Shumë shtetarë – shumë pak shtet!

Postuar më: 17 February 2017 09:34

Naum MaraNga Naum Mara*

Mara replikon me akademikun Rexhep Qosja, i cili në një intervistë ka thënë se Rama po bën shtet me të vërtetë. Sipas Marës, Rama nuk bën shtet si burrë shteti por si statist.

Çështja nëse ka pak shtet apo shumë shtet te ne është shumë e diskutueshme dhe varet shumë nga interpretimi i fjalës “shtet”. Te ne ka institucione të strukturuara sipas modeleve të demokracive europiane, të cilat janë përbërësit kryesorë të shtetit dhe megjithatë “Shteti” nuk funksionon si duhet. Se nuk mund të quhet shtet, kur njerëzit sorollaten zyrave për të mbaruar punë, kur janë të detyruar të paguajnë ryshfet për të marrë një provim, kur kodrave dhe maleve “harbohet” kanabisi, kur pacientët paguajnë nën dorë për një vizitë mjekësore në spitale, që financohen nga shteti, kur gjykatësit lirojnë nga burgu kriminelët se i kanë paguar mirë, kur deputetët bëjnë biznese nëpërmjet familjarëve të tyre duke përdorur statusin që kanë, kur ministrat akuzojnë njëri-tjetrin se kanë vjedhur etj. Këtë mund ta quajmë “Shteti shqiptar”, por është larg të qenit shtet. Nga ana tjetër, ky “shtet” është shumë i fuqishëm, sepse qeveria ka përqendruar çdo gjë në duart e saj, se emrat e deputetëve i vendos i pari i partisë, se legjislativi pushton ekranet e kanaleve kombëtare jo vetëm të enjteve, por gjithë javën, se nuk meremeton dot çatinë po nuk pagove lekë direkt ose indirekt në Bashki, se gjykatat nuk marrin vendime të formës së prerë për të zgjatur “mjeljen” e të pandehurve apo palëve të interesuara, se mund të të kalbin në dru po i the ndonjë fjalë më tepër përfaqësuesit të shtetit, qoftë ky edhe një polic i thjeshtë. Mbi të gjitha, po punove në “shtet” ke rrogë edhe më të mirë se në privat. Për këtë lloj “shteti” kanë dhënë kontributin e tyre disa “shtetarë“ dhe jo vetëm Edi Rama, sikundër mëton në intervistën e fundit prof. Rexhep Qosja. Sipas tij, shtetari Rama e mori shtetin nga një gjendje autarkie dhe anarkie dhe po e bën me të vërtetë shtet. Nuk di se kur përdor fjalën shtetar për Ramën, Qosja shqipëron “l’homme d’etat” nga frëngjishtja apo “statist” nga anglishtja. Midis tyre ka ndryshim të madh. Për mendimin tim, Edi Rama i përafron më tepër një shtetari “statist”, se për të qenë burrë shteti është shumë larg. Dhe statistë janë ata, që kërkojnë një kontroll sa më të madh të shtetit (në këtë rast të ekzekutivit) në gjithë çështjet shoqërore dhe ekonomike të një vendi. Një “shtetar” i tillë nuk është shumë larg një autokrati. Për më tepër “shtetarët” tanë kanë prirje të identifikohen me shtetin dhe kështu ka ndodhur me Berishën, Nanon, Metën dhe tani me Ramën. Shqipëria, që vinte nga një “supershtet” i Diktaturës, ku nuk kishte asnjë lloj iniciative private, të drejtat e njeriut ishin të stërnëpërkëmbura, nuk ka nevojë për shtet të këtij lloji, që kanë ndërtuar katërshja e sipërpërmendur dhe të fundmit të së cilës i thuren lavde nga Rexhep Qosja. Shqipëria ka nevojë për decentralizim, për eliminimin e pengesave ndaj iniciativës private, për mbrojtje të lirive të individit, për ndarje të qartë të pushteteve, për zvogëlim të administratës shtetërore, për llogaridhënie të politikanëve ndaj atyre që i kanë sjellë në pushtet, për një peshë sa më të vogël të shtetit në kurriz të taksapaguesit. Rama nuk po e bën dhe as ka dëshirë ta bëjë këtë. Për të mos hedhur poshtë të gjitha që ka bërë, ai nuk ka penguar Reformën në Drejtësi, ka favorizuar investitorë privatë, ka rritur disiplinën në administratë, ka tentuar të bëjë reformime në arsim. E megjithatë është larg të qenit shtetar edhe në kuptimin “statist”. Shtetarët tanë e duan shtetin, si një makinë të pasurimit të shpejtë të tyre dhe të njerëzve që kanë përreth, ndaj e duan “fuqiplotë”, por edhe “të brishtë”. Fuqiplotë për të drejtuar si duan ata, por edhe të brishtë për të mos u ndëshkuar vetë për paudhësitë e tyre. Viti 1997 ishte ilustrimi më i qartë i shtetit të plotfuqishëm, që u kthye në kaos. Edhe në këto 20 vite nuk është bërë shumë shtet për të parandaluar një çmenduri të atillë. Optimizmi i prof. Qoses i përngjet më tepër optimizmit të një tifozi, që entuziazmohet nga lojtari i zemrës edhe kur ai luan keq.

*publicist

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *