Romani i Çapalikut: Narrativa urbane e komunizmit shqiptar

Postuar më: 11 February 2017 13:26

stefani-capalikuShkodra në optikën e autorit-protagonist asht pika e gravitetit e bërthamës intelektuale në rezistencën e komunizmit dhe në mbijetesën mjerane të shumë emnave si: profesorët K. Ashta, Gj. Shllaku, poetët Z. Zorba, F. Reshpja etc. Sigurisht dhe fatet ma tragjike si ajo e kompozitorit P. Jakova. Por në krahun tjetër Shkodra ndryn në mbramje në çelës gjithfarë historish që sot munden me qenë legjenda qytetase, megjithëse në të vërtetë e kanë nji burim të vërtetë, e në roman dalin sa me tis real aq edhe me tis artistik

Nga Lisandri Kola

Romanin e Stefan Çapalikut “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” kam pasë rastin me e lexue qysh në fazën dorëshkrimore të tij, dhe mandej po prapë kur u botue nga Enti Botues “Gjergj Fishta”, fundvitin e 2016-s. Në dukje ky titull, që të kujton L. Pirandello-n me komedinë “Ciascuno a suo modo”, të ban ftesë që me e parakuptue veprën integralisht sa në rrafsh komik, por sa edhe në atë tragjik. Dhe në fakt rresht mbas rreshti e vëren këtë dyvalencë të poetikës romanore.

Qysh në faqen e parë të veprës, e cila hapet me nji strukturim invers të frazës për nga pikëpamja sintaksore: “Me pantallona të shkurta, të zeza, me dy tirake të kryqëzuara pas shpine, këmishë të bardhë, çorape të bardha e të shkurta, sandale lëkure kafe. Biond, me kaçurrela, me kaçurrela… Unë. Unë.”, dallojmë se receptimi priret drejt nji vizualizimi kinematografik. E mbase, në gjykimin tim, krejt pjesa  e parë asht nji ligjërim në sepia, nji rrëfim i protagonistit dhe përjetim i njëjtë si me Renaton tek filmi “Malena” i G. Tornatore-s (2000). Veçan nji marrëdhanie të tillë protagonist/faza e fëminisë-atraksion femënor e shohim në pasazhin/kapitullin 8 të pjesës I, nëpërmjet personazhit të Marildës. Por uni i heroit të romanit absorbon edhe problematika të tjera, si çështje socpolitike: situata e komunizmit në Shqipni; vitin e mbylljeve të institucioneve fetare (1967); bisedën e atmosferës politike mes gjyshit të protagonistit dhe At P. Meshkallës. Madje letra që ia dërgon ky i fundit ish kryeministrit M. Shehu, dhe botimi i saj si syth i rrëfimit prozaik (ff. 63-4), hyn në kontributet e zbardhjes mbi diktaturën dhe qëndrimet e shtresës intelektuale në lidhje me gjendjen e asohershme politike.

Kultura shqiptare kryesisht ka ra në kontakt me disa vepra të randësishme për denoncimin e sistemit enverist, si ajo e: At Z. Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, A. Pipës “Libri i burgut”, Dom S. Jubanit “Burgjet e mia”, E. Çobës “Jetë e humbun”, e vepra të tjera mandej të At K. Gjolajt, L. Tasit, U. Kalakullës etj. Ky asht korpusi i veprave, që në fakt e kanë dëshmue ferrin enverian tue e përjetue së brendshmi atë. Ndërsa romani që po shqyrtojmë, i cili asht bioletrar, e kandveshtron periudhën e regjimit komunist shqiptar së jashtmi, prej paradigmës urbane, dhe për ma tepër prej qytetit ku diktatura s’asht kursye me e zharitë: Shkodrës.

Shkodra në optikën e autorit-protagonist asht pika e gravitetit e bërthamës intelektuale në rezistencën e komunizmit dhe në mbijetesën mjerane të shumë emnave si: profesorët K. Ashta, Gj. Shllaku, poetët Z. Zorba, F. Reshpja etc. Sigurisht dhe fatet ma tragjike si ajo e kompozitorit P. Jakova. Por në krahun tjetër Shkodra ndryn në mbramje në çelës gjithfarë historish që sot munden me qenë legjenda qytetase, megjithëse në të vërtetë e kanë nji burim të vërtetë, e në roman dalin sa me tis real aq edhe me tis artistik, si historitë e: Cen Pinucit, Rozar Dodmasej, Frederik Çapalikut, Gjenarin Gajtazit, Nuh Sahatçisë e me radhë. Sa kontroverse, sa tragjikomike, sa të sinqerta në pozitat e tilla ekonomike, sociale, kulturore. Së shumti ngjajnë si mikrohistori që tentojnë me u bashkue në nji makrohistori: jeta e nji qyteti përballë bunkerizimit izolues. Dhe e gjitha të drejton kah nji hipotipozë kinematografike.

Po prapë në opozicion me censurën komuniste ishte e ashtuquejtuna kinemaja në shtëpinë e Tef Çapalikut, ku njerëzit vinin e shihnin filma edhe pse nën vëzhgimin e spiunëve të lagjes si Kristo Patanaku. Në ekranin e Çapalikëve, siç dëshmon autori, shiheshin filmat dhe bihej në kontakt me kulturën botënore: programe televizive, mësimi të gjuhëve të hueja, filma të ndryshëm që kishin nevojë për ndërmjetësim përkthimi edhe pse shpesh aty krijoheshin situata komike. Kjo sa i takon brenda shtëpisë, e ndërsa jashtë saj duhet antena e cila ishte: “Një vibrator prej alumini me të paktën katër elementë prapa dhe një përpara të montuar në një tub çeliku. Dhe disa metër kabëll bakri.” – për të krijue mundësinë e sinjalit.

Kujtesa autoriale që nis me “burg” – në fakt burgosjes e dajës së tij, dhe vazhdon me burgun e vërtetë, që asht jeta jashtë, ose thanë ndryshe burgu i madh – intensifikohet me rrëfime të ndryshme mbi jetën e nji qyteti në totalitarizëm, mbyllet me vdekjen e diktatorit e me shtojcën e mbrame historike, me atë të dajës Gjon. Në total kap jo hiç ma pak, por nji periudhë dy dekadash. Ndoshta atë ma të vështirën për qytetin e Shkodrës, dhe krejt tipologjia e karaktereve si dhe ngjarjet që pasohen në këtë hark kohor, shpien në nji za interior, za kreje që nuk shkon përtej buzëve. Nji za që thotë: “secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Dhe hapim sytë, tue pyetë veten: “kush e tha këtë?”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *