Administratorët e pallateve- risi dhe domosdoshmëri e Tiranës!

Postuar më: 16 March 2017 15:42

Rio Kërpaçi*

Tirana po rritet e zhvillohet dita-ditës me ritme të shpejta. Njerëzit, banesat, hapësirat e reja ndërtuese ose të gjelbra po ridimensionojnë qytetin para syve tanë, i cili në çdo moment që kalon transformohet, fiton fytyra të reja identitare dhe njëlloj si një qenie që frymon kërkon me ngulm të gjejë rregullin brenda vetës. Duket absurde ta trajtosh një qytet si frymor, po ja që është i tillë; i përbërë nga mijëra frymë që zbresin çdo ditë shkallëve të pallateve ose ashensorëve për t’u derdhur pastaj rrugëve të qytetit në kërkim të mundësive dhe jetës së tyre profesionale, por pa harruar se kanë lënë pas shkallën e tyre, pallatin ku ruajnë atë që balancon furinë e qytetit, shtëpinë. Një ndër nismat e reja që janë ndërmarrë në kryeqytet është edhe projekti “Portofoli qytetar”, mbështetur nga qendra “Lëviz Albania”, i cili ka tërhequr vëmendjen edhe të Bashkisë së Tiranës dhe ka gjetur mbështetjen e plotë të saj. Menduar si një projekt pilot në 3 njësi administrative, njësia 1, 9 dhe 10, konform ligjit nr. 10112, të datës 9.4.2009, synon të sjellë një risi në jetën e qytetit; administratorin. Tingëllon si një kryebashkiak më shumë?! Apo si një kontrollues?! Në fakt në mënyrë idilike mund ta quajmë një kujdestar; kujdestar që do të kujdeset për shkallët që ti lë pas pasi vrapove për të përmbushur detyrat që ti ke ndaj vetes dhe qytetit.

Administratori duhet të përmbushë një sërë detyrash dhe obligimesh. Së pari, ai duhet të kujdeset për të gjitha aspektet administrative të pallatit/ndërtesës. Ky objektiv madhor përkthehet në detyra në dukje shumë të thjeshta, të cilat janë kthyer sot pjesë e nostalgjisë së të gjithëve ne. Nëse më parë e Diela ishte dita kur të gjithë banorët e pallatit do të harxhonin kohë duke larë shkallë, e cila po aq sa avari ishte edhe kënaqësi për ne të vegjlit, sot ritmi i jetës nuk na lejon ta performojmë këtë praktikë në shërbim të komunitetit. Do të jetë administratori ai i cili do të kujdeset për të gjetur personin përgjegjës për higjienën dhe rregullsinë e shkallëve tona, çka do të garantonte një bashkëjetesë më cilësore për të gjithë ne.

Së dyti, administratorit do t’i takojë të kujdeset për shërbimin e ashensorit dhe pa diskutim kokëçarjen tonë më të madhe, ujin. Sa qesharake po aq edhe e vërtetë! Falë punëve apo impenjimeve tona, asnjëri prej nesh nuk ka më kohë të rrijë të presë orarin e ujit në mënyrë që të mbushë depozitën. Ajo që duam është vetëm që rubineti të gurgullojë muzikën e ujit që me prekjen tonë të parë. Administratori, si i punësuar, do të kujdeset posaçërisht që ky element i rëndësishëm i natyrës të mos mungojë në shtëpitë tona, madje edhe atëherë kur garantimi i tij të jetë i vështirë për kush e di cilën arsye, të dijë të krijojë një sistem menaxhimi dhe mos shpërdorimi të këtij burimi.

Ashensori nuk është më pak i rëndësishëm, sepse tanimë është kuptuar se tendenca e qytetit është pa diskutim prekja e qiellit. Pa bërë shaka apo ironi, ndërtesat shumëkatëshe janë një realitet i yni dhe pasja e një ashensori si edhe mirëfunksionimi i tij është vital kur bëhet fjalë për të ngjitur katin e 12-të apo 15-të të ndërtesave tona. Kostoja e mirëmbajtjes është sa monetare po aq edhe kohore, prandaj administratori do të mundësonte zgjidhjen e problemeve të mundshme në mënyrën më efikase.

Administratori është një ndërmjetësues. Përveç mirëmbajtjes, kontrollit të postës, kontrollit të faciliteteve elektrike, pastërtisë së shkallës etj., atij do t’i duhet të bashkëpunojë ngushtë me banorët, të cilët janë njëkohësisht bashkëpunëtorë po aq edhe llogarikërkues për mënyrën se si po menaxhohet çdo gjë. Puna e tij nuk është thjesht koordinuese, por edhe informuese sepse ai është përgjegjës që të paktën një herë në muaj të zhvillojë një takim me të gjithë banorët për të dëgjuar nga afër shqetësimet ose kërkesat që ata mund të kenë. Administratori është një shans për të ndërtuar komunitetin e munguar në qytetin tonë; një rikthim nostalgjik kur të gjithë mblidheshim bashkë për t’u kujdesur për pronën tonë të përbashkët. Pas kaq vitesh duhet të kemi kuptuar se ne nuk jemi Robinson Cruzo; ne nuk jetojmë në ishull të vetmuar dhe toka, ajri, uji, pallati, shkalla, qyteti janë pronë dhe e mirë për të cilën duhet të kujdesemi të gjithë ne, në mënyrë që individi dhe qyteti të vazhdojë të rritet e zhvillohet për mirë.

*shoqëria civile

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *