Lëvizja “MAGA”: PD huazon sloganin e Trump

Postuar më: 27 February 2017 09:38

“RD” paralajmëron një lëvizje si në SHBA, “Make Albania Great Again”. Ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po huazon jo pak pikat më të debatueshme të presidentit amerikan, siç është raporti i tij me median, por edhe me gjithë establishmentin politik.

Rilindja Demokratike, gazeta zyrtare e Partisë Demokratike, në faqen e parë të saj huazonte dje sloganin “Make America Great Again”, që çoi drejt fitores në SHBA presidentin Donald Trump, me një të tillë që pritet të zbatohet edhe në Shqipëri.

Sipas “RD”-së, ajo do të njihet si MAGA (Make Albania Great Again).

Teksa e shtjellonte këtë ide me qëndrimet e Bashës, Rilindja Demokratike i referohej edhe një vizite dyditore që kryerepublikani Fatmir Mediu zhvilloi në Austri, ku ishte takuar me senatorë dhe kongresmenë.

Përmes një statusi në Facebook, Mediu paralajmëronte se, së shpejti gjashtë senatorë dhe kongresmenë amerikanë do të angazhohen në kongres dhe në të gjitha nivelet e administratës së Presidentit Trump për të përçuar zërin e opozitës.

“Senatorët Roger Wicker; kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongres, Senatori Lamar Alexander, Kongresmeni Steve King, Trent Kelly, Richard Hudson dhe Robert Aderholt u angazhuan që zëri i opozitës të dëgjohet dhe debatohet jo vetëm në Kongres, por edhe në të gjitha nivelet e administratës së Presidentit Trump. Ata theksuan se kemi mbështetur Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe sot kërkojmë që ajo të sillet si e tillë duke garantuar standardet demokratike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ata u angazhuan se do të ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri”, – shkruan Mediu në Facebook.

Përpos paraleles që po tentohet të hiqet mes lëvizjes në SHBA pro Trump-it dhe Shqipërisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po huazon jo pak edhe pikat më të debatueshme të presidentit amerikan, siç është raporti i tij me median, por edhe me gjithë establishmentin politik.

Dy ditë më parë, në një nga fjalimet e mbajtura para protestuesve te çadra para kryeministrisë, Basha premtoi se kurrë më, PD-ja “nuk do të lejojë pazare të ndyra politike midis partive në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”.

Duke tentuar ta shkëpusë veten nga sistemi politik 26-vjeçar, Basha premtoi: “Ju e dini fare mirë që partitë politike shpesh i kanë mbyllur kauzat e mëdha me pazare të vogla. Unë jam këtu për t‘ju premtuar se kjo nuk do të ndodhë më! Se interesat e kësaj lëvizjeje popullore, kombëtare, demokratike janë mbi interesat e çdo partie politike, përfshi Partinë Demokratike, përfshi Lulzim Bashën, sepse janë interesat tuaja, janë interesat e shqiptarëve, janë interesat e Shqipërisë”.

Basha për herë të parë ka folur edhe për një Republikë te re në shërbim të qytetarëve. Sepse, sipas tij, beteja e opozitës nuk është për pushtet por për njerëzit.

“Kjo është një betejë për t’i dhënë pushtetin çdo qytetari dhe çdo qytetareje shqiptare, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme… Kjo është një lëvizje kombëtare, demokratike, popullore, paqësore, por e vendosur deri në fund për të hedhur republikën e krimit dhe për të ngritur republikën e re, republikën e vlerave. Republikën e vlerave…”.

Një gjë është e sigurt sipas tij.

“Republika e vjetër vdiq më 18 Shkurt, ta varrosim dhe t’i hapim rrugë republikës së re…”, është shprehur ai.

Një tjetër debat jo pak i rëndësishëm që po ndodh në SHBA është edhe raporti i presidentit amerikan Donald Trump me mediat më të mëdha në vend. Edhe Lulzim Basha nga ana tjetër i ka çuar jo pak tonet në këtë drejtim.

Të enjten e kaluar i ftuar në emisionin “Opinion”, kryetari i demokratëve u shpreh ndër radhë se do t’i përmbyste mediet që i shërbenin pushtetit.

Ditët në vijim Basha do ta përçonte edhe më tej këtë ide.

Ai ka huazuar jo pak shprehjen e famshme te Trump për “fake neës”, ndërsa dy ditë më parë foli edhe për media fasadë.

“Ne jemi këtu për ta shkulur këtë fasadë dhe për të ndërtuar së bashku diçka të re, të vërtetë me media të vërteta, të dekriminalizuara. Me media jashtë konfliktit të interesit dhe transparente për financimin e tyre. Me gazetare dhe gazetarë dhe operatorë, dhe punonjës të medias, të cilët garantohen me ligj për statusin e tyre në mënyrë që të mos jenë skllevër të pronarit, por ushtarë të interesit publik të shqiptarëve”, – premtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *