Musine Kokalari, narrativa miniatureske si një roman etnografik ritualor

Postuar më: 11 February 2017 13:24

musine-kokalari-para-gjyqitKodi i ligjërimit bisedimor në prozën e Musine Kokalarit/Musine Kokalari është e para shkrimtare femër, që në peizazhin tonë letrar afirmohet në fund të viteve ’30, ndërsa në fillim të viteve ’40, ajo është tashmë, ndonëse në moshë të re, një shkrimtare referenciale si për autoritetet letrare në Shqipëri…Skicat e saj një variant sui generis i narrativës letrare etnografike, përbëjnë një seri etydesh që ravijëzojnë me pak penelata situata ambientale përplot kolorit gjuhësor në përputhje me imazhet tipike psikomentale e psiko-emocionale të folësve, veçanërisht të femrës shqiptare

Habitati natyral i zërave në narrativën letrare të Musine Kokalarit

Musine Kokalari është e para shkrimtare femër, që në peizazhin tonë letrar afirmohet në fund të viteve ’30, ndërsa në fillim të viteve ’40, ajo është tashmë, ndonëse në moshë të re, një shkrimtare referenciale si për autoritetet letrare në Shqipëri, ashtu dhe për studiuesit e huaj. Skicat e saj që fillojnë të botohen që më 1937 në gazetën “Shtypi”, – një variant sui generis i narrativës letrare etnografike, përbëjnë një seri etydesh që ravijëzojnë me pak penelata situata ambientale përplot kolorit gjuhësor në përputhje me imazhet tipike psikomentale e psiko-emocionale të folësve, veçanërisht të femrës shqiptare.
Janë këto zëra – habitati natyral që e mbështjellin bashkëkohësinë e shkrimtares nga mëngjesi në darkë. Janë këto zëra të brendshëm që çlirohen përmes rrëfimit dhe pohojnë sekretet, të vërtetat e përditshmërisë, ashtu siç përjetohet ajo me tragjikën personale, komizmin personal dhe ambientin gjuhësor personal. Janë këta zëra që përfaqësojnë instancat, funksionet dhe rolet në familje dhe shoqëri, të cilët me ngjyresën e zërit njerëzor na rrëfejnë me pëshpërimë, larg syve të botës, se çfarë i mban gjallë ata: durimin, shpresat, qëndresën, ngushëllimin në një botë që ndryshon me shpejtësi dhe thellon moskuptimin midis kohërave dhe brezave. Dhe janë këto zëra që përpiqen të çlirohen nga paraliza, e cila përndryshe sjell përkeqësimin e regjistrave dhe e fut familjen/shoqërinë në krizë.
Musine Kokalari e ka kapërcyer përvojën e rrëfimit miniaturesk që në botimet gjatë kohës së studimeve në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë” (1937-1938) me poezitë dhe skicat, kryesisht me tematikë sociale. Gjatë kohës që studion për letërsi në Univesitetin e Romës (1940-1942), lënda e saj letrare është riprodhimi stilistik i ligjërimit etnografik të zërave të shtëpisë, që na zbulojnë karaktere dhe situata, të cilat, përmes ritualit dhe besëtytnisë vizatojnë detajet e tablosë së përgjithshme si dëshmi autentike e përditshmërisë urbane. Këtë eksperiment me situatat ambientale dhe koloritin e zërave ajo e kurorëzon me librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë” (1939), për të cilin Lasgush Poradeci shkruan: “Musine Kokalari ka një talent që meriton të vihet në dukje. Zënia e Jetës, kapja e saj në fond dhe në formë dhe shfaqja imediate, pa asnjë ndërmjetësim, ky është origjinalitet, origjinalitet letrar”. Këtë nivel të narrativës miniatureske, sipas skicës letrare minimaliste etnografike Musine Kokalari e thellon më dukshëm në librin e saj të dytë “…Sa u tund jeta” (1944), dhe tashmë, me këtë libër kemi jo vazhdimin e eksperimentit me narrativën popullore, por një projekt të qartë artistik, për çka dëshmojnë edhe 30 faqet e romanit të pambaruar “Teto Nurijeja” (1943) i mbetur në dorëshkrim. Me këtë trashëgimi të ndërprerë dhunshëm nga diktatura komuniste, Musine Kokalari mbetet e para shkrimtare femër në letërsinë shqipe, që spikati në peizazhin letrar të viteve ’40 me zhanrin e saj origjinal të miniaturës minimaliste etnografike, në të cilën shtrohen problemet e femrës shqiptare në një kontekst shoqëror maskilist, sikundërse promovohen për herë të parë tiparet e shkrimit lerar feminist në letërsinë shqipe.
 Narrativa minimaliste miniatureske e M. Kokalarit

Zhanrin miniaturesk të skicës e kanë përdorur në vitet ’20-’30 të shek XX., edhe shkrimtarë të afirmuar para Musine Kokalarit, por miniaturizmi etnografik i prozës së saj synon të fiksojë një botë të tërë autentike, jo si ekzotikë lokale, por si një thurimë zërash që derdhen njëri në tjetrin në formë monologjesh a kuvendimesh, duke zbuluar në këtë akt shqetësime të brendshme, një botë të tërë dis’harmonike nën peshën e brengave dhe hareve. Shpesh kjo narrativë minimaliste është trajtuar në mënyrë të cekët, si diçka ekzotike, sipërfaqësore. Përkundrazi, ne mendojmë se ajo çfarë e bën qartësisht të dallueshme risinë e skicës miniatureske në tekstin letrar të Kokalarit, nuk është ligjërimi mimetik i zërave dhe karaktereve, por anatomia psiko-mentale e zërit të brendshëm, zërit të familjes si institut thelbësor në shoqërinë shqiptare.
Në repertorin e teksteve tona letrare nuk ishte ndeshur më parë një zhanër i tillë kaq pranë folësit, me një intonacion bisedimor kaq të identifikueshëm me karakteret e përditshmërisë dhe me situata ambientale të përshkruara – të gjitha këto – të dhëna me një kopraci të ndershme dhe me një kompozim të thukët, lakonik. Musine Kokalari ka një meritë të veçantë për begatimin e letërsisë shqiptare, duke krijuar një tip të ri zhanri, të dallueshëm e origjinal dhe të pangjashëm me asnjë shkrimtar tjetër në fund të viteve ’30 – fillim të viteve ’40 të shekullit XX. Miniaturat etnografike si krijime ngushtësisht letrare, përpos gjendjes së konservuar të ligjërimit popullor me interesin gjuhësor që paraqesin, na shpalosin edhe ndjeshmërinë botëkuptimore të protagonistëve si instanca përfaqësuese të shoqërisë sonë të atyre viteve, në kapërcyell të modernizmit. Shkrimtarja ka fiksuar gjendjen e shoqërisë shqiptare në fazën e kalimit të saj nga sjellja simboliko-ritualore në sjelljen e saj racionale pragmatike.
Veçantinë e miniaturës etnografike me detaje minimaliste të Musine Kokalarit mund ta përcaktojmë me këto elementë konstantë:
– mungesa e syzhetit në kuptimin tradicional të termit;
– parimi i lokalizimit të veprimit;
– dëshmitë e detajuara në përshkrimin e ambienteve/vendeve, kohës dhe njerëzve;
– marrëdhënia me edukimin estetik etik, ritualor, dhe me kushtet e protagonistëve;
– vëmendja e spikatur ndaj karakteristikave sociale të tipave dhe mjedisit;
– paraqitja e realitetit në një “prerje” sociale;
– tendenca e qartë në përzgjedhjen e dukurive të dëshiruara, përpjekja për të krijuar imazhe tipike.
Në një fazë më të pjekur të krijimtarisë së saj, miniatura letrare etnografike e Musine Kokalarit përfton një unitet kompozicional, duke kapërcyer fragmentarizmin e mëparshëm ishullor të librit “Siç më thotë nënua plakë”. Në librin e dytë “…Sa u tunt jeta”, nuk janë më protagonistë zërat e veçuar, karakteret, por kemi shfaqjen e një personazhi dominues, rol të cilin e luan jo njeriu, por riti. Është riti i dasmës shqiptari në variantin lokal të Gjirokastrës që përbashkon e përthyen botërat mentale, emocionet, frikërat, besëtytnitë – gjithë çfarë përbën fytyrën e fatit si një kompozicion i kulmeve më domethënëse në jetën e njeriut: lindja, martesa, vdekja. Libri nis me përpjekjen për ndërmjetësimin e lidhjes së një çifti dhe përshkon gjithë trajektoren e tij, deri në ceremonialin e dasmës, përmes një sfondi familjar të nginjur me paragjykime, intriga, pasiguri, besim, ngazëllim dhe keqardhje. Secila hallkë lidhëse në zinxhirin e rrëfimit miniaturesk është gdhendur me një përpikmëri skrupuloze në stilin e një gjerdani gurësh. Rituali me repertorin e gjesteve dhr ceremonive solemne shkon drejt kurorëzimit të tij simbolik, përmes një sfondi të harlisur muzikor.

Narrativa miniatureske si një roman etnografik ritualor

Femra e këtyre miniaturave letrare na paraqitet në të gjitha moshat, rolet dhe funksionet e saj në familje dhe në shoqëri. Në miniaturën e parë me titull “Siç më thotë nënua plakë”, ndeshim një monolog të dendur të nënës plakë, një zë i cili shpreh pakënaqësinë për mënyrën e sjelljes, jetesës, veshjes dhe idealeve që ka vajza, duke parë tek ajo mishërimin e një shkëputjeje dhe përjashtimi që i bëhet brezit të nënave. Monologu lakonik është njëlloj revolte për humbjen e autoritetit dhe ndikimit të saj mbi të bijën, një lloj alienimi midis dy brezave në një situatë të cilën nëna tashmë nuk e ka më nën kontroll. Toni i përgjithshëm i monologut ruan brishtësinë e naivitetit të një brezi nënash të pezmatuara, të cilat nuk ndeshin tek bijat shembëllimin e idealeve të tyre tradicionale familjare. Ky hendek midis dy botëve të lë mbresën e një buzagazi sa zbavitës, aq dhe  keqardhës.
“Kulloi Odaja” – një miniaturë që riprodhon ritualin e vajtimit, duke e përqasur vdekjen e djalit  të ri, të vetëm, në familje me përjetimin tragjik të prindërve pleq që lë pas; rituali i vajtimit na flet me vargje aluduese për vendin e  pakompensueshëm dhe gjendjen e pangushëllueshme të prindërve të tij në prag të pleqërisë. “Ulërima e qenit” – është një etyd miniaturesk për atmosferën e ankthshme që ngjall bestytnija e një qeni që angullin përvajshëm gjithë natën. Teto Hasieja është një plakë që s’vë gjumë në sy dhe e torturojnë parandjenjat për gjëmën që ndjell ulërima e qenit. Mendja e saj është e shpërndarë tek djali që ka larg. Ajo gdhihet e pagjumë dhe shkon të lehtësohet me një fall filxhani tek komshija e saj, teto Nefizeja. Ajo e qetëson për merakun, por në të vërtetë vdekja ndodh në orët e ditës. Shenjat paralajmëruese dalin të sakta: vdes një burrë i ri në lagje, duke lënë prapa 5 kalamaj të vegjël. Nokturni i përzishëm i vdekjes është skicuar me natyralitetin funeral.
Miniaturat e vëllimit “…Sa u tunt jeta”, siç e kemi theksuar, paraqesin në vetvete një roman-etnografik ritualor, ku dasma ka funksionin e personazhit qendror. Dasma kryhet në Gjirokastër, me të gjitha ritet, zakonet, përgjegjësinë shpirtërore për t’i bërë dhe zbatuar si duhet ato. Jeta shfaqet si një teatër, me pamjet e saj imponuese, me aktorë dhe spektatorë, me këngë dhe me valle, me portrete nusërie, me këshilla nëne, me lotë ndarjeje, por me poezinë dhe gëzimin e jetës së re. Të gjithë pjesëmarrësit, zonjat e mençura, vajzat e bukura në pritje të dasmës, burra krenarë, i japin një përkryerje qytetit të gurtë. Megjithatë, vepra është endur mbi një lëndë etnografike e zakonore, brenda realitetit social, përmes analizës së disa karaktereve apo më saktë, zërave, duke skicuar një varg portretesh dhe me skena lirike të kursyera, po mjaft prekëse.
Të gjitha miniaturat minimaliste etnografike që kemi propozuar më sipër ilustrojnë virtytet më të mira artistike të prozës letrare të Musine Kokalarit. Ato paraqesin një gdhendje tepër të vështirë të karaktereve dhe imazheve, zbulojnë nëpërmjet detajesh minimaniliste peshën e një bote të gjallë, organike, me një dozë të ndjeshme verizmi, fotografimi të brendshëm të hollësive sociale e ritualore dhe të shoqëruara me një buzagaz infantil e të përmbajtur.

Doc. dr. Agron Tufa

Elvana Zaimi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *