Rudi Erebara: Qielli, një kohë e ndarë përgjysmë mes ëndrrës dhe tragjikes

Postuar më: 11 February 2017 13:31

rudi erebaraMes poezisë dhe prozës që shkruan, Rudi Erebara rrok me qasje të ndryshme edhe shpirtin e ri apo të ringjallur të poezisë së pas viteve `90, edhe thelbin e pazhvoshkur të asaj çka e kushtëzoi dhe e la në vend për dekada të tëra atë që do të donim të ishte një Shqipëri tjetër. 

Nga Ledia Dushi

Në lidhje me çka ne e quajmë “tranzicion” apo “post-komunizëm”, duket se ngatërrojmë atë që njihet si kapërcim kohor, me rutinën që sjell ky kapërcim. Poezia e shkruar në fillim të viteve `90 erdhi  nëpërmjet një shpirti të çoroditur, shpesh si shpërthim pasionesh. Duke gërmuar në qenien e tyre poetët sollën një poezi të ndjeshme e me shumë elemente jetësore e delikate. Shumë nga ata që shkruanin në atë kohë e konsideruan poezinë si një “ndihmë” për “çlirim njerëzor”. Ata luftuan për të çliruar dëshirën dhe ëndrrën  njerëzore e në mënyrën e tyre, ata shpallën thirrjen e surrealistëve, “Njeriu është dëshira”. Mirëpo jo të gjithë e arritën këtë gjë, së paku nëpërmjet poezisë. Mendoj se edhe sot ka një problem të rëndësishëm me të cilin ndeshen ata që duan të bëjnë art, idividualiteti dhe vlera, ose siç përcaktohet me shprehjen “të zbulojmë atë që e bën Shekspirin  Shekspir”.

Rudi Erebara, mendoj, është njëri prej atyre që mundi ta kalojë këtë prag. E kam njohur nga poezitë e para të botuara në faqet e gazetës “Zëri i Rinisë”, shoqëruar me një shkrim të poetit Xhevahir Spahiu.

Në poezinë e bukur “Njeriu në shtëpi”, ai tregon se si e kaloi këtë prag, “Forca shpirtërore / themeloi mëkatin e lavdisë”.

Në nëntor të 1994-ës boton vëllimin e parë me poezi “Fillon pamja”, Albinform Tiranë. Ashtu si muzika e bën poezinë këngë, tek Rudi  duket se poezia kthehet në pikturë dhe një pikturë thur një poezi.

“Shiu ra sa ra,

dielli kap gafil,

kërmillin mu në shtëpi,

pa një gjeth jeshil”.(Fillon pamja)

Poezia dhe piktura, të dyja bashkë, fillojnë diku në shpirtin e tij dhe ecin dorë për dorë duke ndihmuar njëra-tjetrën. Bëjnë art dhe fshijnë kufijtë.

Poezia e tij zë vend diku  mes mendjes dhe zemrës. Duket sikur ruan ekuilibrin më të vështirë të kësaj jete. “Zemra shpresë e ka te fati / mendja s`i beson”, shkruante Taras Shevçenko. Në poezinë “Fjalët”, Erebara shkruan:

Në qofsh ti akull,

qofsha unë zjarr!

…….

Bashkimi ynë është i jashtëzakoshëm

Dhe fatkeq.

Ne, takohemi të vrasim njëri-tjetrin.

Tek Erebara poezia lëviz. I thotë “eja”, thirrje e bukur e zemrës, por mendja i tërheq vërejtje dhe e largon. Diku në mesin e rrugës psherëtin. E kjo psherëtimë është më e fuqishme se thirrja e trimit.

“Lumi i mban të gjitha” shkruan ai tek poezia “Njerëzit e lumit”, duke krijuar atë që shumë poetë e quajnë “Lumi i jetës”.

Por sjell edhe pajtimin. E sjell bukur tek poezia “Duar mbi duar” kur shkruan:

“Po, me të drejtë,

ti i mbron me fantazi  lulet.

Ato të freskojnë  sytë,

Sikur unë ti çel me të puthur”.

Duket sikur bëhet pre e mendjes dhe humb pushtetin mbi veten por edhe shkruan poezi.

Dashuria nuk trashëgohet. Ajo vjen bashkë me shpirtin dhe jeton me të.

Në vitin 2013 Aleph, boton vëllimin “Lëng Argjendi”. Ashtu siç shkruan edhe vetë Erebara, poezitë e këtij libri janë shkruar në një periudhë disavjeçare. Tani duket se poezinë e lidh me skulpturën, kështu që e ndien të arsyeshme “të konservojë ndjenjën”. Nuk e kuptoj pse e ndien të arsyeshme që “Ndjenja duhet të ruhet gati me disiplinë tip ndëshkimore që të latohet si duhet mendimi”. S`e kuptoj pse duhet kjo gjë, pse ka nevojë për “konservim”, kur në “kopshtin e tij” ka fruta në çdo stinë.

Një lumë sjell pa nxitim “gdhendjet e fundit të zemrës” si “ një letër dashurie pa pullë poste” ku është e shkruar: “Ti si unë je një rrugë kalimi. / Ti dhe unë ecim përtej me të tjerë, / ku kujtimet nuk i di askush, / e kjo gjë nuk lidhet më me ne”.(“Porta e fundit” )

Tani Erebara sheh dhe njeh vende te tjera. Figurat e tij së bashku me të kanë ndërruar vendbanim dhe të dy duhet të mësohen me vendin e ri. Ai e ndien të nevojshme t`i “gdhendë”, por unë mendoj se, thjesht ato po kultivohen në një vend të ri. Kurrsesi ata nuk ndryshojnë, thjesht po mësohen me kushtet e reja. Tani nga bregu i lumit kanë shkuar në “Kafe 6-shta” ku:

“Ndodh që ta zerë gjumi, / kur lind, dielli i të tjerëve”.

Dita atje nuk ecën, por rend e poezia është një “dashuri” e madhe, është delikate. Ajo e ka të vështirë të gjallojë ndërmjet dy trenave që ndërrohen me shpejtësi. Ajo ndjehet keq kur:

“Zilja e sahatit më rreh në mengjez,

Të më vrasë gjumin,

Me një revole të re flake thotë ;

Duart lart shko në punë.

Pastaj për gjithë ditën ndalet.”( “Diell i shkurtër”)

Sot shkrimtari apo poeti u drejtohet të gjithë njerëzve.

Rudi Erebara është student i Universitetit të Arteve, (ish-Akademia e Arteve të Bukura) dhe pjesëmarrës në disa ekspozita kolektive në Shqipëri dhe jashtë saj. Erebara është gjithashtu edhe përkthyes shumë i njohur, i cili ka bërë të mundur që t`i vinë lexuesit shqiptar autorë si John Grisham, Kazuo Ishiguro, Robert Hass, Arthur Miller, Harold Pinter, Kenzaburo Oe etj.

Rudi Erebara është gjithashtu autor i dy romaneve, “Vezët e thëllëzave” (Pika pa sipërfaqe, 2010) dhe “Epika e yjeve të mëngjesit” (Ombra GVG, 2016).

Nëpërmjet këtyre dy teksteve Erebara na sugjeron trajtimin e një periudhe në të vërtetë jo shumë larg prej nesh dhe ende të pambyllur, në kuptimin e qartësimit të pasojave. Mbase ngaqë është jo shumë e largët dhe e paqartësuar, i vështirëson teorizimet e mundshme, por sugjerimi mbetet dhe shumë i fortë madje. Drama e diktaturës duket se i shtrëngon autorët t`i bëjnë llogaritë në mënyrë dramatike me veprën e tyre apo me formën që vepra merr nisur nga kushtet. E megjithatë, Erebara duket se kufizohet nga drama, por e kushtëzon atë duke ia nënshtruar krijimit letrar. Erebara është i drejtpërdrejtë dhe i fortë në atë që rrëfen dhe në mënyrën se si e rrëfen. Veçantia e tij, sidomos tek “Vezët e thëllëzave”, është edhe narratori, konkretisht “fëmija që rrëfen”. Kur në një roman janë fëmijët ata që e marrin fjalën, kur janë ata pikëvështrimi i narratorit, paktit fiksional mes autorit dhe lexuesit që karakterizon çdo tekst letrar, i mbivendoset një tjetër, marrëveshja e heshtur, ajo që të bën të besosh se ai që e ka shkruar veprën është një fëmijë, një fëmijë që rrëfen…

Se çfarë është një fëmijë që rrëfen, autori e qartëson gjatë tekstit, me anë edhe të dhënash gjuhësore që e konotojnë atë, nga mënyra se si vëzhgon, si flet, si çuditet, si merr pjesë…

Nëse tek “Vezët…” autori nëpërmjet syve të Afërditës na sjell Shqipërinë e internimeve, tek “Epika…” nëpërmjet dramës së Edison Gjergos na sjell Shqipërinë vetë si një vend internimi. Tragjika dhe absurdi e përbëjnë edhe thelbin e asaj çka ishte jeta nën diktaturë, një gomë e tmerrshme dhe asgjësuese e gatshme për të fshirë çdo ngjyrë të dyshimtë apo gjest jashtë norme, çdo mendje menduese dhe çdo trup zemre që përpiqej t`i jepte kuptim rrahjeve.

Mes poezisë dhe prozës që shkruan, Rudi Erebara rrok me qasje të ndryshme edhe shpirtin e ri apo të ringjallur të poezisë së pas viteve `90, edhe thelbin e pazhvoshkur të asaj çka e kushtëzoi dhe e la në vend për dekada të tëra atë që do të donim të ishte një Shqipëri tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *