Sandro Veronesi: Kaos i qetë –një dramë ekzistenciale dhe për vetë lexuesin

Postuar më: 11 February 2017 13:29

Sandro_Veronesi_2010_mtProtagonisti i romanit Kaos i qetë nuk e lë vajzën kurrë vetëm dhe mundohet me të gjitha mënyrat që ajo të kuptojë se duhet të shkëputet nga dhimbja, duke e ndjerë deri në fund e më pas të gjejë qetësinë.  Por, nga ana tjetër, vajza duket se  përballet me situatën një maturi të habitshme për moshën e saj tepër të re.

Nga Diana Çuli

Botimet TOENA kanë hedhur në qarkullim romanin Kaos i qetë të shkrimtarit të njohur italian Sandro Veronesi. Veronesi është një nga autorët bashkëkohorë më në zë italianë, i cili është paraqitur herët me krijimtarinë e tij – në fillim poetike dhe që fitoi shumë shpejt popullaritet në Itali, po edhe çmime prestigjioze,  si Campiello e të tjerë. Por, me romanin Kaos i qetë, botuar më 2005, ai fiton çmimin më të lartë letrar italian, STREGA.

Në qendër të romanit është Pietro Paladini, një dyzetvjeçar, me një punë të mirë në një rrjet televiziv ku ka rol drejtues, me një grua të bukur, me të cilën është gjithnjë i dashuruar dhe me një vajzë dhjetëvjeçare që e adhuron. Ai e humbet gruan e tij papritmas, teksa vetë, bashkë me vëllain e tij, po shpëton një grua të panjohur. Në ato çaste e shoqja vdes nga një aneurisëm në sy të vajzës së tyre, Klaudias.

Kjo është gjetja dramatike e një subjekti që më pas do të shndërrohet në një dramë ekzistenciale për personazhin dhe për vetë lexuesin. Çfarë mund të bëjë njeriu në një situatë të tillë, e cila vjen në kulm të jetës, në mes të planeve, ëndrrave të përbashkëta, në përpjekjen e përbashkët për të rritur fëmijën e përballë të gjithë sfidave të deriatëhershme?

Pietro Paladini, në paralizën mendore dhe shpirtërore që e ka mbërthyer, zgjedh të qëndrojë si hu në oborrin e shkollës së vajzës së tij, Klaudias. Rreth tij të afërm, shokë, miq, vajza, vetë mendimet e tij – më të vështira se gjithçka tjetër. Çdo lidhje e mëparshme e jetës i shpërbëhet  i duhet të kujdeset për vajzën, gjë që u bë arsyeja e vetme e ekzistencës së tij. Dhe Pietro, i pushtuar nga një qetësi në dukje, e jashtme, ndërkohë që shpirti i trazohet në një kaos, rrëmujë të madhe, e kalon, siç thamë, çdo çast të ditës përpara shkollës së vajzës. Më pas ulet në një bankinë, për ta pritur kur ajo të dalë, për ta përshëndetur me dorë kur vajza duket në dritare për ta vështruar. Në këtë pritje, teksa ditët kalojnë njera pas tjetrës, Pietro fillon dhe vëzhgon jetën që rrjedh rreth tij, vështron kalimtarët, dëgjon bisedat e tyre, hyn dhe në lidhje me këta njerëz që, nga të panjohur bëhen personazhe të afërt, të cilëve ua njeh tashmë çdo gjest, çdo shprehje e gjendje shpirtërore. Dhe, dalëngadalë, ai bëhet një pikë referimi për të tjerët, ai që duhet të zhytej në hidhërim dhe në zi. Përkundrazi, kolegët, të afërmit, madje dhe të huajt, shkojnë tek “bankina” e tij ku tani ai e kalon kohën për t’i kërkuar një këshillë dhe habiten nga pasiviteti i tij  i jashtëm, nga qetësia aq e çuditshme në rrethanën e humbjes tragjike të gruas. Me kalimin e kohës, Pietroja përpiqet të krijojë një marrëdhënie më të ngushtë e më të mirëkuptueshme me vajzën, sepse mendon se e ka të vështirë të përjetojë vuajtjen e vdekjes së nënës.

Protagonisti i romanit Kaos i qetë nuk e lë vajzën kurrë vetëm dhe mundohet me të gjitha mënyrat që ajo të kuptojë se duhet të shkëputet nga dhimbja, duke e ndjerë deri në fund e më pas të gjejë qetësinë.  Por, nga ana tjetër, vajza duket se  përballet me situatën një maturi të habitshme për moshën e saj tepër të re.

Sandro Veronezi, në këtë roman të tijin rrëfen me stil të veçantë një histori dashurie e dhimbjeje, duke na vënë në dukje se si ndikojnë gjërat e përditshme në jetën tonë. Pikërisht në këtë kaos eksperimental, në këtë përpjekje për të thyer rregullat e zakonshme, dëgjohet edhe zëri i vajzës së vogël, me mençurinë e thjeshtë të fëmijëve dhe prej saj ndihet kërkesa për normalitet.

Rrëfimtaria e Veronezit në këtë roman është tepër mjeshtërore, me një aftësi të veçantë për të përshkruar tipa të ndryshëm njerëzorë,  shumë të ndryshëm nga njeri tjetri. Ai nuk hyn në ndërlikime psikologjike, i shikon vetëm në funksion të rrugëtimit të personazhit të tij kryesor. Kritika e ka vlerësuar Veronezin edhe për mjeshtërinë pët të përshkruar botën fëminore.

Kaosi i qetë është edhe ekranizuar, me regjisor Antonello Grimaldin dhe me aktorin Nanni Moretti në rol kryesor.

Së fundmi – ky libër nuk do të  shijohej aq mirë e me aq kënaqësi, pa ardhur në shqip nga pena e Roza Rucit, që dëshmon edhe një herë se përkthimi në shqip i veprave të mëdha mund të na i sjellë këto vepra të tingëllojnë në një shqipe të bukur, të pasur e me shkathtësi sintaksore. Ky libër është dhe një përgëzim e urim për profesoreshë Roza Rucin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *