Grabitja e parave të bankës/ Pamjet filmike provojnë pjesmarrjen e Klement Çalës në grabitje

Postuar më: 20 March 2017 18:03

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë tek vila e Admir Muratajt në Fushë-Pezë vërtetuan pjesëmarrjen e Klement Çalës në grabitjen e blindit me 3.2 milion dollar në Qafë Kashar-Rinas më 9 Shkurt 2017.

Çala ka pasur takime të shpeshta me Muratajn dhe të dyshuar të tjerë, të cilët gjithashtu dallohen në pamjet e kamerave, pak ditë përpara grabitjes.

Në këtë kohë, prokuroria dyshon se është hartuar plani për grabitjen e blindave që transportonin vlera monetare te bankës të nivelit të dytë. Admir Murataj është cilësuar si kreu i grupit criminal që organizoi grabitjet e 9 Dhjetori 2015 dhe 9 Shkurtit 2017.

Sikur të mos mjaftonin pamjet filmike të kamerave të sigurisë, një tjetër provë që e “tradhton” Calën, janë edhe shenjat e gishtërinjve të tij, të zbuluara në ambientet e vilës së Muratajt.

Prokuroria ende nuk i ka kërkuar gjykatës caktimin e një mase sigurie në mungesë për Çalën, por provat se ai është përfshirë në ngjarje, janë të forta dhe brenda pak ditësh do të bëhet një veprim i tillë procedurial. I çuditshëm është fakti sesi Klement Çala ka mundur të lëvizë lirshëm përgjatë gjithë kësaj kohe, kur ndaj tij ekziston një urdhër arresti në mungesë.

Ai po gjykohet në gjykatën e Krimeve të Rënda, për akuzën e vrasjes së punonjësve të policisë, mbetur në tentativë, gjatë arratisjes nga burgu i Trikallasë në Greqi bashkë me Admir Muratajn, Ilir Kupën e disa të dënuar të tjerë. Ndërkohë, deri më tani për grabitjen e bankës, janë vënë në pranga 8 persona, ndërsa Admir Murataj vazhdon ende të jetë në arrati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *