Meta mesazh urimi Veselit: Mirënjohje për ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës

Postuar më: 17 February 2017 14:00

ILIR-META8

Me rastin e 9 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kreu i Kuvendit Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi kreut të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Meta shprehet se sot gjithë kombi shqiptar kujton me mirënjohje të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës. Ndër të tjera kreu i Kuvendit të Shqipërisë thotë se mirëpret vizitën e Veselit në Tiranë ditën e hënë.

Mesazhi i plotë i Metës:

I nderuar Zoti Kryetar,

Me rastin e 9 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës më lejoni t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë.

Sot i gjithë kombi shqiptar kujton me mirënjohje të thellë të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës, ndaj sot nderojmë me krenari, së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, mençurinë vizionare të Presidentit Ibrahim Rrugova dhe përulemi me respekt të thellë ndaj heronjve të UÇK-së me Komandantin Adem Jashari në krye.

Sakrifica e pamasë e tyre na detyron të gjithëve të shumëfishojmë përpjekjet tona me qëllim që Shteti i Kosovës të ecë përpara në misionin kombëtar të shtimit të njohjeve ndërkombëtare, forcimit demokratik institucional dhe të avancimit në axhendën e sigurt euro-atlantike.

Në këtë drejtim, ju siguroj për mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe duke mirëpritur vizitën tuaj zyrtare ditën e hënë në Tiranë, unë besoj fort se ajo do të rikonfirmojë bashkëpunimin gjithnjë e më cilësor mes Tiranës dhe Prishtinës.

Duke Ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta, si dhe dëshirën për paqe, zhvillim e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.
Ilir META

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *