Henri Çili: Lamtumirë njeriu i mirë Dritëro Agolli

Postuar më: 03 February 2017 21:10

IMG_0001

Për humbjen e shkrimtarit ka shprehur ngushëllimet administratori i UET-së, Henri Çili, i cili është shprehur: “Dritëro Agolli, i cili ka fituar me kohë përjetësinë në letrat dhe historinë moderne shqipe, na la sot, duke na kumtuar siç thotë Ismail Kadare ‘Lajmin më të trishtë të këtij dimri’.

Ky moment sjell në vëmendje një vend që mbetet bosh, atë të një humanisti të madh si dimension intelektual, të një shkrimtari autentik të letrave shqipe, të një patrioti të pashoq. Por mbi të gjitha, kemi nga sot një vend bosh: atë të NJERIUT TË MIRË, Dritëro! Një figurë pozitive që iu ka mbijetuar epokave të trazuara të shekullit shqiptar, duke u bërë referencë e shqiptarit të racës dhe njeriut me humanitet të spikatur.

Në vitin 2011, në 80-vjetorin e tij, me kolegët e Universitetit Europian të Tiranës, patëm nderin ta presim në auditoret tona, për t’i dhënë titullin Honoris Causa. Një ceremoni emocionuese, e përjetësuar tashmë edhe në mesazhin e tij për të rinjtë studentë në fjalimin përkatës. Bashkë me botimin e librit me intervistat e zgjedhura në 50 vjet të jetës së tij publike,

‘E kam penën e mprehtë…’, ka qenë personalisht për mua edhe si gazetar, mes shumë momentesh njohjeje e komunikimi, një nga kujtimet e bukura me NJERIUN E MIRË Dritëro! Për të cilin, një det simpatie popullore sot kur ai nuk është më, ka vetëm predikat: Dritëro, ti na plotëson si shqiptarë, si art, si njerëz! Lamtumirë DRITËRO! Kur të jemi mërzitur shumë do të të gjejmë në faqet e librave si një ngushëllim për trishtimin e jetëve tona!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *