsye)

E ai mban erë gjak-

Unë ndiej në eshtra tek vjen

 Një mot i lig

 E kërkoj me instinkt në xhepa

Letërnjoftimin e vjetër

Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)

HOMO MIGRANTIS, titulli i bie gozhdës drejt e në krye. Për lexuesin që e ka gozhdën të matur në mish të vet dhimbja është gati fizike. Në poezinë shqiptare, që ka disa vite që po përpiqet të rrëfejë emigrimin, ikjen, syrgjynosjen, hyn më në fund një term që e përfshin të gjithë fenomenin: homo migrantis, një metaforë etnografike. Gjetja e këtij përcaktimi është kapësja e parë që e shtrëngon poezinë dhe e ngre atë nga masa gri e poezive të rëndomta të emigrimit. Homo Migrantis i rrëfyer këtu si një specie më vete që mbahet fort mbas një karte, vlera e së cilës bëhet e pazëvendësueshme, pikërisht kur je një homo migrantis: letërnjoftimi, karta që të përcakton aty ku askush nuk e di (dhe as do t’ia dijë) se kush je. Karta që ta përcakton dhe ta përkufizon fatin. Letërnjoftimi si metaforë dhe si mallkim. I mbushur me emra të vështirë (a të frikshëm) që askush nuk mund t’i shqiptojë, veç t’i belbëzojë.

Poezia është e ndërtuar në dy rrafshe kohore, dje dhe sot, të ndara dukshëm. Pjesa e parë e poezisë është rrëfimi i së djeshmes, “më kujtohet” dhe koha e pakryer e foljeve mbështesin rrëfimin e ikjes. Një ikanak që ikën me panikun dhe letërnjoftimin si të vetmit shoqërues. Të dy këta shoqërues janë prova të një identiteti të refuzuar, një identitet që veç belbëzohet, skanohet dhe askush nuk e pranon krahëhapur. Një ikje, për më tepër, e përsëritur në kohë “Dikur më lejonin të dal/(Por jo të hyj- kjo do të më mirrte akoma tjera vite)”. Pjesa e dytë e poezisë është kthim në të sotmen të shënuar me “tashti” dhe foljet në të tashmen. Një kipc shfaqet në skenë. Një kipc, një dytëshor, thotë Fjalori, “njeri që nga pamja e jashtme duket pothuajse njësoj me një tjetër, njeri që i ngjet aq shumë një tjetri, sa mund ta marrim për të, kipc.” Ja, e mësova edhe një fjalë që nuk e dija, më ndodh rëndom kur lexoj Osekun. Në pjesën e dytë të poezisë rrëfimi i ikanakut i përket një tjetri. Poeti veç ia ndien erën ikjes, vjen era gjak dhe historia përsëritet. Poeti ndihet si kipci: poeti dje, kipci sot. Poeti është kipci, kipci është poeti. Poezia mbyllet aty ku nisi, në panikun e ndalimit në kufi. Në çdo kufi. Duke e mbyllur kështu rrethin e identifikimit.

Leximi i dytë (leximi i teknikës)

A e lexove?

Teknikisht Homo Migrantis është poezia e mjeshtërisë së identifikimit tridimensional. Në sipërfaqe të duket se shenjat më të rëndësishme janë ato që shenjojnë kohën, udhëtimin në kohë të poetit, historinë që përsëritet. Lexuesi rri në majën e kodrës së leximit të parë dhe kundron ç’u bë. Aty poshtë, Homo Migrantis shalon fatin e vet, në këtë rast i ndjekur nga të shtëna. Por s’është veçse sipërfaqja. Ajo që vlon brenda leximit është edhe një tekst tjetër: është përsëritja këmbëngulëse dhe e pamëshirshme e përemrave që shenjojnë vetën e parë:

Më ndalonin …

Më kujtohet …

Ma kërkonin …

Unë …

më rrinte …

Mua më …

Qenien time …

Ma skanonin …

më lejonin …

do të më mirrte …

Toka nis e tundet e shkundet në leximin e dytë. A e ndien? Ajo që lexuesit së pari iu duk një kodër vrojtuese, në të vërtetë është kurrizi i një kafshe të madhe. Kafsha çohet ngadalë në këmbë dhe nis lëviz me lexuesin kaluar. Paniku i ikjes, skanimi i qenies, të shtënat, bëhen pjesë e përjetimit të vetë lexuesit, që në këtë mënyrë e kalon kufirin e poetit. Ndjekja, përndjekja bëhen pjesë e përjetimit të leximit. Angështia e poetit bëhet angështia e lexuesit. E kaluara e poetit perjetohet live nga lexuesi: ndjekja, ndalimi, dalja, moshyrja.

Deri këtu, gjithçka është e njohur, si teknikë dua të them. Rrëfimi në vetë të parë e krijon shpesh iluzionin e identifikimit me poetin. Kjo këmbëngulja kryefortë me përemra identifikues e shënon një talent të veçantë, por origjinalja e kësaj poezie është megjithatë se ajo e shtyn edhe më tej lexuesin. E shtyn në pjesën e dytë. Aty ka edhe një kufi tjetër që duhet të kalohet: kufiri i kipcit. Poeti nuk po rrëfehet për të treguar historinë e vet. Përndryshe do të ishte një poet i zakonshëm dhe këto lexime nuk do të shkruheshin kurrë. Sepse historia e poetit është shkruar në mënyra të ndryshme edhe herë të tjera. Por në pjesën e dytë të Homo Migrantis vetë poeti e kalëron fatin e kipcit, identifikimi me të shprehet qartë:

Thuase dikush bëhet unë pa arsye

Kështu hapet loja e identifikimit: lexuesi, poeti dhe kipci. Lexuesi është poeti, poeti është kipci, kipci është lexuesi? Kjo është mjeshtëria. Mbyllja e rrethit i jep një karakter gati universal poezisë. Të gjithë e ndiejnë motin e lig që po afrohet, të gjithë njëherësh kërkojnë në panik nëpër xhepa letërnjoftimin e vjetër. I ndalur në çdo kufi të poezisë lexuesi letërnjoftohet me përjetimin e poetit.

Leximi i tretë (leximi i mendimit)

Dy mendime më përsillen në krye duke lexuar:

Ku ka Homo Sapiens do të ketë Homo Migrantis.

Një herë Homo Migrantis, gjithmonë Homo Migrantis.

Ai çfarë je ti sot, do të jetë dikush tjetër nesër. Të gjithëve na përndjekin të shtënat, në mos sot nesër. Jemi të gjithë ikanakë dhe kalërojmë të njëjtin fat. Era e gjakut ndihet sot në gjithë botën. Vrojtuesit janë kalërues, me dashje apo pa dashje. Ikanakët e djeshëm janë vrojtuesit e sotëm. Ku ka Homo Sapiens do të ketë Homo Migrantis. Një herë Homo Migrantis, gjithmonë Homo Migrantis. Poezitë e mira e kanë të ndërtuar në vete një aktualitet që nuk vjetërohet kurrë. Dhe në u pastë vjetëruar e kanë aftësinë të ta projektojnë si të gjallë në ndjesitë e tua.

Poezia është interesante edhe në një plan tjetër, në planin e poetikës së mërgimit. Poezia e mërguar shqiptare ka zakonisht dy qasje ndaj gjendjes së vet: patriotizëm dhe mall. Patriotizmi është karakteristik i një mërgimi politik. Malli është karakteristik për poezinë e sotme të mërgimit ekonomik. Homo Migrantis i përket një poezie globale të mërgimit. Një poezi që është gjithnjë në kërkim të identitetit. Kjo poezi çdo kufi e përjeton si etapë të zhvillimit të një identiteti të ri.

Leximi i katërt (leximi i vetes)

Unë qëndroj në kufi. Më ndalonin në çdo kufi. Sytë dyshues të policit të kufirit ma skanojnë qenien. Unë dhe letërnjoftimi bëhemi një. Unë jam shqiptare. Viza i duket false. Unë jam false. Më kthen në kufi. Unë qaj. Gozhda rreh në mish.

Je suis Homo Migrantis.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *