Të gjithë kundër Xhafajt. KLD dhe Llalla: Nuk shkelëm Kushtetutën

Postuar më: 17 February 2017 20:01

Fatmir XhafajKëshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk pranuan argumentet e kryetarit të komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj, se kishin ndjekur një procedurë antikushtetuese për hartimin e listës së gjyqtarëve dhe prokurorëve për shortin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Argumentat juridikë, pothuajse të ngjashëm, të të dy isntitucioneve i japin përgjigje gjithashtu akuzës së ambasadorit amerikan për të njëjtën çështje.

Thelbi i tyre është se përveç pikës kushtetuese që i referohet zoti Xhafaj për një kriter të vetëm ndalues, Kushtetuta detyron ngritjen e Këshillit të Emërimeve sipas ligjit ku përcaktohen 6 kritere për kandidatët.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë thekson rëndësinë e ligjit në këtë proces, kur kujton se presidenti e shtyu shortin për KED-në në konsultim me partitë poliitke, për shkak të mungesës së ligjit.

“Në këto takime u deklarua se përfaqësuesit e grupeve parlamentare i kërkuan Presidentit që shorti të hidhej pas miratimit të ligjit, i cili do të përcaktonte kritere më të detajuara për kandidatë e KED-së. Në atë kohë nuk rezulton të ketë patur asnjë qëndrim tjetër nga zoti Xhafaj”, ka deklaruar KLD.

Prokuroria e Përgjithshme, e cila e ka sqaruar edhe më herët pozicionin e vetë dhe që u mbrojt publikisht nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i tregoi kryetarit të komisionit të ligjeve derën e Gjykatës Kushtetuese.

“Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar rigorozisht kuadrin kushtetues dhe ligjor në zhvillimin e një procesi të drejtë dhe transparent. Megjithatë, çdo  interepretim mbi kushtetueshmërinë e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve të KED nga Prokurori i Përgjithshëm mund të jetë objekt shyqrtimi nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar organi qendror i akuzës.

Përgjigjet e KLD-së dhe prokurorisë vijnë pas letrës së Fatmir Xhafajt drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera ku argumentonte se në fakt prokuroria dhe KLD ishin në shkelje të Kushtetutës.

Tani që duket qartë se asnjë prej institucioneve nuk bie dakord me tjetrin, mbetet vetëm një arbitër: Gjykata Kushtetuese./TCH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *